FB

October 1, 2024 | 11:43

Matea Koçi: Shenjat e autizmit, kur prindërit duhet të shqetësohen për fëmijën?

Autizmi, i njohur gjithashtu si çrregullimi i spektrit të autizmit (ÇSA), është një gjendje neurologjike që ndikon në mënyrën se si një person e percepton dhe ndërvepron me botën. Çdo individ me autizëm është unik dhe manifestimet e çrregullimit mund të ndryshojnë shumë nga personi në person. Kjo e bën themelore një qasje të personalizuar dhe kuptim të thellë të përvojave individuale.

matea-koci

Msc. Matea Koçi, Psikologe Klinike, Terapiste ABA, Terapi Arti dhe Loje

 

Shpesh, shoqëria priret ta shohë autizmin si një devijim nga norma, por në realitet, çdo person ka versionin e tij të normalitetit. Autizmi nuk është thjesht një gjendje mjekësore që duhet trajtuar, por një mënyrë e të qenit që ka vlerën dhe veçoritë e tij. Çelësi qëndron në pranimin dhe vlerësimin e dallimeve. Në shumë raste, autizmi mund të shoqërohet me sfida, por gjithashtu mund të rezultojë në pika të forta unike, të tilla si aftësi të veçanta njohëse, aftësi për t’u fokusuar intensivisht dhe një vëmendje ndaj detajeve që mund të çojnë në përsosmëri në fusha specifike. Është e rëndësishme të njihen dhe të mbështeten këto pika të forta, në vend që të fokusohemi vetëm te vështirësitë.

Në Klinikën Mjekësore Vera-Virhov është një kabinet i tërë që merret me trajtimin dhe rehabilitimin e të fëmijëve me çrregullim të spektrit. Gjithçka zhvillohet dhe monitorohet përmes lojërave dhe aktiviteteve psikofizike mbi bazën e të cilave janë të ngritura këto terapi.

autizmi

Diagnostikimi i hershëm

Çrregullimi i spektrit autik është një çrregullim neuro-zhvillimor, i tipit neuro-biologjik dhe ndoshta me origjinë prenatale, i cili shoqëron individin gjatë gjithë jetës së tij. Mungesa e informacionit për simptomat ngadalëson procesin e ndërhyrjes në kohë të hershme. Kapja në kohë e shenjave të Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ÇSA) është thelbësor për zhvillimin e fëmijës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tij. Shenjat e autizmit shpesh shfaqen që nga mosha 12 deri në 24 muaj. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm nëse shohin simptoma që lidhen me ndërveprimin social, (mungesën e kontaktit me sy), komunikimin (nuk kuptojnë mirë, vonesë në të folur), dhe sjelljet e përsëritura (janë të pabindur). Personat e prekur nga ÇSA kanë përgjithësisht të dëmtuar 3 fusha të veprimtarisë së tyre si: dëmtim cilësor i marrje-dhënieve sociale, dëmtim cilësor i komunikimit (verbal, jo-verbal) dhe karakter të kufizuar dhe steriotipik të sjelljes. Secila prej këtyre fushave mund të jetë e dëmtuar lehtë apo rëndë, duke shkaktuar paaftësi të niveleve nga më të lehtat tek më të rëndat.

Sipas OBSH, Çrregullimi i Spektrit të Autizmit është një grup karakteristikash me shkallë të lartë ndryshimi në komunikim, gjuhë dhe ndërveprim shoqëror, me lëvizje stereotipike dhe sjellje të përsëritura që shfaqen që nga fëmijëria, adoleshenca dhe vazhdojnë deri në moshën madhore. Kjo gjendje mund të shfaqet edhe me kushte shoqëruese në disa raste, si: epilepsia, depresioni, ankthi, paaftësia intelektuale, deficiti i vëmendjes dhe hiperaktivitetit.

 

Kur duhet të shqetësohen prindërit?

Shenjat e autizmit zakonisht shfaqen gjatë fëmijërisë së hershme, shpesh duke u bërë të dukshme midis moshës 12 dhe 24 muajsh. Megjithatë, disa fëmijë mund të shfaqin shenja më herët ose më vonë. Këto shenja mund të ndryshojnë nga fëmija në fëmijë. Ato mund të përfshijnë: Mungesën e kontaktit me sy;

Shprehje të kufizuara të fytyrës, të mos reagojë kur thirret në emër p.sh; Vështirësi për të ndarë fokusin në një objekt ose person; Mungesa e interesit për lojën e bashkëmoshatarëve; Vonesë në të folur;  Përdorimi i pazakontë i gjuhës, përsëritje e frazave ose fjalëve (ekolalia), ose papërshtatshmëria; Vështirësi me komunikimin joverbal, lëvizja e dorës ose tundja e kokës; Lëvizjet e përsëritura, përplasje me duar, lëkundje ose rrotullim; Përqendrimi intensiv për tema të veçanta, si trenat, numrat ose dinozaurët; Ndjeshmëritë shqisore ndaj stimujve si drita, tingulli, teksturat ose erërat.

 

autizm

 

Procesi i diagnostikimit dhe ndërhyrja terapeutike pranë klinikës Vera- Virhov

Diagnostikimi i autizmit është një proces me shumë hapa në klinikën Vera-Virhov, që shpesh përfshin disa profesionistë, pediatër, psikiatër, psikologë dhe logopedë. Hapi i parë është shpesh një ekzaminim zhvillimor, i cili është një test i shkurtër për të identifikuar nëse një fëmijë është në rrugën e duhur me aftësitë bazë si lëvizja, gjuha e kuptuar/e shprehur dhe sjellja. Kjo zakonisht kryhet nga pediatri i fëmijës gjatë kontrolleve rutinë.

Specialistet e fushës në klinikë rekomandojnë shqyrtimin e të gjithë fëmijëve për autizëm në moshën 18 dhe 24 muajsh duke përdorur mjete të standardizuara si *M-CHAT (Lista e modifikuar e kontrollit për autizmin tek fëmijët e vegjël)*.

Nëse shqyrtimi sugjeron një shqetësim referuar nga pediatri, fëmija mund t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë diagnostikues, i cili vijon me  teste se si sillet fëmija në situata të ndryshme, veçanërisht në kontekstet sociale dhe të lojës. Instrumente të tilla si Programi i Vëzhgimit të Diagnostifikimit të Autizmit (ADOS),Intervista e Rishikuar e Diagnostifikimit të Autizmit (ADI-R) përdoren shpesh për të diagnostikuar autizmin dhe intervista gjysmë e strukturuar me prindërit. Kur prindërit përballen me një diagnozë të autizmit për fëmijën e tyre, mund të ndihet dërrmuese. Megjithatë, marrja e hapave proaktivë mund të përmirësojë shumë rezultatet për fëmijën dhe të zvogëlojë stresin në familje. Përcaktimi i ndërhyrjes terapeutike vendoset bazuar në moshën e ndërhyrjes, shkallën e përfshirjes së fëmijës në autizëm, interesin dhe angazhimin e fëmijës, si dhe diagnozat komorbide që shoqërojnë çrregullimin.

Menjëherë pas diagnostikimit përcaktohet frekuenca javore/mujore e terapisë dhe kombinimi i mundshëm terapeutik. Në klinikën Vera-Virhov trajtimi terapeutik i çrregullimeve neurologjike ka një fokus të veçantë, duke sjellë terapitë më inovative. Terapia ABA (Terapia e sjelljes e aplikuar), Terapia logopedike, Terapia sensoriale (tepër efektike në fëmijërinë e hershme) dhe Terapia Floortime.

 

Përfitimet e terapive më inovative: Sistemi BTS-Nirvana dhe VRBTS-N

Ndërhyrja e hershme terapeutike krijon dhe ndikon ndjeshëm në formësimin dhe strukturimin e sjelljes, aspektit kognitiv dhe social. Rastet e suksesit pranë Klinikës Vera-Virhov kanë treguar se ndërhyrja e hershme mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet e zhvillimit për fëmijët me autizëm. Ndërhyrje të tilla si: Terapitë e Sjelljes, Terapia ABA, Terapia Floortime, terapi arti dhe loje, terapia logopedike mund të ndihmojnë në përmirësimin e komunikimit, aftësive sociale dhe funksionimit adaptiv. Identifikimi i hershëm i autizmit u lejon prindërve që pranë klinikës Vera-Virhov në bashkëpunim me stafin e specializuar të ofrojmë mbështetje të individualizuar bazuar në nevojat unike të fëmijës. Diversiteti i madh i çrregullimeve neurozhvillimore kërkon terapi specifike të ndërhyrjes. Tërësia e shërbimeve terapeutike në klinikën tonë ndihmon fëmijët, familjen, pasi terapitë mund të përshtaten në përputhje me fazën e zhvillimit të fëmijës.

Inovacioni më i ri terapeutik është Sistemi BTS-Nirvana dhe trajnimi VR për trajtimin e ASD, të cilat ofrohen në klinikën Vera-Virhov me protokolle të standardizuara. Sistemi BTS-Nirvana dhe trajnimi VRBTS-N është një pajisje mjekësore e bazuar në VR, e krijuar posaçërisht për të mbështetur rehabilitimin motorik dhe kognitiv në pacientët me çrregullime neurologjike.

Eksperiencat klinike tregojnë rezultate afatgjata në trajtimin e autizmit me terapinë e kombinuar me sistemin Nirvana specifikisht në rritjen e përqendrimit, vëmendjes, perceptimit vizual dhe hapësinor. Tepër me rëndësi janë përmirësimet efektive në aftësitë njohëse dhe gjuhës së kuptuar. Tërësia e Çrregullimeve neuro-zhvillimore trajtohen në mënyrë sa më inovative dhe të standardizuar pranë Klinikës Vera-Virhov.

 

KLINIKA VERA-VIRHOV | RRUGA ISLAM ALLA
TIRANË TEL: 068 60 64 320 | 04 -222 6441

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top