Përgatiti Orjona Tresa
Në fundvit, ndërsa dita shkurtohet dhe dritat zbukurojnë rrugët, ndjejmë jo vetëm një ndërrim kalendarik, por edhe një ftesë të brendshme: të “lëmë pas” atë çka na ka rënduar, të bëjmë paqe me të shkuarën dhe të hapim vend për diçka të re. Dhe në këtë kontekst, falja nuk është vetëm një akt moral apo një “detyrim” social, është një ritual emocional që ka fuqi transformuese për mirëqenien tonë.

Psikologët që studiojnë faljen e kanë identifikuar si një nga mënyrat më efektive për të ulur stresin, zemërimin, ndjenjat e brendshme të hakmarrjes dhe për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm psikik. Një meta-analizë e publikuar tregoi se ndërhyrjet të bazuara te falja reduktojnë depresionin, zemërimin dhe stresin, dhe rrisin ndjesinë e emocioneve pozitive. Një studim i gjatë në SHBA, zbuloi se nivelet më të larta të faljes ishin të lidhura me përmirësime të qenësishme në mirëqenien psikologjike dhe integrimin social.
Po pse fundviti është kohë ideale për të falur?
Së pari, është momenti i “mbylljes së ciklit”. Viti që po shkon na sjell natyrshëm në reflektim: çfarë arrita, çfarë humba, çka mbaj me vete për vitin e ardhshëm. Falja vjen në këtë hapësirë, si një akt që na lejon të themi: “Fundi i këtij viti nuk do të jetë i bllokuar në zemërim apo tension të pashprehur.”
Së dyti, festat dhe fundviti sjellin shtim të ndërveprimeve sociale, takimeve, darkave me të afërmit, situata që shpesh aktivizojnë edhe plagët emocionale të lëna pas dore. Një fjalë të thënë në tavolinë, një kujtim që rikthehet, një pritshmëri që s’është përmbushur, të gjitha këto mund të përforcojnë tensionin nëse nuk pranojmë të bëjmë paqe me veten përpara se të nisim. Falja në këtë moment nuk do të thotë detyrim ndaj të tjerëve, por kujdes ndaj vetes: të mos lejosh që e kaluara të të mbajë peng.
Së treti, fundviti ofron ritualin simbolik, ndryshim i kalendarit, ndezje dritash, bashkim familjar, që mbështet vizualisht dhe emocionalisht aktin e faljes. Kur ndjehemi pjesë e një kohe të veçantë, jemi më të prirur të bëjmë veprime simbolike për ndërrim. Falja merr kuptim dhe ritëm.
Çfarë thonë studimet rreth mekanizmave të faljes?
Studimet tregojnë se falja vepron nëpërmjet disa rrugëve: ajo ul zemërimin dhe ndjenjat e hakmarrjes (gjë që sjell qetësi mendore). Gjithashtu, falja rrit shpresën dhe vetëvlerësimin, duke e bërë të mundur që të ecim përpara në jetë jo vetëm me plagë, por me mësime. Një studim tregon se falja është e lidhur me presionin e gjakut më të ulët dhe ritëm më të shëndetshëm të zemrës.
Si mund të zhvillojmë faljen tonë në këtë fundvit?
Filloni me reflektim pa gjykim: ndaluni pak dhe mendoni për ndonjë marrëdhënie që është mbetur pezull ose plagë që nuk e keni pranuar plotësisht. Shënoni brenda vetes: “Çfarë ndjej? Çfarë dua të lë pas?”
Zgjidh të falësh: jo domosdoshmërisht për ata që të lanë plagë, por për vetë lirinë tënde. Falja nuk do të thotë rikthim automatik në marrëdhënie ose harrim i asaj që ka ndodhur, por të thuash: “Nuk do të lejoj që hidhërimi të zgjasë edhe një vit tjetër.”
Bëni një veprim simbolik: mund të jetë një letër e shkruar me dorë që nuk është dërguar, një mesazh që nuk është thënë, ose një ritual i vogël (p.sh. ndez qiri, bëj një shëtitje, fal në heshtje). Një simbolikë ndihmon të fiksosh vendimin emocional.
Ndajeni me një person të besuar ose me veten: “Ky vit po mbyllet, dhe unë po hap vend për të mirën”. Kur e shprehim atë në zë, rritet forca e vendimit.
Ruani për veten disa çaste pa pritshmëri edhe gjatë festave: kur të kem mundësi të zgjedh vetë fjalën, veprimin, ritmin. Kjo i jep jetës emocionale më tepër hapësirë sesa ritmit frenetik të festës.
Në përfundim, falja është më shumë se një fjalë, është një çlirim emocional, një hap drejt mirëqenies. Kur në këtë fundvit zgjedhim të falim (ose të vihemi në rrugën e faljes), ne nuk po përmbushim thjesht një detyrim moral, por po zgjedhim veten, qetësinë, lirinë, lidhjen me momentin që po kalojmë. Le të jetë ky fundvit jo vetëm për të festuar me të tjerët, por për të çliruar zemrën tonë. Të mbyllim kapitullin me mirësjellje për veten dhe të hapim faqen e re me biletën e faljes, sepse magjia e faljes nuk është vetëm për t’i bërë mirë të tjerëve, por për t’i bërë mirë vetes.
Në këtë mënyrë, fundviti bëhet jo vetëm festë dhe përmbyllje, por një mundësi e re për të jetuar më shumë në paqe, më shumë në hapje, më shumë në kurajo dhe më shumë në pritshmëri të mira.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

