Nyja e dashurisë dhe besnikërisë – ndaj fëmijërisë dhe maces që e shoqëron atë – është shtylla kryesore e kësaj novele: ëndrra për një fëmijëri të përjetshme dhe nostalgji për një dëlirësi që nuk mundet të përshtatet me jetën prej të rrituri.
Aleni, djali i vetëm dhe i përkëdhelur i një familjeje të pasur borgjeze, ka një mace shumë të bukur, Sahën, me të cilën ka një lidhje thuajse në simbiozë.
Ndonëse vendos të martohet me Kamilën, një vajzë të hijshme dhe tepër moderne, Alenin e shqetëson shumë ideja se do të lërë shtëpinë e lindjes e mbi të gjitha macen e tij të adhuruar. Pas martesës, Saha fillon të dobësohet, prandaj Aleni vendos ta marrë me vete në apartamentin e ri të çiftit. Në një tension dhe xhelozi në rritje, prania e kafshës minon në mënyrë të pakthyeshme bashkëjetesën e tyre dhe Aleni do të jetë i detyruar të zgjedhë o njërën, o tjetrën.
Se çfarë përfaqëson kjo mace, ngrohtësinë e fëmijërisë së humbur përgjithmonë, ëndrrën e një lidhjeje të përsosur për një burrë të brishtë dhe të papërmbushur, apo simbolin, lehtësisht shqetësues, për pamundësinë për të qenë normalë, autorja ia lë lexuesit ta vendosë. Sepse, në të vërtetë, thuajse në çdo shtëpi, endet një mace apo një fantazmë e ngjashme me të.
Novela, e botuar për herë të parë më 1933, thuhet se është një lloj dedikimi i Colette-s për macen e saj.
Kritika
Një kryevepër arti, lakonizmi dhe përsosmërie klasike, plot me të vërteta, poezi e mençuri. – Edmond Jaloux (shkrimtar i njohur francez)
Colette di si të shkruajë dhe “Macja” është kryevepra e saj. Ndoshta s’do ta tronditë gjendjen njerëzore, por është një dhuratë e vogël e përkryer, një xhevahir i vogël i letërsisë franceze. – CritiqueLibres
I konsideruar vepra më e plotë në karrierën e saj, subjekti ka gjithçka të një vodëvili: një grua është xheloze për “të dashurën” e të shoqit, një mace. – LesEchos
Colette i bën nderimet “maces së jetës së saj”, shpirtit të saj binjak, duke i kushtuar një libër, në të cilin i jep një personalitet kompleks dhe joshës. – Littérature
Autorja
SIDONIE-GABRIELLE COLETTE (1873 – 1954), e njohur me emrin Colette, ishte një shkrimtare e jashtëzakonshme franceze e gjysmës së parë të shekullit XX. Në moshën 20-vjeçare u martua me shkrimtarin dhe kritikun Henri Gauthier-Villars (Uilli), 15 vjet më i madh se ajo. Ai e njohu me sallonet parisiane dhe jo shumë kohë pas martesës së tyre, zbuloi talentin e saj për të shkruar. E mbyllte në dhomë dhe e nxiste që të shkruante, por veprat i botoi me emrin e tij. Katër novelat e Claudine-s janë veprat e saj të para, në fakt. Pas ndarjes nga i shoqi, ajo vijoi të shkruante me emrin e saj.
Në romanet e saj, ajo përshkruan dhembjet dhe kënaqësitë e dashurisë, seksualitetin, marrëdhëniet brenda të njëjtit seks, mëmësinë, raportet e vështira nënë-bijë dhe divorcin shumë më herët sesa këto të konsideroheshin argumente të përshtatshme për diskutimin publik. Si gazetare, ajo përcaktoi norma të reja morale, duke folur haptas për orgazmat e shtirura, dhunën në familje dhe prirjet shoqërore. Si një figurë shumë kontroverse, jeta e saj është ekranizuar në filmin me titull “Colette” (2018).
Fragmente nga libri
1) Ndonjëherë, agu para se të binte vesa, agu para se të niste era, i shihte të ulur në tarracën nga lindja, tek kundronin, kokë më kokë, qiellin që zbehej dhe pëllumbat e bardhë që fluturonin vrulltas dhe që, njëri pas tjetrit, linin prapa bredhin e bukur të parkut La Foli-Sen-Zham. Bashkë, ata habiteshin se si ndodheshin aq lart sipër tokës, aq vetëm e aq pak të lumtur. Me një lëvizje të zjarrtë e gjarpërore prej gjahtareje, Saha ndiqte fluturimin e pëllumbave dhe lëshonte disa “…ëk… ëk…”, jehona të venitura të “muëk… muëkëve…” të gjallërimit, të babëzisë dhe të lojës së saj të dhunshme.
2) “Para se të të zgjidhja ty, Saha, ndoshta kurrë nuk do ta kisha ditur se njeriu mund të zgjedhë. Sa për të tjerat… Unë do të martohem dhe me këtë po kënaqen të gjithë, edhe Kamila, madje ka momente që edhe unë kënaqem, por…”
3) – Shikojeni, mama! A nuk është mace e mrekullueshme?
– Po, – psherëtiu zonja Ampara. – Ajo është kimera jote, përbindëshi yt mitologjik.
4) – Një krijesë e vogël, e paqortueshme, e kaltër si ëndrrat më të bukura, si shpirt i brishtë… Besnike, e gatshme për të vdekur me delikatesë nëse i mungon diçka që ka zgjedhur vetë… Ti e mbajte atë me duart e tua në ajër dhe hape duart… Ti je një përbindësh… Unë s’dua të jetoj me një përbindësh… Ai hoqi duart nga fytyra e përlotur, iu afrua Kamilës duke kërkuar fjalët e duhura për ta dërrmuar atë shpirtërisht. Ajo po dihaste, ndërsa vështrimi i kalonte nga krahu lakuriq i Alenit te fytyra e tij jo më pak e bardhë, pa pikë gjaku.
– Për një kafshë! – bërtiti ajo me indinjatë. – Ti po më sakrifikon për një kafshë! Sidoqoftë, unë jam gruaja jote! Po më lë për një kafshë!…
Titulli: MACJA
Titulli në origjinal: La Chatte
Autor: Collette
Përktheu: Edmond Tupja
Zhanri: Novelë
Qershor 2023
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.