Marrëdhënie

September 7, 2018 | 14:01

Martesa…kalaja që duhet pushtuar apo jo?!

Me atë “po”-në e famshme, a jemi vërtetë të gatshëm të hedhim pas krahëve të kaluarën prej beqari e t’i premtojmë dashuri të përjetshme personit që kemi në krah? Konsideruar gjithmonë si “gogoli” i gjeneratave të reja, martesa është pa dyshim hapi më i rëndësishëm në jetën e një burri e një gruaje që vendosin të ndajnë me partnerin të ardhmen që i pret. Ka nga ata që e konsiderojnë “varri i dashurisë” dhe të tjerë që besojnë se është kurorëzimi i një ëndrre përgjatë jetës. Po ju, në cilën skuadër jeni rreshtuar? Mes atyre që e kanë alergji martesën apo me ata që numërojnë minutat që i ndajnë nga altari?

Martesa mund të përcaktohet si një përkushtim i ndërsjelltë i dy njerëzve për ta bërë një marrëdhënie publike dhe të përhershme në sy të të gjithëve. Sot martesat prishen shumë shpejt, krahasuar me disa dhjetëvjeçarë më parë. Për shumë kohë martesat kanë qenë vetëm bashkëjetesë dhe jo dashuri, ku pjesa juridike kryesonte mbi atë sentimentalen. Duke folur për martesën si një lidhje, gjatë premtimeve të martuarit deklarojnë para të gjithëve se do të qëndrojnë bashkë deri sa vdekja t’i ndajë. Ndaj, në këndvështrimin e qëllimeve fillestare nuk ka asgjë për të thënë. Nuk është rastësi që martesa konsiderohet si “dita më e bukur e jetës” nga pjesa më e madhe e të sapomartuarve.

Avantazhet e martesës

Është vërtetuar se ata që martohen jetojnë më gjatë se sa beqarët. Bëjnë një jetë më të shëndetshme ku mbizotëron bashkëpunimi, gjë që ndihmon në qetësimin e stresit. Martesa bën bashkë përgjegjësitë e çiftit. Në këtë mënyrë bashkëshortët janë më të përkushtuar. Nuk është rastësi që edhe fëmijët e shpëtojnë martesën.

Shëndeti përmirësohet në çdo këndvështrim: ai seksual që vjen si pasojë e një partneri të sigurt. Shëndeti mendor, po ashtu përmirësohet, nga momenti kur kënaqësia dhe lumturia që vijnë si pasojë e një marrëdhënieje të qëndrueshme, provokojnë çlirimin e endorfinës së humorit të mirë. Përkëdhelitë dhe kontakti fizik i gjatë në kohë, përveç se shton afërsinë mes çiftit bën mirë edhe për shëndetin: pakëson dhimbjet dhe stresin.

Lumturia e të qenit së bashku si çift është shumë më e dukshme në martesë. Jeni bashkë dhe keni ndërtuar familjen, bërthamën e parë të qëndrueshmërisë, që e bën gjithnjë e më të thjeshtë përballimin e sfidave të ardhshme, në të cilat nuk jeni kurrë vetëm.

Nga këndvështrimi financiar, martesa sjell qëndrueshmëri: çifti është shumë më i kujdesshëm me shpenzimet, edhe nëse nuk i bashkojnë të ardhurat financiare. Nëse të dy partnerët punojnë, ka më tepër të ardhura për të bërë projekte e investime. Po ashtu edhe investimet bëhen më me kujdes e mençuri, sepse partnerët kanë përgjegjësinë për të mos shkatërruar pasurinë e përbashkët.

Bashkëshorti është miku më i mirë. Thuhet se pas disa vitesh dashuria venitet. Por shpesh është një gjë e zakonshme, çifti që ndihet mirë fillon para së gjithash të respektojë njëri-tjetrin dhe të ndajë së bashku ndjenjat, duke e forcuar marrëdhënien dhe duke e ushqyer me elementë të rinj përgjatë kohës. Në martesë ndahet pesha e përgjegjësive, gjë që do të thotë: më pak stres. Burri dhe gruaja, shpesh bashkëndajnë një bazë fillestare të krijuar nga interesat, pasionet, shijet. Kuptohen reciprokisht dhe njihen, ndaj mund të ndihmojnë njëri-tjetrin pa sforco. Mbështetja më e mirë psikologjike gjendet brenda mureve të shtëpisë.

Disavantazhet e martesës

Rrezikoni të fshini individualitetin tuaj për të mirën e çiftit? Shumë bashkëshorte ankohen për burrat e tyre, që papritmas heqin dorë nga gjithçka për familjen, që heqin dorë edhe nga ai elementi individual që i hidhte benzinë çiftit. Në çdo rast, martesa e fshin fjalën individualizëm. Në martesat që nuk funksionojnë, shpesh dëgjohet të flitet për zinxhirë, burg. Me kusht që të mos izoloheni në shtëpi, jeni të detyruar të ndani gjithçka nga mëngjesi në mbrëmje. Sigurisht, e gjitha kjo situatë është komplet e kundërta e bukurisë së të pasurit një familje, pasi në një situatë të tillë janë të ndaluara vendimet individuale e për këtë arsye duhet të përshtateni.

Shpenzimet rriten: për aq kohë sa qëndroni si të dashuruar nuk ka probleme, por me t’u martuar shpenzimet kontrollohen së bashku, ekziston një buxhet. E pastaj janë fëmijët, për rritjen e të cilëve dukshëm nevojiten të ardhura. Nuk bëhet fjalë për të qenë egoistë, por e vërteta është se shumë çifte heqin dorë nga një fëmijë, sepse kushton shumë për ta rritur. Dhe shpesh heqin dorë edhe nga blerja e një shtëpie, duke e shndërruar kështu martesën në një bashkëjetesë të veçantë, por asgjë më shumë.

Nevojat personale dhe heqja dorë prej tyre: sa herë lexojmë apo dëgjojmë dikë të thotë se ka hequr dorë nga diçka për t’u kujdesur për familjen? Ndonjëherë nuk kanë mundësi, femrat e meshkujt e martuar jetojnë shpesh me keqardhje, se kanë bërë zgjedhje të gabuara, të cilat në njëfarë pike janë të pariparueshme, pikërisht sepse janë martuar dhe kanë përgjegjësi. E meqë ra fjala te përgjegjësitë, ato mund të jenë kaq të mëdha sa të tejkalojnë pritshmëritë. Shtohen kur çifti bëhet me fëmijë, e për këtë arsye prindërit e rinj bëhen kaq shumë të përgjegjshëm për jetën e të tjerëve. Natyrisht, me martesën këto përgjegjësi bashkëndahen, por kjo është situata normale.

Në shumë raste çifti është i çbalancuar: një pjesë mban më shumë peshë dhe ndihet gjithnjë i sakrifikuari, duke ndezur kështu detonatorët e parë që bëjnë çiftin të shpërthejë. Shumë shpesh, njëri nga të dy partnerët ndihet si në kurth, ndjen mëri për zgjedhjet e gabuara, ndjen se nuk ia del të shkojë përtej një lloji të caktuar kompromisi. Shpesh martesa është frut i një dashurie të parakohshme, e cila pasohet nga përvojat e para dhe ndihet pesha e mospërfitimit nga mundësitë. Mund të duket egoiste, por është shumë e vështirë të mbash në këmbë përrallën e dashurisë përgjatë kohës. Pastaj çifti fillon të kuptojë se koha po kalon dhe për këtë arsye i druhet venitjes së dashurisë.

Është më mirë të martohesh apo jo?

Sot, dinamikat sociale kanë ndryshuar: rrjetet sociale shërbejnë si katalizator i jetës shoqërore. Njerëzit takohen e njihen online, vetëm më pas testohet marrëdhënia tradicionale. Gjithçka duket më e kënaqshme dhe në njëfarë mënyre merret në konsideratë me më pak vëmendje e përgjegjësi, sepse dihet që në fillim se pasojat e një ndarjeje, do të jenë në njëfarë mënyre të zbutura nga një kontroll më i pakët social. Në këto raste, jetesa pa u martuar duket se është zgjedhja më e mirë, edhe pse nuk duhet përgjithësuar.

Në çiftet që bashkëjetojnë, njohja e lidhjes bëhet në mënyrë të heshtur dhe kjo marrëdhënie mbetet vetëm në brendësi të çiftit. Nga këndvështrimi psikologjik, partnerët që bashkëjetojnë, sidoqoftë i pranojnë një sërë rregullash, të cilat janë të njëjtat me lidhjen bashkëshortore. Praktikisht, të dy partnerët marrin përsipër në mënyrë spontane të drejta dhe detyra që i lejojnë ata që lidhja e tyre të funksionojë siç duhet. 

Në nivel social, ndonjëherë mungesa e “zyrtarizimit” të lidhjes bën të mundur që bashkëjetesa të gjykohet nga të tjerët, por forca dhe jetëgjatësia e një lidhjeje nuk varen nga fakti nëse janë celebruar apo jo, fakt ky që dëshmohet më së miri edhe nga numri i madh i ndarjeve e divorceve. Sidoqoftë, dialogu është rruga më e mirë për t’u sqaruar, për të shprehur këndvështrimet e secilit dhe për të kuptuar më mirë partnerin.

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top