Lifestyle

June 28, 2017 | 12:29

Monika Molloholli: Artistja që nuk njeh caqe, së bashku me producentin e njohur të Rai 3, fjalori katërgjuhësh, ku shqipja do të ketë rolin kryesor

“Artisti nuk ka fre…” Ky është përshkrimi më i mirë që Monika Molloholli jep për veten e saj. Një mësuese në profesion, një emigrante që duhet të përmbushë nevojat edhe me punë jashtë profilit, dhe në shpirt, një artiste e lindur. E apasionuar pas pikturës dhe artit në përgjithësi, ajo rrëfen për revistën “Psikologjia” këtë përvojë personale të saj, duke i vendosur gjithaq një meritë të lartë sa i takon iniciativave të ndërmarra, edhe pse një e huaj jashtë kufijve të vendit.

Monika Molloholli

Monika Molloholli

 Znj. Monika, kur keni filluar të pikturoni?

Kam filluar të pikturoj që në vogëli. Pikturoja shpesh në copa letrash ose në kartonë me lapsa si dhe me copëza qymyri, me aq mundësi të pakta siç ishin në ato vite të komunizmit në Shqipëri. Që në moshë të vogël, frymëzimin rreth artit të bukur të pikturës e mora nga xhaxhai im, piktori  i njohur elbasanas Z. Hilmi Molloholli,  i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në moshë të re. Mund të them me plot fjalë që ai ka qenë edhe mësuesi im i parë dhe frymëzuesi im drejt pikturës. Me penelat e tij me bënte të futesha thellë në ëndërrime. Falë tij kam mësuar shumë gjëra rreth pikturës dhe ngjyrave me të cilën shpaloset ajo.

 Çfarë e bën punën tuaj unike?

Punën time unike e bën fakti që jam tepër e apasionuar pas pikturës, pas artit në përgjithësi. Piktura është një sfidë e përditshme me dijen universale të artit, me arritjet e nivelet më të larta të artistëve bashkëkohor. Dëshira për të mësuar çdo ditë diçka të re është kënaqësi e papërshkueshme. Piktura është një mrekulli, që kërkon shumë mund për të qenë e tillë, për gjatë gjithë jetës. Për mua pjesa më sfiduese e të qenit piktore do të thotë që ta ndjekësh pikturën në studimet më të rëndësishme të kritikës, eksperiencat e galeristëve dhe në intervistat e vetë artistëve më të mirë bashkëkohorë. Piktura  është një proces i gjatë, që zhvillohet dritë mbi dritë derisa të mbarojë dhe të ketë një shpirt të vetën.

Cila është pjesa më sfiduese e të qenit piktore?

Sa herë që filloj të pikturoj, përpihem e tëra nga ngjyrat e larmishme të saj, sepse tek ngjyrat unë gjej harmoninë, larminë, kontrastin e një pikture. Që në vogëli kam studiuar edhe kitarën me profesorin e shquar elbasanas Eduart Zdrava (të cilën vazhdoj ta ushtroj ende). Ashtu siç akordet e kitarës kanë dy tone: tone të ngrohta e të ftohta, ashtu e krahasoj edhe pikturën. Ndërsa harmonia për mua do të thotë: Baza e teorisë së ngjyrave.

Çfarë e frymëzon më së shumti punën tuaj?

 Frymëzimi  për mua është tek energjia që dedikohet për të konkretizuar një projekt. Frymëzimi sipas meje merret në jetën e përditshme, në raportet social-kulturore, frymëzimi është në çdo detaj të natyrës njerëzore dhe prej saj mund të nxjerrim një pafundësi imazhesh, mendimesh dhe përshtypje, pra e gjithë natyra humane frymëzohet përditë nga një ose pafundësi sinjalesh. Magjia e artit na transmeton një pasion të jashtëzakonshëm, pasi neve na ngjan se personazhi që na shfaqet përpara pulson ndjenjë, se ai ka histori, se ai vjen nga diku për të na thënë diçka mbi jetën, luftërat, botën e mbi të gjitha dashurinë.

Arti është shumë subjektiv. Disa njerëz e pëlqejnë, të tjerët jo. Si kanë qenë reagimet ndaj artit tuaj?

Është e vërtetë që vetë fjala art do të thotë subjektivitet. Disa njerëz mund ta pëlqejnë e disa të tjerë jo. Kjo varet thjesht nga shijet dhe ndjenjat që ka njerëzia. Shpeshherë jam hasur edhe me kritika të këtij zhanri. Megjithatë, i kam mirëpritur dhe i mirëpres gjithmonë kritikat nga njerëz të talentuar të artit dhe pse jo, edhe nga njerëzit e thjeshtë. Kritika për mua do të thotë: “Detyra ime kryesore është që të mos shikoj në largësinë e mjegullt të së ardhmes, por të veproj në drejtimin që e shoh”. Kritika më bën që të jem një dëgjuese e mirë e të nxitem për t’u përmirësuar më tej. Kritika është mënyrë e reagimit, e cila për të gjithë është e tepërt. Të gjithë e kanë në rezerva dhe e shpërndajnë, falas, e kërkoi kush apo jo. Ndërsa kritika e padrejtë për mua do të thotë një kompliment i fshehur.

Keni ndonjë artist nga i cili frymëzoheni?

Sigurisht, secili nga ne ka muzeun e tij imagjinar, ka preferencat e tij ndaj pikturës, figurative apo abstrakte, ka autorët  e tij të preferuar. Mund të them se preferoj më tepër autorët e Renesances italiane me  treshen e famshme: Da Vinci, Michelangelo e Raffaello, piktorët flamandë me Rembrandt, Brughel e Vermeer, ato spanjollë me Goya, El Greco etj, edhe atë franceze me Chagall e Picasso pa harruar njëkohësisht edhe piktorët e mi të preferuar Van Gogh e Renoir.

Ju jeni mësuese në profesion. Si ndikon profesioni në pasionin  tuaj për artin dhe anasjelltas?

Edhe pse ndodhem në Itali, profesionin tim të bukur rreth mësimdhënies nuk e kam lenë pas dore. E  ushtroj atë çdo ditë. Por si të gjithë emigrantët kam hasur edhe këtu ku jam në vështirësi të vazhdueshme, megjithatë nuk jam thyer asnjëherë para vështirësive të jetës. Dita ime e punës ndahet në dy pjesë të saj. Paraditeve punoj në një fabrikë, ndërsa pasditet e mia ia përkushtoj arsimit, pasi jap mësime në një shkolle (gjimnaz) nate. Gjithashtu rreth arsimit punoj njëkohësisht edhe me producentin e njohur të Rai 3 , Roberto Casiraghi, me të cilin jemi duke publikuar së shpejti jo vetëm online një fjalor në katër gjuhë të botës, ku edhe gjuha jonë e bukur shqipe do të ketë rolin e saj kryesor.(Fjalor anglisht-gjermanisht-italisht dhe shqip). Për mua  artisti nuk ka limit, nuk ka fre, nuk njeh mure moralesh apo caqe dogmash, artisti luan me ëndrrat, dëshirat, egot, errësirat dhe dritat që çdo njeri mbart në vetvete. Të jesh artist do të thotë dhuratë e krijuar nga  Zoti.  Motivet e pikturave të mia janë kryesisht natyra, portretet dhe kujtimet e fëmijërisë. Por, shpeshherë nxitem edhe nga vajza ime Viola (6 vjeçe), e cila më frymëzon edhe me historitë e saj fëmijërore. Kam pasion edhe portretet e shumë filmave vizatimorë (natyrisht i bëj për të kënaqur vajzën time). Kohën time të lirë e kaloj me pikturën, poezinë dhe përkthime nga gjuhët e huaja pa lënë pas dore edhe muzikën (kitarën time të preferuar), e cila është pasioni im.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top