FB

January 27, 2024 | 7:19

Më pak makinë dhe më shumë ecje! Pse aktiviteti fizik ka më shumë rëndësi se kurrë sot dhe si mund të ushtrohemi sipas moshave dhe kushteve? Ja çfarë thotë eksperti i fushës!

Nga Orjona Tresa

Aktiviteti fizik është aleati i shëndetit tonë. Në asnjë kohë nuk është konsideruar një luks, përkundrazi, një domosdoshmëri nga e cila kemi vetëm mirëqenie.

Dikur, lëvizshmëria përmes aktiviteteve të ndryshme, në ambiente të ndryshme, ishte një kulturë e njësuar njëjtë me çfarë konsiderohej një rutinë e nevojshme, ndërsa sot, për shkak të teknologjisë kemi më shumë varësi ndaj qëndrimit ulur apo dhe konsumit të kohës fizikisht palëvizur nga vendi. Trajneri sportiv Armir Agovi ngre një shqetësim lidhur me këtë sedentarizëm, i cili ndikon në shfaqjen e sëmundjeve të vështira për t’u trajtuar. Ai thekson rëndësinë e lëvizjes me anë të aktiviteteve sportive, në natyrë apo dhe në ambientet ku ndodheni, punë apo shtëpi, për të rivendosur muskujt në lëvizje dhe për të ndihmuar organizmin të procesojë një aktivitet që shpërblen vetëm për mirë shëndetin tuaj.

sport

Pse duhet të ushtrohemi?

Aktiviteti fizik ka një rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës, duke na dhënë një sërë përfitimesh si: reduktimi i stresit, parandalimin e sëmundjeve të zemrës, forcimin e kockave dhe muskujve, si dhe ndihmon në mirëmbajtjen e peshës trupore.

 

Cila është rëndësia e aktivitetit fizik për kohët që flasim?… (post pandemia, sëmundshmëritë e ndryshme…)

Në ditët e sotme për shkak të kequshqyerjes dhe jetës sedentare po vërejmë një rritje të rasteve të njerëzve me probleme kardiovaskulare, respiratore dhe diabetit të tipit 2. Duke bërë rregullisht aktivitet fizik ne përveçse forcojmë trupin, po rrisim edhe imunitetin e trupit duke reduktuar riskun e sëmundjeve të mësipërme. Rëndësia e aktiviteti fizik është vënë re shumë gjatë pandemisë ku njerëzit që merreshin me sport ishin më pak të prekurit nga COVID-19.

 

Çfarë rutine mund të ndjekim në përditshmërinë tonë?

Çdo njeri duhet të bëjë minimumi 10,000 hapa në ditë si dhe të bëjë minimalisht 30 minuta palestër, vrap apo një sport që i pëlqen, duke mos lënë pas dore ushqimin e shëndetshëm.

aktivitet

Palestër apo natyrë? Kur vlen kombinimi i tyre, në cilat raste?

Kombinimi i palestrës me natyrën vlen padyshim në çdo rast. Gjithsesi kjo varet nga personi pasi ka individë të cilët nuk e pëlqejnë stërvitjen në palestër ashtu siç ka persona të cilët nuk e pëlqejnë stërvitjen në natyrë. Gjithsesi unë do sugjeroja 3 herë në javë ushtrime force në palestër dhe 2 herë në javë ushtrime kardiovaskulare në natyrë. Gjithmonë e them që duhet të bëjmë atë aktivitet që na pëlqen duke patur parasysh që të mbajmë një raport të mirë të trupit të shëndetshëm dhe të bukur fizikisht.

Sa rëndësi ka kombinimi i aktivitetit fizik me regjimin ushqimor?

Ka një rëndësi shumë të madhe. Unë gjithmonë i them personave që stërviten nga unë që aktiviteti fizik duhet të shoqërohet me një regjim ushqimor të shëndetshëm pasi ushqimi zë 70% të rezultateve.

 

Dikur kryenim fizkulturën e mëngjesit pa dallim moshe, sa vlen t’i rikthehemi kësaj praktike?

Është një mënyrë e mirë për ta filluar ditën, duhet të jetë çdo ditë si pjesë e rutinës. Gjithsesi nuk mund të them që mjafton për të marrë rezultatet që kam përmendur më sipër.

sport1

Si ndahen ushtrimet fizike sipas kategorive? Çfarë këshillohet për fëmijët, ata më të vegjlit në çerdhe deri tek moshat e treta?

Tek fëmijët këshillohen ushtrime të thjeshta lëvizshmërie që të rrisin koordinimin, balancën dhe rezistencën pa përfshirë ushtrime force të paktën deri 12 vjeç. Të rriturit përveç ushtrimeve të lëvizsshmërisë duhet të shtojnë edhe ushtrimet kardiovaskulare, forcës dhe ushtrime stretching për përmirësimin e posturës të cilat mund t’i bëjnë edhe në zyrë gjatë një pushimi 15-minutësh. Tek të moshuarit sugjerohen të gjitha llojet e ushtrimeve si tek të rriturit por duke i dhënë një rëndësi më të madhe kontaktit me natyrën.

 

Një mesazh për lexuesit se sa ndihmon disiplina sportive për mirëqenien dhe pse duhet ta marrim seriozisht kanalizimin e energjive tona?

Më pak makinë dhe më shumë ecje. Më pak ashensor dhe më shumë shkallë. Më pak kafe dhe më shumë palestër. Aktiviteti fizik ju ndihmon të jeni më të fortë fizikisht dhe mendërisht duke ju bërë më pak vulnerabël ndaj sëmundjeve të ndryshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top