FB

October 16, 2021 | 8:08

Majlinda Galica Dibra… Diva e Shkodrës

 

Shkodra më lë gjithmonë mbresa në takimet e mia. Ka kulturë, energji, pozitivitet…, ndjehesh sikur jeton çdo ditë aty, ku njerëzit dinë të të mbajnë me të mira. Qetësinë mikpritëse gjithashtu ta fal lumi i Bunës, i cili në hyrje dhe anësim qytetit duket se i bën më të çlirët shpirtrat shkodranë. Ata janë tepër qytetarë për të të përcjellë një mesazh po kaq të fortë qytetarie që e ke shumë të nevojshme ta dëgjosh në ditë të vrullshme e me intensitet siç ndodh të jetë jeta në Tiranë. Shkodra ka fisnikëri, e këtë e ka ruajtur me fanatizëm në traditën e saj. Brezat e rinj gjithashtu, tregojnë se janë shpirtra të ngjashëm, që nuk i fshihen aspak kësaj vlere, por përkundrazi e japin dhe e dhurojnë me masën e virtytshmërisë që kanë trashëguar nga të parët. Ndaj më pëlqen Shkodra, shkodranët!

Vizita bujtëse e radiografisë së muajit gusht, na dërgoi pikërisht në këtë qytet me një histori banimi mijëvjeçare. Në rrugicën që lidh qendrën e qytetit me pazarin e vjetër, kalldrëmi, shtëpitë e vjetra dhe karakteristike, muret ndarëse me gurë shekullorë, ngacmojnë brenda teje historinë dhe traditat se si janë ruajtur me mjeshtëri këto vlera edhe në ditët që flasim. Rrapi shekullor gjithashtu, 600-vjeçar, dhuron një pamje mahnitëse dhe qetësuese njëherësh për vendasit dhe turistët e shumtë që zgjedhin Shkodrën si destinacion historik dhe kulturor.

E në këtë panoramë të bukur, ka dyqanin e saj dhe personazhi ynë, Majlinda Galica Dibra, diva, siç e thërret e gjitha Shkodra, mjeshtren duarartë të punimeve të ndryshme konfeksione që lidhen me perdet, kuvertat, çarçafët, mbulesat e pecetat e tavolinës, jastëkët e gjumit dhe ato dekorativë, peshqirët dhe aksesorët e personalizuar për çdo klient që zgjedh të punojë me Majlindën. Në rendjen e këtij takimi, që ishte sa prezantues po aq bashkëpunues, (dhe kjo ishte meritë e Majlindës), me syrin sqimatar të një gruaje po pretendoj me shije, i them të zonjës së dyqanit se “ajo që më bie në sy është cilësia e produkteve dhe dizajni i bukur, kaq shijehollë dhe tërheqës. Sepse syri e ha të bukurën me herën e parë, nuk ka nevojë t’i mbushësh mendjen vetes me zor kur ajo nuk bindet nëse nuk vlen.

Në rastin e Majlindës, gjithçka kishte nur dhe pastërti edhe në cilësinë e punimit final të tyre, ku asnjë fije e prerë shkarazi nuk gjendej, apo ndonjë ngecje gjilpëre se nuk ta ka kapur tegelin siç duhej. “Jo vetëm përvoja”, më thotë Majlinda, “cilësia e mallit që blej dhe makineria e fjalës së fundit në bashkëpunim me stafin, më nderon pasionin dhe profesionin tim për të cilin jetoj”.

maj1Edhe pse ditë pushimi, për “Perde Majlinda” ishte një ditë e zakonshme pune. Celulari nuk reshte së rëni, ndërsa Majlinda më thotë se është normale kjo situatë në një periudhë vere, pasi shumë resorte të reja hapen e kanë nevojë për kompletimin e tyre që nga perdet e deri te peshqirët apo mbulesat e tavolinave, restorante të shumtë që gjatë sezonit turistik zgjedhin t’i riciklojnë këto aksesorë të rëndësishëm, hotele që kanë kapacitete dhe gjithashtu rinovojnë ambientet e tyre me këto produkte, por ka gjithashtu dhe shumë të tjerë që përfitojnë nga periudha e pushimit për të ndryshuar modelet e perdeve, kuvertave, çarçafëve e me radhë, për t’i dhënë kënaqësi vetes. Sepse e bukura bën gjithmonë mirë, e këtë nuk duhet t’ia kursejmë vetes.

Perde, kuverta, çarçafë, jorganë, komplete mbulesash, e sipërmbulesash në fund të krevatit, mbulesa tavoline, peceta, jastëkë gjumi dhe dekorativë, peshqirë dhe aksesorë të personalizuar me logon përkatëse, që i nevojiten arredimit estetik të ambienteve familjare, shtëpive të pushimit, resorteve turistike, hoteleve, restoranteve në mbarë Shqipërinë dhe jashtë saj, deri në kufijtë e largët me Amerikën dhe Australinë.

Si lindi ideja për të hapur një aktivitet tëndin?

Përvoja ime ka nisur fillimisht me shërbimet në rrobaqepësi, me veshje, me kostume, fustane, pallto, kapela. Më pëlqente shumë të krijoja veshje femërore. Ky pasion më dha dorë të krijoja pafund, aq sa të merrja pjesë në sfilata që zhvilloheshin në Teatrin Migjeni. Sukses padyshim për mua ka qenë pjesëmarrja në sfilatën “Miss Europa” që u zhvillua në Tiranë në tetor të vitit 1996. Në bashkëpunim me të madhen Vera Grabocka, shpalosa talentin tim duke qepur xhubletat e Malësisë së Madhe. Atje prezantova artizanatin në kostumet popullore, të cilat kishin kosto të madhe në punën e dorës. Pas kësaj sfilite pata një dyndje klientësh dhe kërkesash, të cilat sa vinin e rriteshin, por gjithashtu pata dyndje kërkesash edhe nga hotelet, restorantet, lokalet. Mesa duket kishte ardhur koha që unë të nisja një kapitull të ri. E kështu lindi “Perde Majlinda”.

Të rritesh në profesion është shumë e rëndësishme, por paralel me detyrimet që ka një grua në Shqipëri, si ia dilni?

Sa është e rëndësishme, aq është edhe e vështirë. Të jesh një nënë e dy fëmijëve, grua e një bashkëshorti, familjare e rregullt, amvisë por të jesh edhe biznesmene është shumë e më shumë e vështirë. Kur i kisha fëmijët e vegjël, bashkëshorti më rrinte pranë e më ndihmonte me rritjen e tyre, pa përjashtuar kujdesin e prindërve të mi, ndjesë pastë të babait tim, i cili më ka ndihmuar jashtë mase, por edhe të mamit, që e uroj me shpirt të më bëhet njëqind vjeçe, sepse pa ata nuk do isha këtu. Kam pasur raste që kam punuar një muaj larg shtëpisë, dhe kjo është një sakrificë e madhe. Por falë kësaj ndihme të çmuar dhe dëshirës për të çuar lart punën time, besoj ia kam dalë!

maj3Të mungon ajo energji që ke pasur në fillim?

Nuk më mungon, madje çdo ditë sa vjen e rritet më shumë. Kënaqësia e punës më jep adrenalinë. Është fuqia dhe motivimi i arritjes së gjërave, duke lënë pas çdo lloj barriere që mund të më shfaqet rrugës.

Sa ua ke transmetuar fëmijëve pasionin dhe profesionin tënd?

Më kujtohet kur kisha djalin, Azrin, 7 vjeç e kam vendosur në makinën qepëse që ta mësonte. Atij nuk i arrinin këmbët dhe unë i vendosja një jastëk për ta nxitur të bënte për vete një profesion që unë e dashuroja. Ai sot qep shumë mirë dhe më ka ndihmuar shumë, ndërsa vajza, Mersi, studente në arkitekturë, na ndjek në hapat tanë për të na ofruar idetë e saj në punën tonë. “Perde Majlinda” do të jetë trashëgimia që do ta ndjekin pas fëmijët.

Për t’u ndalur te biznesi, si ia bën për përzgjedhjen e materialeve cilësore, gjetjen e një produkti të mirë, të veçantë?

Është kjo që po ju tregoj rruga e suksesit. Duke pasur mundësinë e ikjes dy herë në vit në Amerikë tek djali im, e shfrytëzoj këtë mundësi dhe përzgjedh falë edhe Azrit, materialet më unike. Dhe ajo që sjell në “Perde Majlinda” bën me të vërtetë diferencën. Kjo ka bërë që një klient të më sjellë si porosi 10 apo 20 të tjerë nga kënaqësia për produktin.

Të ka dhënë mundësi perëndimi që të përfitosh?

Patjetër që po. Kam pasur bashkëpunime me drejtorë, kam pasur oferta, kam punuar dhe nëpër gradacela që janë buzë liqenit, në kufi me Kanadanë. Nga përvoja që kam ndarë jashtë kufijve, jam shumë e kënaqur me punën time, por gjithmonë më thërret vendlindja ime. Nuk bëj dot pa të. Për mua nuk është çdo gjë paraja kur shpirti është bosh!

Sa e vështirë është të merresh vetë me gjithçka?

Është e vështirë, jo me tregun sepse unë sjell tendencën e perëndimit, marr gjithmonë të veçantat, mallin më cilësor, por është ngopur gjinia femërore nga malli i tregut dhe gjithmonë synojnë më të renë, më të bukurën, më cilësoren. Linonë e temperuar jam unë e para që e kam sjellë në Shqipëri nga Amerika, është një ndër copat më të mira, që nuk ka nevojë për hekur, e për asgjë. E kështu plot asete të tjera të cilat ma bëjnë punën edhe më të bukur.

Aksesorët, një tjetër detaj final i kurimit estetik të ambienteve të mbyllura…

Jam munduar t’i gjej pikantë. Ne tregtojmë kuverta të gatshme, por edhe ato me porosi që i bëjmë enkas për krevatë ekstra large. Sepse nuk janë më si dikur 180x210cm por më të mëdhenj. I jemi përshtatur tregut në bashkëpunim me djalin në Amerikë, kam sjellë makinerinë e fundit që bën gjithë procesin e nevojshëm, teknologji risi e vitit 2020. E nxjerrë punimin në final perfekt. Patjetër që janë edhe kujdesi, mbikëqyrja, teknologjia dhe bashkëpunimi me stafi dhe familjen që ka qenë mbështetëse dhe shtytëse e madhe.

maj2Momentalisht ke përfunduar tre hotele?

E veçanta e punës time është përshtatja e ambienteve dhe kompletimit sipas terrenit ku ato zhvillojnë aktivitet. Në Alpet Theth për shembull, është bërë një punë kolosale duke filluar nga perdet. I jam përshtatur zonës malore, duke zgjedhur copë pambuku me endje, një thurje e rrallë, gjithçka druri e përshtatur me jastëkë, çarçafë, jorganë, shtresa jorganë për kuverta, jastëkë dekorativë mbi çarçafë me logon e tyre, peshqirë, rrobdëshambër, të gjitha të personalizuara me logo. Jam si të thuash një arkitekte e veshjeve.

Më përmende bashkëpunimin me Vera Grabockën, por cilat janë disa punime të tjera që kanë mbetur në kujtesë e do të doje t’i riktheheshe për kënaqësinë tënde?

Në kohën e sfilatave ishte e vështirë të punoje sepse tranzicioni, panjohuria bënin të vetën. Por me ato pak mundësi që na siguroheshin, përpiqeshim të përfitonin dije. Fshehurazi ndiqnim kanalet e huaja, ndërsa kam pasur gjithashtu fatin që falë njerëzve të nënës time në Sarajevë, Gjermani apo Amerikë, më dërgonin ndonjë revistë mode, e cila ishte një dritare e hapur për mua. Ajo që do mbaj në kujtesë gjatë dhe ua them shpesh fëmijëve, është që në moshën 9-vjeçare kam mësuar grepin me çik, grepin, shtizat, punime sot në zhdukje. Madje kur jam martuar, vajzat e lagjes u mahnitën nga paja ime e punuar e gjitha nga vetë unë me grep, punë dore me kryq, qëndisje dhe makinë qepëse. “Po ç’i ke lënë të tjerëve moj gocë” më thoshin, “lëndën e parë”, ua ktheja unë. I ruaj me fanatizëm ende këto mjete të punës me dorë si me çikun me këllëf druri. I ruaj për nostalgji, jo se kam kohë të punoj. Por, nganjëherë kur shkoj diku me pushime, e marr me vete, të paktën atëherë mund të kem kohë.

Sa punime të realizuara numëron në aktivitetin tënd?

Unë kompletoj dhe arredoj shumë. Njohuritë e shkollës kanë bërë punën e vet. Kam pasur fatin që lëndën e “Vizatimit Teknik” të ma jepnin e madhja, profesoreshë Sadije Çanga dhe profesoreshë Akile Shoshi Shurdha, ua dedikoj atyre që më kanë nxjerrë në jetë, që më kanë ndihmuar të arrij këtu ku jam sot. Sepse perdja kur del nga dora ime, është precize.

maj4

I beson fatit në gjithë rrugëtimin tënd, përveç talentit?

I besoj, por është në dorën e personit, sa kërkon, aq fat merr. Çfarë të shohësh me syrin e mirë, ashtu do të vijë dhe do të shpërblehesh.

Punimet tuaja shtrihen në mbarë Shqipërinë, por edhe jashtë kufijve. Po Shkodra sa vend zë?

Padyshim që Shkodra zë vendin më të madh të punëve, pastaj vijnë Tirana, Vlora, Saranda, vilat te Gjiri i Lalzit ku kam shumë kërkesa.

Pse ju thërrasin Diva e Shkodrës?

Jo rastësisht, sepse kanë mbetur të kënaqur nga puna, dhe shprehja që më gëzon pa masë është: “Ua çfarë perdesh kam marrë nga Majlinda, ti je Diva e perdeve”.

Të emocionon kjo gjë?

Padyshim që fjalët e mira, pozitive janë shtysë për të ecur i sigurt në jetë, në profesion. Kam qepur edhe më përpara, por me risitë që kam sjellë në “Perde Majlinda” marrë shumë lëvdata. Aktualisht po punoj shumë me Tiranën, e cila është bërë shtëpia ime e dytë.

Bashkëpunoj gjithashtu me shtëpi, kam në dorë një hotel, në bashkëpunim me një arkitekte. Më e gjithë kjo më bën të lumtur, më jep fuqi për të punuar. Kam sodisfaksion kur klienti më pëlqen punët, saqë u them fëmijëve që, do të doja të isha 20 vjeçe që të punoja me ritmin e 20-vjeçares. Jam e kënaqur me klientët, kam pasur fat. Kam mjaft artistë të mirë, politikanë. Edhe fëmijët e mi kanë marrë nga puna jonë, e imja dhe bashkëshortit, sepse kur shohin prindër punëtorë, fëmijët marrin modelin e tyre.

maj5

Shkon paralelisht çmim-cilësia?

Natyrisht që po. Dhe jua them me bindje se konkurroj me cilësinë e parë. Në të gjithë Shqipërinë bëjmë dërgesa me postën Tedex, sipas përmasave të dërguara nga klientët kudo ndodhen. Madje bëjmë dërgesa edhe në Kosovë, si dhe në Europë, Belgjikë, Angli, Zvicër, Amerikë, Gjermani etj.

Mesa duket e ardhmja do të jetë një trio bashkëpunimi mes jush dhe fëmijëve?

Djali, Azri, i cili për një jetë më të mirë u shpërngul në Amerikë, ka kompani ndërtimi atje, Mersi studion në arkitekturë, ndërsa arredimi dhe modelimi nga unë dhe bashkëshorti. Kemi bërë trekëndëshin e Bermudës. Bizneset familjare jetëgjata kanë ecuri. Kemi pasur faktikisht dhe ule-ngritjet tona, por ia kemi dalë!

Ju vetë e keni menduar të shpërnguleni në një të ardhme pranë djalit?

Atje më janë dhënë shumë variante për punë, por më dhimbset puna ime disavjeçare në Shkodër. Kam mbi tridhjetë vjet në treg dhe ta lë punën që e kam nis nën zero dhe kam arritur majën, e të filloj atje nga e para, nuk shkon. Atje kam familjarët e mi, shkoj dy herë në vit, marr pjesë nëpër panaire, në ekspozita. Përfitoj gjatë qëndrimit për tendencat e fundit, por kurrë për t’u zhvendosur atje.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 158

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top