Në zyrën e vogël të firmës informatike Ferray nëntë mace iu kalojnë nëpër gjunjë punonjësve, shëtitin nëpër tastierë, hanë dhe ecin lirshëm nëpër hapësirë. Kompanitë janë të njohura për disiplinë stresuese hierarkike, ndaj kjo ishtje gjetja më e shkëlqyer për uljen e stresit.
Drejtori i kompanisë, Hidenobu Fukuda ka vendosur në politikën e tij “macet në zyrë” qysh në vitin 2000 me kërkesë të njërit nga bashkëpunëtorët e tij dhe u ka lejuar punonjësve që të vijnë me mace. Ai ka thënë se dhuron 5.000 jenë (40 euro) në muaj secilit person që shpëton mace.
Edhe kompanitë tjera japoneze lejojnë praninë e kafshëve në hapësirat e punës, në mënyrë që të reduktohet stresi.
Në degën japoneze të firmës Oracle, qeni i quajtur Kendi është bërë “ambasadori” i tyre që pranon mysafirë dhe i qetëson punonjësit. Oracle në Japoni mban qen në zyre që nga viti 1991 dhe Kendi është qeni i katërt me radhë, i cili ka llogarinë e tij Twitter dhe Instagram.
Tokio ka 60 kafene në të cilat zyrtarisht janë të lejuara macet, të cilat lirisht shëtitin në mesin e klientëve.
Ndërkaq macet janë të afta të pakësojnë stresin nga pagjumësia. Jean-Yves Gauchet, veteriner nga Tuluzi, siguron se gërhitja e maces pakëson stresin dhe ankthin, si dhe vepron si një medikament pa efekte dytësore. “Kur organizmi lufton kundër situatave të vështira, si stresi, pagjumësia apo ankthi, gërhitja e maces lëshon dridhje zanore, të cilat luajnë rolin e një muzike të lehtë”, ka thënë ai.
Macja është në këtë mënyrë si një violonçel, muzika e së cilës ndryshon në funksion të madhësisë së gjoksit. Gërhitja vjen nga laringu dhe dridhjet janë një shenjë qetësimi në gjuhën e maceve. Ky është sinjali i parë që macja u lëshon koteleve, një mirënjohje që funksionon edhe me maçokun.
Njeriu e merr këtë gërhitje nëpërmjet timpanit, por jo vetëm. Grimcat e Pancini-t, fundet e nervave që ndodhen në lëkurë përthithin edhe ato tingullin e gërhitjes me frekuenca 20-50 hertz. Përveç gërhitjes macja është edhe një kafshë shtëpiake që kërkon të luash me të dhe të qetëson.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.