Maria Antonia Braile ka lindur në fshatin e De Radës në Shën Dhimitër Korone të Kalabrisë, më 13 korrik 1894. U nda shpejt nga kjo jetë, në vitin 1917. Poetja arbëreshe është një nga zërat e parë ku tingëlloi pena e gruas. E kam quajtur kështu sepse, në atë kohë, jeta për gruan ka qenë krejtësisht e zbrazët dhe e errët. Ishin kohë shumë të vështira edhe për femrën shqiptare. Talenti dhe aftësitë e Marias ishin dënuar dhe destinuar të zhdukeshin, të fshiheshin dhe të qëndronin përherë në hije. Shumë nga këto talente gjenin shteg për të shpërthyer në folklorin popullor si në këngët e popullit, në poezinë e popullit, gojëdhënat, ku shpesh autori mbetej anonim dhe shkrihej me të. Ky ishte fati i tyre, që talenti të tretej e zhdukej pa u shfaqur. Nuk mund të dilnin si individualitete të veçanta artistike.
Antonia mbetet pjesë e botës shqiptare. Poezia e saj ishte e thjeshtë dhe melankolike, por shumë shpirtërore. Ajo ka hyrë në histori si poetja e parë e botës shqiptare. Poetja dhe studiuesja Klara Kodra nënvizon faktin se, mbi të gjitha, vlera e krijimtarisë së saj qëndron në të qenit grua. Duke u bazuar në kujtimet e saj vajzërore gjetëm një mesazh shumë të bukur, si vetë vajza, plot me freski shpirtërore dhe me një pranverë përherë në lulëzim. Por vdekja e shpejtë ia këputi në mes krijimtarinë. Por, nga kërkimet e bëra
prej qarqeve të Diasporës, u gjend një përmbledhje e thjeshtë me vjersha e titulluar “Canti” (Këngët). Fatkeqësisht ky libërth nuk pati jehonë as në atdheun e të parëve, por as në mjediset arbërore. Shkrimet e saj u botuan nga i vëllai, i cili ishte edhe ai poet. Quhej Salvatore Braile, me një individualitet të veçantë krijues e të ndryshëm nga të tjerët.
Libri i Antonias ka mbetur një dokument me vlerë të madhe, si historike ashtu dhe letrare. Ky vëllim përbëhet nga gjashtë pjesë. Poezia e saj është shumë e ndier dhe ëndërrimtare. Duke parë poezitë e bashkëkohësve të saj, ajo qëndron larg letërsisë me stil tradicional. Pjesa më e madhe e poezive përbëhet nga lirika intime. Maria Antonia trajton poezi me temë patriotike, filozofike, erotike etj. Aty ka lirikë intime, guxim dhe shumë sinqeritet në shprehje të ndjenjave. Ishte koha kur në përgjithësi poetët kishin përballë poetin e tyre idhull dhe arrinin deri atje sa i fshihnin ndjenjat e tyre duke ua atribuuar personazheve. Por ajo ishte ndryshe, kishte individualitetin e saj. Mbi të gjitha kishte vlera se ishte femra e parë poete e botës shqiptare. Ajo i këndonte me shumë dashuri nënës. Në një elegji që bënte fjalë për vdekjen e birit të saj të vogël, shpreh dashurinë për jetën dhe dëshpërimin që po e humbet në lulen e moshës tek “E kuqja e sëmunit”. Për herë të parë në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare, ajo ngre zërin si grua kundër luftërave të padrejta në poezinë “Për luftën”. Fjalët që ajo ka përdorur në këto vargje janë si një mori ngjyrash akuareli plot me gëzim dhe hare. Në vargje dallohet çiltëria prekëse dhe freskia e aromës pranverore që ajo përhap. Në krijimet e saj, Antonia kishte thurur një paralelizëm sa të thjeshtë aq edhe tronditës, por edhe tërheqës. “Kurmin tënd të ha ajo botë…” një simbol shumë i goditur, i gërshetuar
me një antitezë, te “Lulja e sëmurë”, ku trëndafili lëngon në mes të kopshtit të lulëzuar, mjeshtëri e përdorur në simbolin që përfaqëson trëndafili, rininë dhe etjen e autores për jetën që po ikën; fishkja e tij e ngadaltë, sëmundja e rëndë dhe e pamëshirshme që po e gërryen dhe po i këput jetën heroinës lirike, poetes sonë. Lulet e tjera janë simbol i vajzave dhe djemve të rinj që kanë fatin e bardhë ta jetojnë e ta gëzojnë jetën. Pra, antiteza që ekziston te vjersha përforcon idenë e saj: vdekja është përherë e tmerrshme, por sidomos kur ajo të merr në rini, kur ende nuk e ka zbrazur me fund kupën e ëmbël të gëzimit, kur ende nuk i ka shpalosur dëshirat dhe ëndrrat. Vjersha pikon pikëpikë
dhimbje, lot, por nuk e mallkon jetën, por i thur himn asaj. Mbetet tejet njerëzore dhe shpirtërore në dramatizimin e saj. Te vjersha “Për Dukagjinin” mjaftojnë tre vargje për të vizatuar një portret fëmije me sy të lodhur nga dhimbja : “Rri te froni
Dukagjini” (Me ato syçka dhembje plot/vështron zjarrin që është shuar). E gjithë forca e përshkrimit qëndron te mjeshtëria e përshkrimit të syve, që janë pasqyra e shpirtit.
Duke e dhënë në gjuhën shqipe humbet forca dhe bukuria e fjalës. Në gjuhën arbërisht ka tjetër emocion: të hejlmuar, plot helm. Plot dhimbje, plot hidhërim. Ky epitet tregon diçka të veçantë për një fëmijë, karakteristikat e natyrshme të të cilit janë gëzimi dhe hareja. Por pjekurinë e parakohshme që ia japin fëmijës së vogël rrethanat e jetës, janë
përshkruar me shumë emocion dhe shpirt.
Gjashtë ishin poezitë e jashtëzakonshme të Maria Antonia Braile-s që i vunë firmën dhe vulën e padukshme talentit dhe frymëzimit të saj të padukshëm. Një talent që u këput në mes si një nga trëndafilat e vjershave të saj palulëzuar. Por talenti i saj premtonte shumë. Ishte zëri i saj i rrallë, i vetëm femëror, që guxoi të shfaqte këtë nevojë të brendshme për të shprehur hapur ndjenjat dhe mendimin e saj artistik nëpërmjet vargjeve magjike që krijoi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.