Lini mënjanë problemet personale me të afërmit dhe bashkëpuno deri sa të mbretërojë harmonia. Ndizni qirinjtë dhe gatuani ushqime të mira. Mësojuni fëmijëve që familja është një skuadër, organizoni lojëra në grup, fikni të gjitha aparaturat elektronike dhe këndoni së bashku
Të gjithë e kemi ndërmend magjinë e ditës së Krishtlindjes: dhuratat që shkëmbejmë, gëzimin kur shkojmë për drekë apo darkë te gjyshërit, dëshirën për të dëgjuar historitë e familjarëve, argëtimin kur luanim me kushërinjtë… Ndiheshim pjesë e diçkaje të madhe dhe shumë të sigurt. Sepse një fëmijë për të qenë i sigurt te vetja duhet të dijë që nuk vjen nga hiçi, që pas shpatullave të tij ka tradita, të pasura me përvojë e urtësi.
Por sot nuk kanë mbetur shumë tradita familjare për t’u festuar. Shpesh Krishtlindja, nata e ndërrimit të viteve, janë momente ankthi dhe polemikash mes të afërmve. Nuk ka gjë më shqetësuese për të shkatërruar lumturinë e fëmijëve tanë (dhe edhe tonën).
- Harrojini problemet
Kur takoheni me të afërmit, sakrifikoni dëshirat tuaja personale që t’u vini ndesh edhe nevojave të të tjerëve. Fëmijët nuk i pëlqejnë dramat e të rriturve, kundërshtitë dhe negativitetin. Fëmijët janë më të lumtur nëse qëndroni të gjithë së bashku me gjyshërit, tezet apo hallat, xhaxhallarët, dajat dhe miqtë në një atmosferë harmonie. Do të jetë një përvojë shumë e bukur për t’ia transmetuar fëmijëve.
- Krijoni ambient të ngrohtë
Kërkoni ndihmën e fëmijëve dhe argëtohuni për të krijuar në shtëpi një atmosferë intime dhe harmonike: ndizni qirinj, bëni zbukurime, përgatisni ëmbëlsira.
- Mos e ekzagjeroni me dhuratat
Nuk ka gjë që e zbeh më shumë magjinë e festave se sa dyndja me dhurata: dy apo tri dhurata janë të mjaftueshme dhe e lejojnë fëmijën të përqendrohet në kënaqësinë e surprizës dhe jo të humbasë në dyndjen e shumë pakove për t’u hapur.
- Dhurata të thjeshta e kreative
Sa më të thjeshta të jenë festat dhe aq më shumë do të mbetet në mendjen tuaj si një kujtim i paharruar. Synoni te lojërat kreative dhe që çlirojnë fantazinë: ndërtuese, kukulla, plastelinë, libra… Evitoni produktet që bëjnë dallimin mes femrave e meshkujve: dallimi i parakohshëm gjinor kushtëzon fantazinë e të vegjëlve.
- Fikni aparaturat elektronike
Gjatë festimeve me të afërmit, fikni televizorin, tabletin dhe kompjuterin dhe largoni telefonët. I vetmi rast kur mund t’i përdorni duhet të jetë për të bërë fotografi.
- Familja është një skuadër
Në vend që të qëndroni të ndarë me celular në dorë, inkurajojini të afërmit tuaj që të bëjnë tifo për skuadrën, e cila është familja dhe tregojuni fëmijëve se çfarë roli mund të kenë dhe se si mund të japin kontributin e tyre për festat. Shpirti i bashkëpunimit e bën secilin të ndihet i lumtur dhe i mbrojtur.
- Mikpritje gjatë gjithë vitit
Atmosfera qetësuese dhe intime në shtëpi, nuk duhet të kushtëzohet vetëm në ditët e festave, por mund të zgjasë e tillë gjatë gjithë vitit. Nuk është e nevojshme që të jenë të gjithë të afërmit. Mjaftojnë dy-tri persona, ata me të cilët keni më shumë afrimitet dhe me të cilët ndiheni më mirë.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.