Mëso se si të ndërtosh dhe mirëmbash një marrëdhënie të thellë, të dashur dhe të qëndrueshme me personin më të rëndësishëm në jetën tënde – që je TI!
Çfarë ruhet brenda teje?
Një këshilltar i madh tregoi një herë një histori: “Imagjinoni një bucelë të madhe, plot me vaj. Çfarë do të rridhte prej saj, nëse dikush do të shponte në njërën anë një vrimë?’ Normalisht, vaj. “Çfarë do të rridhte, nëse ajo do të ishte e mbushur plot me ujë?” Normale, edhe në këtë rast, ujë. Përfytyrojeni vetëdijen tuaj si një bucelë të mbushur me gjithfarë ndjenjash dhe mendimesh, që janë tani në mendjen tuaj. Imagjinoni, pra, sikur vetëdija juaj është e mbushur me dashuri, inat, dhimbsuri, keqardhje … E më pas mendoni sikur dikush vjen drejt jush dhe ju bën një pyetje tendencioze. Çfarë do të rrjedhë? Në mënyrë të pashmangshme dashuri, inat, dhembshuri, keqardhje… E kuptoni forcën e asaj që është në bucelë, – në mendjen tuaj në këto momente? Kombinimi i dashurisë, inatit, keqardhjes, dhembshurisë ekzistojnë përpara ngjarjes. Prandaj që bucela juaj të jetë e pastër me ujë të kulluar, duhet që të mbushet dhe të tregohet kujdes çdo ditë. Çdo ditë duhet të shikojmë se çfarë po ndodh brenda bucelës sonë.
Nëse dëshiron të ndryshosh mënyrën se si të tjerët të trajtojnë ose të ndiheni të lumtur, atëherë në radhë të parë, duhet të ndryshojë mënyra se si e shihni veten. Duhet të mësojmë se si të duam dhe pranojmë veten plotësisht ashtu si jemi, si të trajtojmë veten me dashuri, dhembshuri, respekt, mirësjellje bujari dhe mirësi. Ajo që shumë njerëz nuk e kuptojnë është që askush nuk mund të ketë një marrëdhënie të mrekullueshme me dikë tjetër nëse nuk ka arritur të krijojë një marrëdhënie me veten. Le të përballemi me të vërtetën; marrëdhënia më e rëndësishme që kemi është me veten.
Megjithatë, shumë njerëzve u është mësuar që të vegjël se të vësh veten të parën, është e gabuar – kjo të bën egoist. Kujdesi i parë që tregohet për veten është njohja e saj. Ne mund të mendojmë se e njohim veten sepse dimë emrin tonë, moshën, gjininë, profesionin e kështu me radhë, por pyetja është sa në kontakt jemi më ndjenjat, emocionet, dëshirat, dhimbjet, mendimet që vijnë dhe largohen, sjelljen në një moment apo tjetrin …
A i kushtojmë kohë vetes sonë? A ndalojmë gjithçka dhe shpenzojmë disa minuta me veten, duke menduar vetëm për VETEN? Sa momente të tilla i kushtojmë gjatë një dite? Sa herë ulemi dhe pyesim veten se përse ndihem i lumtur, i gëzuar, i trishtuar tani apo pak momente më parë?
Brenda secilit prej nesh ka një pjesë që e di se çfarë është më e mira, por për fat të keq, sot shumë njerëz janë kapur deri në çmendurinë moderne të kulturës sonë, në garë me kohën, duke injoruar të gjitha shenjat paralajmëruese që na jep trupi, lodhja mendore, stresi, se pse kemi dalë jashtë rrugës. Duhet të ndalojmë për një moment dhe të dëgjojmë zërin që vjen nga brenda nesh – dhe të respektojmë veten: për një start të mirë duhet t’i dhurojmë vetes disa minuta çdo ditë dhe ndryshimi do të ndihet menjëherë. Disa minuta relaksim, qetësi, meditim, vetë- hipnozë, yoga, frymëmarrje… disa minuta në ditë duhet të qëndrojmë vetëm me veten. Kur fillojmë të trajtojmë veten më me respekt, atëherë do të ndjejmë se edhe të tjerët do të ndryshojnë mënyrën e perceptimit për ne. Në qoftë se ne “varrosim” interesin tonë në favor të dikujt tjetër, situata zakonisht vjen duke u përkeqësuar. Për të shmangur një problem të madh më vonë, mos harroni të kujdeseni për veten TANI. Të duash veten do të thotë të besosh në aftësitë e tua dhe të kujdesesh për çdo aspekt të saj. Të duash veten është mënyra më e mirë për të mësuar se si të duash të tjerët. Dashuria është një veprim që kërkon mirëkuptimin e caktuar, aftësi dhe kapacitete. Duke praktikuar se si të duash veten, trajnohesh për nivelin tjetër të dashurisë. Vetëm kur të kesh mësuar se si të tregosh kujdes për veten, atëherë di se si t’u japësh vëmendje të tjerëve; kur të besosh se sa vlerë ke, atëherë mund t’i dhurosh afeksion dikujt tjetër. Arti i të dashurit të vetes fillon me vetëpranimin. Ne fillojmë të duam veten kur ndalojmë së refuzuari dhe fillojmë ta pranojmë në nivelin e ndjenjave. Kur pranojmë ndjenjat tona ashtu si janë dhe ashtu si i përjetojmë tani, do të fillojmë të përjetojmë ndryshime reale në vetëdije. Nëse nuk përpiqemi të gjejmë zgjidhje në botën jashtë nesh, por të përqendrohemi te vetja, te bota jonë e brendshme shpirtërore, te ndjenjat dhe ndjesitë tona, do të fillojmë të ndjejmë përmbushje.
Duke “mirëpritur “ dhe respektuar të gjitha ndjenjat tona, jeta bëhet më e shenjtë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.