Në fokus

December 20, 2017 | 9:04

Më shumë dashuri mes dhuratash

2

Këto ditë dhjetori të gjithë priremi të mendojmë se si të organizojmë festat që pasojnë, ato të fundvitit. Angazhimi bëhet edhe më i madh për të kënaqur veçanërisht çiftet dhe fëmijët. Disa ditë na ndajnë me festën e ndërrimit të viteve dhe ndoshta dhjetori ikën aq shpejt, si me magji. Atmosfera nis të ndihet që herët, në rrugë, dyqane, kompani të ndryshme deri në shtëpi. I gëzohemi një tradite të re, sa europiane aq dhe perëndimore, që i përshtatet ritit festar të krishterë dhe rishtazi bëjmë gati pemën me zbukurimet përkatëse. Njëherazi ka thirrje për ulje çmimesh. Markat më të njohura në botë tashmë e kanë shndërruar në një ritual të përvitshëm lancimin e ofertave për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Kjo edhe për arsye madhore se këto festa janë kthyer tashmë në një ritual të shkëmbimit të dhuratave. Zakonisht përgatitja e tyre do kohë dhe përkushtim për t’i bërë të kënaqur të gjithë njerëzit e dashur. Kjo atmosferë nis e ndihet që nga fundi i nëntorit.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Bilanci në çift

Në fundvit çiftet bëjnë gjithmonë një bilanc të marrëdhënies së tyre. Ata më të vjetrit, priren të bëjnë plane sa i takon një të ardhmeje për fëmijët apo pritshmërive për t’i dhënë një ndryshim mënyrës së jetesës apo bindjes se i duhet kushtuar më shumë vëmendje vetes. Çiftet e mesme priren të zbërthejnë atë çfarë ka ndodhur dhe funksionuar gjatë një viti që lamë pas dhe çfarë arritjesh apo objektivash do të vendosin në vitin e ri që po afron. Ndërsa në çiftet e reja, prirje është bashkëjetesa, një ëndërr e shumë të rinjve. Por, kujdes, të jetosh në një çati me partnerin është shumë më ndryshe se sa kur ishit te mami dhe te babi. Ky është vërtet një hap shumë i bukur, por që kërkon zbatimin e disa rregullave, të cilat disa, në fillim i përballojnë me entuziazmin e kënaqësisë së të jetuarit në dy, por në disa raste të tjera, thyhet nga mungesa e përshtatshmërisë dhe vullneti për të pranuar sakrificat e vogla që në fillim. E këtu e kam fjalën për durimin, mirëkuptimin dhe tolerancën, tri cilësi të domosdoshme në situata të ndryshme.

2

Dhuratat e duhura në çift

Çdo çift mundohet të bëjë një plan të vogël, sipas mundësive që ka, duke përdorur së pari kreativitetin për të bërë dhuratën ideale për partnerin e vet. Harmonia është tipari më i rëndësishëm që duhet ta karakterizojë një lidhje dhe, sigurisht, mendimi për të qenë pozitiv dhe goditës në përzgjedhjen e dhuratave. Çiftet e rinj janë më shumë pasionantë në romanticitetin dhe vlerësimin më tej të festave të fundvitit. Ata përzgjedhin veshjet e kuqe, përgatitin urimet për njëri-tjetrin, planifikojnë orët e gjata në lokalet e natës brenda apo jashtë vendit etj. Ka edhe çifte që ky vit i ka bërë prindër të rinj, ndaj dhe fokusin më të madh të dhuratave e kanë pikërisht për të bërë të lumtur fëmijët e tyre. Kënaqësia fillon që nga arredimi i shtëpisë, bredhi me topat e kuq e yllin në krye, si dhe aksesorët që veshin si elementë festivë ambientet e ndryshme të shtëpisë. Sërish bërthama e familjes bëhet më solide, më e bukur dhe më kuptimplote për festa. Çiftet e kësaj faze mendojnë tashmë për dhurata më të dedikuara për njëri-tjetrin, më jetësore dhe simbolike për vitet që do të vijnë. Kjo e bën edhe më harmonike lidhjen e tyre. Vetë akti i dhuratave si proces i bën njerëzit që të marrin kontrollin mbi jetën e tyre, thonë psikologët. Po sipas tyre, dhuratat e fundvitit fshehin në vetvete një “kleçkë” të madhe. “Nëse nuk jeni të sigurt, veçanërisht nëse nuk keni pasur një lidhje prej kohësh, shumë njerëz e kanë problem shkëmbimin e dhuratave, sepse ato konsiderohen intime. Frikësohen sepse nuk duan t’i ushtrojnë presion personit tjetër, por nga ana tjetër nuk duan të ndihen si ‘budallenj’ duke dhuruar diçka pa marrë gjë si shkëmbim”, thotë Dr. Dorree Lynn. Pothuajse në të gjitha kulturat, dhurata shpreh një mënyrë për të treguar dashuri, miqësi dhe përkushtim. Njerëzit që bëjnë më shumë dhurata janë femrat, ndërsa më pak “bujarët” në këtë fushë janë meshkujt dhe femrat beqare. Në të vërtetë, më shumë rëndësi i jepet sinqeritetit të dhuratës, që mendohet se është bërë me gjithë zemër, që i pëlqen atij që e merr dhe që ka një vlerë afektive dhe simbolike.

Historitë dhe kujtimet familjare

Pushimet e fundvitit mendohen si mundësia e përkryer për çiftet që të mund të dëgjojnë histori të familjes së tyre, të cilat kanë ndodhur para shumë brezash apo para shumë viteve. Kjo u mëson atyre se si të trashëgojnë vlerat familjare dhe atë harmoni që transmetojnë te fëmijët. Një nga periudhat kur dhurohen më shumë dhurata është edhe fundviti. Shpëtoni nga idetë e këqija që do të sjellin rrudhje buzësh. Në vend të saj dhuroni diçka që do të shkaktojë buzëqeshje. Është e ditur që fundviti sjell atmosferë festive dhe shumë dhurata, por sidomos për femrat, ato mund të mos jenë gjithnjë të duhurat. Ja çfarë duan ato:

• Do të ishte më mirë t’i dhuronit një parfum të shtrenjtë, shoqëruar me lule të kuqe

• Aksesorët apo antikuarë të ndryshëm

• Të brendshme të veçanta

• Lodra prej pelushi ose veshje

• Libra ose albume fotografish

• Një udhëtim do të ishte dhurata më e bukur, sidomos për një çift të dashuruarish apo çiftet e rinj

• Kartolinat unike e të personalizuara janë një tjetër detaj ku çiftet transmetojnë ndjenjat e zemrës, përmes interpretimit që sjell urimi në shkrim dhe sigurisht kartolinat e çdo viti ku mbeten kujtime të paharruara në jetë. Në njëfarë mënyre, kartolinat mbeten mënyra më tradicionale e praktike e dërgimit të urimeve, ndërkohë që ajo, e cila mund të quhet si e veçantë në zgjedhjen e një kartoline është më tepër pamja e saj, gjë që i jep vlerësim edhe urimit të partnerit. Nuk qëndrojnë pas as dhuratat e ëmbla, në veçanti ato më klasiket, biskotat. Biskotat e Vitit të Ri mund të jenë prej qindra formash e shijesh, edhe pse kanë disa gjëra që nuk ndryshojnë. Urime dhe festa sa më të gëzuara në 2017-ën! Qoftë një vit me harmoni dhe baza të një shoqërie të shëndoshë, me të rinj dhe çifte sa me më pak ndarje e probleme mes tyre. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top