Në fokus

February 7, 2020 | 8:11

Marrëdhëniet e gjata ‘shërojnë’ mendjen, kulti i “çiftit ideal”

Në ditët e sotme, të kesh një marrëdhënie të lumtur dhe afatgjatë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Jetojmë në një kohë ku ka më pak martesa, më shumë divorce dhe njerëz që bashkëjetojnë.

Njerëzit duan të jenë në shoqërinë e dikujt, duan një marrëdhënie të lumtur dhe afatgjatë, por nuk ia kanë idenë se si ta mbajnë fort dhe ta ushqejnë ditë pas dite. Mund të jetë problem fakti se nuk e kuptojmë si duhet se si zhvillohet një marrëdhënie ideale, sepse shembujt janë gjithnjë e më të pakët.

1

Prindërit tanë a ishin “çifti ideal”, duke pasur parasysh këtu vështirësitë dhe mentalitetet e kohës? Miqtë apo familjarët përjetojnë marrëdhënie të lumtura dhe afatgjata? A na ndihmon shoqëria të kuptojmë se çfarë nevojitet për të ndërtuar marrëdhënie të tilla? Për fat të keq, përgjigjja për të gjitha këto pyetje është pothuajse gjithmonë negative, pasi stereotipi i një marrëdhënie të lumtur nuk lidhet domosdoshmërish me vitet e kaluara së bashku.

Thonë që dashuria nuk është për gjithë jetën, por ndryshojmë në mënyrën e të perceptuarit apo ndryshon intensiteti i ndjenjave dhe pikërisht në këtë pikë nuk dimë si ta “përkthejmë” këtë ndryshim.

Të mbash në këmbë një marrëdhënie të lumtur, edhe kur ka kaluar faza e parë e lidhjes, është e nevojshme të mësoni dhe të bashkërendoni dëshirat tuaja me ato të partnerit. Duhet të gjeni kohë për partnerin, për t’u larguar nga rutina e përditshmërisë, puna, shkolla etj. Nëse këto bëhen shkak për ndonjë qejfmbetje të vogël, mund ta surprizoni me një dhuratë.

Puna është prioritet, por të njëjtën rëndësi duhet të ketë dhe personi që keni zgjedhur, ndaj mos e lini asnjëherë pas dore. Miqësia dhe besimi janë thelbësore që një marrëdhënie të funksionojë më së miri. Mos u përqendroni ekzkluzivisht te vetja, por mësoni ta dëgjoni partnerin, duke mos e ndërprerë teksa flet dhe mundohuni të përgjigjeni me tonin e duhur. Ai pret përgjigje dhe, nëse duhet të jepni një këshillë, mos impononi asnjëherë mendimin tuaj: një këshillë nuk është urdhër. Duhet të keni parasysh se në jetën në çift nuk duhet të ekzistojnë sekrete, ndaj në qoftë se keni ndonjë gjë të pathënë është mirë ta rrëfeni, pasi më vonë mund të jenë shkaku i grindjeve dhe diskutimeve të pafundme.

1

Surprizat dhe romanca nuk duhet të mungojnë asnjëherë në mënyrë që marrëdhënia të jetë e lumtur. Mund ta lumturoni partnerin në shumë mënyra: një gjest që nuk e pret ose një darkë. Ju e njihni më mirë dhe dini si ta gëzoni, ndaj filloni që tani. Romancën mund ta vini në përdorim qoftë edhe te gjërat e vogla, por ndonjëherë të mjaftueshme për të dhuruar kënaqësi.

Nuk ka gjë më të bukur se sa një ditë e nisur me puthje apo fjalë të ëmbla. Edhe nëse lidhja juaj është e gjatë dhe keni fëmijë, gjestet e vogla nuk e humbin asnjëherë rëndësinë. Duhet të keni parasysh se fëmijët kanë nevojë për përkujdesje, por nuk duhet të përthithin të gjitha energjitë e prindërve. Ndonjëherë është e nevojshme t’ua besoni gjyshërve apo dikujt që keni besim dhe të dilni së bashku me partnerin për një darkë, apo për të parë një film në kinema.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, xhelozitë absurde janë shfarosëse. Është shumë e vërtetë që pak xhelozi në çift bën mirë, por mos e ekzagjeroni asnjëherë dhe mbi të gjitha evitoni sherret. Nëse ju duket se partneri rezervon përkujdesje të tepërta për dikë tjetër, bisedoni me të qetësisht, pa u bërë pre e histerisë.

Një marrëdhënie e gjatë, jo domosdoshmërish martesore, është çelësi për të përjetuar sa më pak probleme të shëndetit mendor. Sipas një studimi të botuar nga gazeta britanike e psikologjisë, të jetosh prej më shumë se 5 viteve me partnerin ul ndjeshëm rrezikun e depresionit, dëshirën për t’i dhënë fund jetës dhe varësinë ndaj alkoolit dhe drogave. Arsyeja e këtij efekti ekziston në mbështetjen emocionale që merr secili nga partnerët nga marrëdhënia e gjatë, por edhe te qetësia e stabiliteti financiar.

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top