FB

May 21, 2021 | 8:04

Mbroni vajzat, edukoni djemtë!

 

Ngjarja e ndodhur në Tarazh të Mirditës, por edhe të tjera të denoncuara ditët e fundit, kanë qenë pjesë e debateve televizive por edhe një opinioni më të gjerë se kaq, që është ai i rrjeteve sociale. Përdhunimi i 15-vjeçares rinxorri në pah themele të dëmtuari keqazi të rendit shoqëror. Të rinj, por jo vetëm, të gjinisë mashkullore, që keqtrajtojnë dhe dhunojnë psiqikisht dhe fizikisht një të re, shoqëruar dhe me kulmin e shantazheve telefonike dhe filmike, dhe më e keqja, duke qenë në lidhje gjaku farefisnore me të renë.

3

Shëmtia e gjithë kësaj ngjarjeje, dhe plot të tjerave që heshtin dhe nuk denoncohen, shihet nga ekspertët e shkencave sociale, të shëndetit mendor, të drejtësisë dhe më gjerë, si një degradim i thelluar i shoqërisë sonë. Ata bëjnë apel për marrjen në dorë të situatës, për të reflektuar të gjithë si aktorë të rëndësishëm, duke nisur nga prindërimi i nënave, të cilat për arsye mentaliste, zakonore, mbylljeje kulturore, edukojnë djem të pashpirt, dhunues, kriminelë.

5 djemtë, më i riu 17 vjeç, dhe më i madhi 44 vjeç morën të enjten dënimin burg pa afat.

Falë nënës së vajzës, e cila bëri denoncimin, kjo ngjarje arriti të shpëtojë një viktimë. Nën kujdesin e punonjësve socialë, adoleshentja po merr trajtimin e survejuar.

Nëna e 15-vjeçares së përçudnuar nga 5 persona, ku me 4 prej tyre kishte dhe lidhje gjaku, është bërë pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” në ‘News24’. Në lidhje telefonike nga Mirdita, nëna e të resë tregoi se vajza aktualisht është në një qendër për të marrë kujdesin e duhur pas dramës së madhe ku u përfshi. Sipas saj, gjendja e vajzës së saj paraqitej pak më e stabilizuar.

1

Mes të tjerash ajo i bëri thirrje autoriteteve që të dënojnë 5 autorët, dhe mos t’i falin për asnjë arsyeje. “E ka pasur shumë të rëndë që të lehtësohet gjendja e saj në ato kushte ku kishte. Jo për kushtet familjare, por në kushtet ku kishte rënë. Kërkoj nga ana juaj drejtësi, mos të falet asgjë. Të vihet ligji në fuqi dhe mos të ketë falje. Kërkoj nga shteti të më mbrojë vajzën. Mos të ketë shanse që të ata të telefonojnë, të mos falen. Jam e tronditur. Jam bërë për psikologe”, – tha me zërin duke u ngashëryer nëna.

Në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon u trajtua gjithashtu rasti tronditës. Pjesë e diskutimit në studio ishte Suela Kocibellinj, e cila tregoi se e njihte familjen e vajzës.

2

“Edhe unë e njoh familjen e vajzës, që ka dhe anëtarë të tjerë. Është familje e varfër, kanë probleme të tjera sociale dhe nuk meritonte të kishte dhe këtë. Gazetarja juaj tha dhe emrat, ata të gjithë janë komshinj aty rrotull dhe kjo është prerja në besë që mund të bëjë dikush në zonë. Deri në momentin që vajza do të jetë me e qetë psikologjikisht për të rrëfyer të vërtetën e shpirtit të saj, duhet t’i japim dhe pak kohë. Në këtë moment po shqyrtohen mesazhet, janë shantazhuese, kërcënuese. Duke bërë kërcënime të drejtpërdrejta, nëse ti flet do të vras nënën ose duke i bërë një presion tjetër, një vajzë 15 vjeçare e ka shumë për ta mbajtur”, u shpreh e prekur ajo.

Nga ana e saj, WPS Albania Gratë në Shërbim Publik ka postuar apelin e ndërgjegjësimit për ngjarje të tilla të rënda.

E vërteta nuk duhet fshehur ❗

Përdhunuesit kanë emër e ata duhen shpallur me emër e figurë që çdokush ta dijë se sa të rrezikshëm janë ata⚠️

Mbrojini vajzat, edukoni djemtë❗

WPS Albania Gratë në Shërbim Publik u bën thirrje autoriteteve dhe qytetarëve që të reagojnë dhe të mos heshtin.

Po heshtëm sot do përballemi me pasoja dhe më të rënda nesër!

 

Ndërkohë, në solidaritet të ngjarjes dhe me përçmimin më të merituar, mediat sociale dhe i gjithë rrjeti në tërësi ka publikuar fotot e autorëve përdhunues nga Mirdita. Siç u raportua në media, ngjarja ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit, në periudhën janar-prill të këtij viti, por rasti është denoncuar vetëm mbrëmjen e së hënës së kësaj jave. Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë arrestuar shtetasit, Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe shtetasin e mitur me iniciale A.Gj., 17 vjeç që të pestë banues në fshatin Tarazh të Mirditës.

4

Përgatiti Orjona Tresa

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top