Psikofakt

July 14, 2017 | 9:21

“Më vjen keq!” Përse?

Nëse historia do të ishte e shkruar vetëm nga të drejtët, me siguri as kjo nuk do ishte e drejtë. Historia është një e shkuar që flet për mungesën e saj, por që është domosdoshmërisht e nevojshme për të na hedhur tek e ardhmja. Kur përmendim fjalën histori, në të kuptohen shumë aktorë, që na krijojnë një teatër virtual të së kaluarës për të dhënë mësime për të ardhmen.

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Historia, si një kujtesë kombëtare, përfshin një mori përpjekjesh e dështimesh që sigurisht, në kohë paqeje, sipas Niçes, njeriu i luftës i vërsulet vetvetes. “Njih veten o popull” nuk do të thotë të dhunosh, plaçkitësh, mashtrosh, braktisësh, përdhunosh vetveten me akte që edhe historia nuk mund t’i mbajë. Mjaft na e përdhosën prej shekujsh historinë grekët, serbët, malazezët e na lanë si pa këmbë, si pa duar, si pa veshë, si pa sy, ashtu një trung, si për t’u riprodhuar e për t’i paraqitur një histori
botës ashtu siç duan ata, ashtu siç mund ta modifikojnë ata, por kurrsesi siç ishim realisht, si jemi dhe çfarë na pret të bëhemi
.

1

Shqipëria, një vend i nënshtruar prej shekujsh, ku “i fuqishmi” ka bërë ligjin dhe e ka detyruar të flasë turqizma, greqizma dhe serbizma, ka arritur t’ia shkatërrojë kultet autoktone të besimit. E detyruar si një kameleon, historia jonë është një dhimbje që klith kudo ku flamuri ynë valëvitet, kudo ku flitet ende shqipja e pastër, kudo ku yjet, pavarësisht sfondit, klithin njëlloj si shqiponja kuqezi, sepse janë shqiptarë, sepse flasin shqip, sepse kufijtë e Ilirisë ishin tejet të zgjeruar dhe se historinë na e ngatërruan osmanët, na e tjetërsuan grekët, na e prenë në mbesë dështakët dhe
mbetëm këta që jemi sot nga Vermoshi e në Konispol. Shqipëria, ky vullkan i Ballkanit, i lakmuar nga të jashtmit dhe i përdhunuar nga të brendshmit, po mbijeton sot e lirë, por jo e pasur. A bën hair një shtëpi, ku pjesëtarët
e saj e vjedhin atë?! Deti nuk është yni, toka dhe ajri po. Historinë na e bëjnë të tjerë, sepse ajo që shkruajmë ne është një përpjekje e dështuar, dukje që i del boja dhe era shpejt.

Në këtë vend vritesh për një fjalë “ik pirdhu”; në këtë vend shitesh për një palë letra amerikane, në këtë vend numëron qindarkat e fundit për t’i ndarë për pagesën e shkollimit të fëmijës dhe për të paguar kamatën e dritave, kurse për të ngrënë një listë më shumë e borxheve. Në këtë vend skizofrenët trajtohen si garipa dhe depresivët si të mërzitshëm. Modelet si eskorta vipash dhe farashitësit si “turp shoqëror”. Në këtë vend, paratë qarkullojnë nëpër tabaka banketesh për qerasje qokash, kurse barkthari që disponon një revolver për të vrarë veten dënohet me burgim të përjetshëm si i inkriminuar. Në këtë vend ku bakshishi i jepet kamerierit dhe lypësi pështyhet dhe, në rastin më të keq, keqtrajtohet njëlloj si një krimb që del pas shiut dhe rrezëllitet për pak ajër. Në këtë vend ku, ai që ka më shumë followers, është VIP dhe ai që shkruan në heshtje libra vlerësohet si hiç. Në këtë vend duhet të lindësh një këmbëngulës i pavdekshëm sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i mbijetosh historisë.

Naimi ku është, Sami Frashëri ç’na tha? Konica ku vajti…? Vdiqën, ashtu siç vdesin njerëzorët. Martirizuam veprat e tyre, mesazhet e tyre ua ngjeshëm adoleshentëve për t’i mësuar, i trullosim me dhimbje mesjetare dhe, kur jeta i përplas në jetën reale të kohës, krijohet një antagonizëm perceptimesh, saqë të interpretosh poezinë e Vaso Pashës është njësoj si t’i dënosh ato një javë pa rrjete sociale, pa internet. Jetojmë në një vend ku dashuria klith prej interesit, prej pozitës sociale, prej dëshirës për t’iu larguar kësaj historie të dhunshme që e kemi të mbartur si një thes premtimesh që as nuk i duam as nuk i hedhim dot. Më vjen keq që më duhet të ndërroj rrugë nga pamundësia sepse nuk dua të përballem me
lypësin e radhës, që është një grua e vobektë dhe një foshnjë që zgjat një dorë për shpresë. Më vjen keq që, ndërkohë që unë ha një peshk, një fëmijë ushqehet vetëm me qurravitjen e tij dhe fle me kërcitje zorrësh në sfond. Më vjen keq që Kosova nuk është në hartën e Shqipërisë dhe që, pavarësisht nacionalizmit të tyre të theksuar e dashurisë për ne, zhvaten paturpësisht në sezonin veror.

Shqipëria është vend i yni, por përtej asaj që duhet të dukemi, është mirë të pranojmë si jemi e ç’ishim. Ky shekull do të jetë apoteoza e dronit, misriprej dekadash importohet, sepse Migjeni e dinte fort mirë se: “at’ botë frynte veri”!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top