Nga Alma Marku, psikologe klinike, terapiste ABA
Për shumë njerëz, pushimet e fundvitit janë një periudhë plot gëzim dhe shpresa optimiste për një vit të ri, të cilën e presin me padurim. Pavarësisht stresit të përgatitjeve, blerjes së dhuratave, përfundimit të punëve në minutat e fundit, shumë prej nesh e shikojnë këtë si kohën më të bukur të vitit. Mirëpo, nuk ndodh kështu për të gjithë. Madje për disa njerëz, kjo mund të jetë një periudhë e vështirë dhe sfilitëse emocionalisht, një periudhë e mbushur me trishtim, vetëreflektim, vetmi dhe ankth. Ndonjëherë, pushimet e fundvitit mund të sjellin dhe kujtime traumatike për këta njerëz. Sipas një sondazhi nga APA (American Psychological Association) u gjet se 38% e njerëzve të marrë në studim kishin një rritje të nivelit të stresit gjatë sezonit të pushimeve.
Një tjetër studim nga National Alliance on Mental Illness ka nxjerrë përfundimin që 64% e njerëzve që vuajnë nga një problematikë e shëndetit mendor kanë raportuar që përgjatë pushimeve, gjendja e tyre është përkeqësuar.
Por përse ndodh kjo?
Kur vijnë pushimet e festave, ato sjellin me vete një mori ngjarjesh, ndërveprimesh sociale dhe sfida. Ndonjëherë stresi ka të bëjë me presionin e shumë gjërave në të njëjtën kohë. Në raste të tjera, mund të asociohet me kujtimet e së kaluarës ose me ankthin nga ribashkimi në familje.
Përveç këtyre, disa njerëz përjetojnë atë që quhet Çrregullimi Afektiv Sezonal, i cili ka tendencën që të shfaqet në përfundim të vjeshtës dhe mund të zgjasë deri në fillim të pranverës. Ky çrregullim njihet të jetë i lidhur me ekspozimin më të ulët ndaj dritës së diellit, e cila ndryshon ritmin dhe balancat neurokimike në trupin tonë.
Kërkimet shkencore tregojnë se ky lloj depresioni prek rreth 6% të të gjithë popullatës. Duhet theksuar që ky lloj çrregullimi dallon nga Holiday Blues, i cili është më i shkurtër në kohë dhe mund të zgjasë vetëm në periudhën festive dhe jo përgjatë gjithë sezonit të dimrit.
Pushimet e festave konsiderohen steriotipikisht si një periudhë e gëzueshme ku duhet të jesh i shoqëruar nga njerëzit e tu të dashur dhe të shijosh çdo moment. Por nga ana tjetër, kjo varet shumë edhe nga rrethanat personale dhe jo të gjithë njerëzit e kanë të ndezur brenda vetes së tyre Dritën e Krishtlindjeve.
Disa nga shkaqet më të zakonshme të përjetimit të simptomave depresive përgjatë pushimeve janë këto:
-Vetmia dhe izolimi social janë një nga parashikuesit kryesorë të depresionit, veçanërisht gjatë pushimeve. Disa njerëz mund të kenë një rreth të vogël shoqëror ose mundësi të ulëta socializimi. Ose mund të tkurrën akoma më shumë në vetvete duke u shkëputur nga njerëzit e duke përkeqësuar në të njëjtën kohë simptomat depresive. Kur këta individë shikojnë të tjerët duke u shpenzuar kohë me shoqërinë ose me familjen, mund të pyesin veten ‘Përse unë? Përse të gjithë janë më të lumtur se unë?”
-Stresi i përgjithësuar, i cili mund të vijë për shkak të përgjegjësive të shtuara nga presionet e detyrimeve të perceptuara që mund të lidhen me udhëtimin, planifikimin e vakteve, blerjen e dhuratave etj, dhe rrjedhimisht keni më pak kohë për t’u çlodhur dhe rikarikuar.
-Lodhja fizike dhe mendore mund të përjetohet si pasojë e mbingarkesës që ka fundviti.
-Stresi financiar është një element kyç si shkaktar i stresit në përgjithësi e si rrjedhojë ky nivel i stresit thellohet akoma më shumë përgjatë periudhës festive ku detyrimisht duket se shpenzimet janë më të larta për arsye të ndryshme.
-Pritshmëritë e larta mund të krijohen paraprakisht në mendje duke i idealizuar këto pushime ose duke organizuar më shumë aktivitete se ç’mund të premtojë koha. Në të njëjtën kohë, mund të ketë edhe ndodhi të paparashikueshme, të cilat mund të sjellin zhgënjim.
-Stresi i udhëtimit është i listuar në këtë renditje rastësore duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e njerëz zgjedhin të udhëtojnë për festa, për tu ribashkuar me familjet e tyre ose për të festuar në një destinacion të ri.
-Grumbullimet familjare mund të shndërrohen në ngjarje stresuese ku është i pranishëm tensioni dhe diskomforti. Kjo varion në varësi të marrëdhënieve familjare dhe aktualiteteve, të cilat mund të ndezin debate.
-Sezoni i parë i pushimeve pas vdekjes së një personi të afërt është tejet i vështirë për shkak se mungesa e prezencës vihet re më shumë në momente gëzimi.
-Zhgënjimi për shkak të pamundësisë për të parë familjen dhe miqtë shoqërohet me rritjen e simptomave të depresionit ku një prej tyre është edhe vetmia.
Sipas Dr.Wetter, pavarësisht se pushimet e festave nuk i përkeqësojnë domosdoshmërish kushtet e shëndetit mendor, ato kanë tendencën të krijojnë më shumë stres dhe mund të shoqërohen me një shterim emocional dhe humbje të dëshirës për të kryer aktivitete, të cilat më parë të jepnin kënaqësi. Është një fakt i ditur që depresioni mund të ndodhë në çdo kohë të vitit, ama stresi dhe ankthi gjatë muajve nëntor dhe dhjetor mund të bëjnë që edhe ata, të cilët mund të jenë të kënaqur me jetën e tyre, të përjetojnë ndjenja të vetmisë dhe mungesën e vetpërmbushjes.
Të kesh ndjesi depresive gjatë pushimeve është një shqetësim shumë real, por i trajtueshëm.
Disa sugjerime për të shmangur simptomat depresive gjatë pushimeve të fundvitit mund të jenë:
-Përpiquni të ruani rutinën tuaj normale sa më shumë që të mundeni.
-Flini gjumë mjaftueshëm.
-Merrni kohë për veten tuaj, por mos u izoloni. Shpenzoni kohë me njerëz mbështetës dhe të dashur.
-Kryeni aktivitet fizik ose provoni të bëni një ecje.
-Krijoni një Listë, e cila i thjeshtëson gjërat.
-Vendosni pritshmëri dhe qëllime të arritshme për aktivitetet e pushimeve.
-Vendosni një buxhet të caktuar financiar për këtë periudhë.
-Dëgjoni muzikë ose gjeni forma të tjera relaksuese.
Është e rëndësishme që në këtë periudhë, e cila mund të jetë akoma më sfiduese për shumë njerëz, t’i ndihmojmë të ndezin dritën brenda vetes duke bërë vepra të mira dhe duke iu gjendur pranë. Gjithashtu, nëse këto simptoma shtrihen në kohë përtej sezonit të pushimeve dimërore, do të ishte e këshillueshme konsultimi me një profesionist të shëndetit mendor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.