Ndonjëherë, të përfshirë nga një mori e pafundmë punësh, nuk kalojmë mjaftueshëm kohë në familje. Por, a ka një zgjidhje?
Nisemi nga një supozim i rëndësishëm: çdo familje është një sistem unik dhe pa të ngjashëm, ndaj secila familje ka mënyra të ndryshme të të qëndruarit bashkë, të shfaqjes së dashurisë. Është e rëndësishme të mos bëjmë krahasime me grupe të tjera familjesh, për të cilat nuk kemi dijeni mbi vështirësitë dhe mungesat që patjetër që i kanë.
Ngarkesat e punës, nuk ia heqin rëndësinë kohës së kaluar së bashku me familjen. Duke qëndruar cilësisht bashkë, do ta lejojë bërthamën tuaj familjare të jetë e qetë, në harmoni dhe në ekuilibër. Pas orëve të gjata të kaluara në punë, shumica e prindërve mezi presin të kthehen në gjirin e familjes, aty ku i presin me padurim fëmijët, bashkëshorti apo bashkëshortja, prindërit. Po si t’ia dilni mbanë, duke pasur parasysh që bota e punës sot kërkon shumë sakrifica? Nuk është e thjeshtë. Kemi përzgjedhur disa ide:
- Punoni më pak ose kërkoni të punoni me kohë të pjesshme.
- Organizoni pushime që t’i kaloni të gjithë së bashku ose shfrytëzoni fundjavat.
- Kushtojini më pak kohë pasioneve personale që mund të keni.
- Mundohuni të jeni sa më shumë pjesëmarrës në shtëpi.
- Nëse keni fëmijë të vegjël, për të kaluar më shumë kohë me ta, lexojini diçka para se të flenë.
- Shikoni ndonjë film: mund të bëhet një zakon argëtues i familjes suaj. Mund të zgjidhni një ditë dhe një kohë të caktuar për t’iu dedikuar të gjithë së bashku këtij aktiviteti.
- Ndihmojeni fëmijën të zhvillojë interesat e tij: nëse i pëlqen piktura, mund ta çoni në një ekspozitë pikture.
- Hani së bashku: uluni të gjithë në tryezë dhe bëjeni këtë një zakon të pandryshueshëm në familjen tuaj.
Mos harroni që prania juaj për fëmijët është thelbësore: ndarja e gjërave, kontakti dhe prania janë të domosdoshme. Mjafton të qëndroni me ta, jo domosdoshmërisht duke programuar çdo ditë një aktivitet të veçantë. Fëmijët kënaqen me pak: një lojë puzzle, përgatisni së bashku darkën, hapni rrobat e lara, shihni një film vizatimor…
Disa prindër nuk kanë kohën fizike në dispozicion dhe mundohen ta plotësojnë mungesën e tyre me dhurata. Jo, kjo nuk është zgjidhje! Në vend që të mundoheni të largoni ndjenjat e fajit në këtë mënyrë, më mirë plotësojini boshllëqet me thjeshtësi: më shumë përqafime të gjata, mbajini dorën fëmijës, mundohuni t’i transmetoni dashurinë me butësi. Me pak fjalë: ndoshta nuk keni mjaftueshëm kohë, por bëni të mundur që kohën që keni në dispozicion për fëmijët dhe familjarët tuaj, ta shndërroni në kohë cilësore!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.