T’u tregosh fëmijëve për një ndarje është një nga momentet më të ndjeshme dhe të vështira që mund të përjetojë një prind. Kërkon ndjeshmëri, përgatitje dhe aftësinë për të lënë mënjanë konfliktet personale, për t’u përqendruar tek ajo që është më e rëndësishme: mirëqenia emocionale e fëmijëve.
Psikoterapistja Chiara Recupero thekson se ndarja është një kohë e ngarkuar emocionalisht për të gjithë anëtarët e familjes. Prindërit duhet të pranojnë këtë realitet dhe, pavarësisht ndarjes si çift, të ruajnë rolin e tyre si prindër të përkushtuar dhe të dashur. Komunikimi me fëmijët duhet të jetë i përbashkët, i qetë dhe i mirëkoordinuar. Të dy prindërit duhet të jenë prezentë dhe të jenë të qartë për atë që duan të thonë. Mesazhi më i rëndësishëm është se fëmijët nuk janë fajtorë dhe se, ndonëse mami dhe babi do të jetojnë ndaras, dashuria për ta nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Fjalët duhet të jenë të thjeshta, të kuptueshme për moshën e fëmijës. Pyetjet dhe emocionet e tyre janë legjitime, qoftë trishtimi, qoftë zemërimi apo konfuzioni. Prindërit duhet të japin siguri, të dëgjojnë dhe të pranojnë emocionet pa gjykim.
Shpesh, fëmijët mund të pyesin: “Pse po ndaheni?” Këtu këshillohet të mos futen në detaje të dhimbshme apo faji, por të jepet një shpjegim i thjeshtë, si: “Nuk po kuptohemi më si më parë, dhe kemi vendosur të jetojmë veç, por kjo nuk ndryshon dashurinë tonë për ty.” Është shumë e rëndësishme që fëmijët të dinë çfarë do të ndodhë më tej: ku do të jetojnë, kur do të takojnë secilin prind, si do të vijojnë shkollën dhe aktivitetet. Këto detaje praktike ndihmojnë në uljen e ankthit dhe ruajtjen e ndjenjës së sigurisë.
Reagimet ndryshojnë sipas moshës, fëmijët më të vegjël kërkojnë qartësi dhe thjeshtësi, ndërsa adoleshentët mund të kërkojnë biseda më të thella dhe të ndihen të përfshirë emocionalisht. Një tjetër element i rëndësishëm është shfaqja e ndjenjave nga prindërit. Është në rregull të tregosh trishtim, për aq kohë sa ruhet ekuilibri emocional dhe fëmijët nuk ndihen të ngarkuar apo përgjegjës për gjendjen e prindërve.
Ajo që nuk duhet bërë kurrë është të fajësosh prindin tjetër, të bësh fëmijët të ndihen fajtorë apo të jepet shpresë për një ribashkim të afërt, nëse kjo nuk është reale. Fëmijët kanë nevojë për qëndrueshmëri dhe për të ruajtur një imazh të shëndetshëm të të dy prindërve.
Në fund, rutina e përditshme, shkolla, aktivitetet, shoqëria, duhet ruajtur sa më shumë që të jetë e mundur. Ndryshimet e mëdha janë stresuese për fëmijët, ndaj vazhdimësia është thelbësore.
Të flasësh për ndarjen nuk është kurrë e lehtë, por mund të bëhet me respekt, ndershmëri dhe dashuri. Dhe kjo dashuri, ajo për fëmijët, është e vetmja që duhet të mbetet e pandryshuar, pavarësisht gjithçkaje tjetër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.