Marrëdhënie

April 18, 2016 | 10:10

Luiza&Gaqo Çako: Kur u vidheshin miqve

Kishin pothuaj 15 vite që e njihnin mirë njëri-tjetrin, që në bankat e para të shkollës. Kishin bërë çdo gjë bashkë, studim, lexim në biblioteka, aktivitete artistike në kinema, opera, miqësi të përbashkët, hyrje-dalje në shtëpitë përkatëse. Të mirat dhe të këqijat, sekretet dhe veset e njëri-tjetrit, i dinin vetëm ata të dy. Një lloj kodi që i mbante bashkë dhe të cilin vetëm ata dinin ta zbërthenin. Luiza dhe Gaqo Çako të favorizuar nga vendndodhja në shtetin e huaj, e kishin më të lehtë ta shprehnin dashurinë. Studimet në Konservatorin Çajkovski do t’u mundësonte dy të rinjve pavarësi në ngritjen dhe zhvillimin e ndjenjës së tyre. Falë largësisë dhe mentalitetit shqiptar që të kushtëzonte në ato vite, ata nisën të mendojnë ndryshe për njëri-tjetrin. Siç tregon Luiza, raporti i tyre mori një formë tjetër, u bë më i shpenguar dhe i natyrshëm. Edhe pse deri dje nuk i ndaheshin njëri-tjetrit nga mëngjesi deri në mbrëmje, kësaj situate do t’i shtohej dhe doza e kënaqësisë që të dy merrnin nga qëndrimi bashkë. Kështu të çliruar nga mungesa e të afërmve, të fshehur nga shoqëria, takimet e tyre romantike nisën të organizoheshin jo vetëm kur nuk kishin studim. Ato bëheshin të zjarrta kur u duhej të lexonin në bibliotekë, të shkonin në mensë, të bënin ato shëtitjet në vendin e caktuar e plot gjëra pas të cilave humbeshin me orë të tëra. Siç rrëfen Luiza, ajo ishte periudha më e bukur e lidhjes së tyre. “Ka qenë viti 1961, periudha e thellimit të lidhjes sonë. Ishin pikërisht vitet kur studionim në Konservatorin Çajkovski në Rusi. Gaqo ishte disa vite mbi mua. As më shkonte mendja ndonjëherë se fati do na afronte bashkë. I kemi dhënë puthjen njëri-tjetrin në oborrin e Konservatorit. U kthyem nga një mbrëmje festive organizuar në ambasadën tonë dhe pas argëtimit pa kufi, u gjendëm në krahët e njëri-tjetrit të përqafuar fort. Gaqo në përgjithësi e kishte në mendje e gjithnjë më thoshte: S’ke ku shkon ti. Ministrat janë martuar, zëvendësministrat po ashtu, kështu që ti tek unë do vish. Unë mendoja se bënte shaka por e kishte me gjithë mend. Ne të dy shoqëroheshim gjithnjë bashkë, në të gjitha vendet. Deri atëherë ishim në një miqësi tepër të pastër. Pastaj në një ambient të huaj, ideja që kishim njëri-tjetrin na lidhi dhe më shumë. Filluam t’i bënim këto gjëra fshehurazi, ndaj familjes po e po, por edhe miqve të përbashkët që kishim në konservator. Kishim vendin tonë sekret diku tutje konviktit ku qëndronim me orë pa fund. Kudo ku shkonim u shmangeshim miqve tanë duke u nxjerrë arsye nga më të ndryshme, se do të studionim, kishim ngarkesë. Devijonim. Por ky marifet shumë shpejt na u zbulua. Filluam të nuhateshim nga të tjerët, por ne nuk e pranonim. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Shteti ynë i prishi marrëdhëniet me Rusinë dhe ne nuk mundëm t’i vazhdojmë studimet, ndaj u kthyem për ta vijuar shkollën në Shqipëri”. Ajo që kujtojnë me nostalgji janë pikërisht ato çaste kur Gaqo fshehurazi i dhuronte lulet e shtrenjta ruse. Siç tregon bashkëshortja e tij, ato kishin një domethënie të madhe për atë shtet ndaj dhe çmimi i tyre ishte tepër i lartë. “Gaqo ka qenë shumë delikat dhe këto gjëra i kishte me dozë të madhe. Ishte shumë i vëmendshëm, për datëlindje, 8 mars apo festa të tjera me domethënie, ai më sillte gjithmonë lule. Që prej Rusisë, ku lulja ishte ajo që identifikonte ndjenjën e dashurisë. Atje ishte shumë e shtrenjtë qoftë dhe një tufë fare e vogël. Këtë ves të mirë Gaqo diti ta transmetojë deri sot. Ai ka qenë fantastik. Përveç kësaj nuk harronte kurrë të më çonte dhe në kinema”.

50 VITE BASHKË

U bënë pothuaj gjysmë shekulli bashkë. Tashmë ia dinë çdo huq njëri-tjetrit. Dikur ziheshin shumë por siç tregon Luiza, kjo u ka bërë mirë. Falë dashurisë kanë ditur të përshtaten dhe sot të jetojnë në harmoninë e tyre. “Kur erdhëm në Shqipëri, si dy të dashuruar, mbaj mend se po bënim shfaqjen “Berberi i Seviljes”. Jemi grindur vetëm për librin me të njëjtin titull. Ishte një çudi. Dy pole të kundërta që tërhiqeshin. Që prej asaj kohe kam kuptuar se nuk mund të bëja dot pa këtë njeri”. Por shumë elementë të tjerë do ta bënin të marrosej pas tenorit. Serioziteti dhe ndershmëria, të qenit pa komplekse dhe personi që e çonte fjalën deri në fund. Ishin të rinj, Gaqo 22 dhe Luiza 19 vjeçe. Në gjithë këto vite Luiza rrëfen se ka qenë Gaqo ai që ka sakrifikuar më shumë, kryesisht ndaj shëndetit të saj. Nga ana e tij Gaqo tregon se për të Luiza ka qenë shembulli i një vajze korrekte, të shtruar, pa eksese e që nuk ia prishte kurrë humorin. Përpos kësaj, Luiza Papa e atyre viteve mbahej dhe ndër vajzat e pakta të bukura të kryeqytetit. Kanë sakrifikuar pambarimisht për njëritjetrin, si për rritjen e djalit të vetëm Pirros, por edhe për karrierën e secilit. Për çdo rrethanë ku jeta i ka vendosur apo përballur. Jo vetëm kaq. Dashurinë e tyre ata kanë ditur ta mbajnë gjallë deri më sot. Luiza tregon se ka qenë e privilegjuar kur bashkëshorti i saj nga udhëtimet në vende të ndryshme të botës, nuk harronte pa i sjellë gjërat që ajo pëlqente. “Më bënte vazhdimisht përshtypje. Si nuk harronte njëherë të sillte lule, jo vetëm dje por edhe sot. Sa herë që dilte jashtë shtetit me ato çika parash që u jepte shteti dieta, sillte ndonjë simbol nga vende të ndryshme, apo tesha, pallto, peliçe kamoshi. Në rininë time një komplet që në ato kohë kushtonte rreth 9 mijë lekë, unë i kisha të gjitha ngjyrat”. Në këtë gjysmë shekulli ata kanë mbetur po aq dhe tradicionalë. U pëlqen të dalin të dy bashkë, jo si dikur me biçikleta, por të kapur për dore. Shoqërojnë njëri-tjetrin në bisedat e tyre, ndërsa po kaq shumë u pëlqen dhe ambienti i shtëpisë. Duan të kalojnë shumë kohë aty pasi gjejnë dhe prehjen e moshës. Tek i pyes për këtë gjë në fillimet e lidhjes së tyre, Luiza ma pret duke më shpjeguar se vetëm dashuria nuk pyet. “Kur të godet, të godet, të mbushet mendja. Po të merresh me llogari nuk ka bindje. Unë nuk e kam bërë këtë gjë se nuk ia vlente. Martesa është edhe fat se nuk di ç’të bie. Është si puna e pjeprit që në pamje bie erë të mirë dhe kur e çan del i prishur. Gaqo ishte pjesë e shortit tim. Gjysma tjetër që më plotësoi”.

Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top