Dëshmi

November 26, 2020 | 8:18

Meghan Markle: “Humbja e një fëmije është një dhimbje e padurueshme, flisni për këtë”

Dukesha e Sussex dhe gruaja e Princit Harry, Meghan Markle, ka zbuluar se ka pësuar një abort në korrik dhe ndan përvojën e saj me shpresën për të ndihmuar të tjerët. Markle e tregoi historinë e saj në një artikull në Neë York Times. “Unë e ndjeva, se ndërsa isha duke mbajtur të parëlindurin tim, po humbja të dytin”, shkruan Dukesha, 39 vjeçare, nëna e Archie-së së vogël, 18 muajsh.

Markle tha se dëshiron ta ndajë historinë e saj për të ndihmuar në thyerjen e heshtjes rreth një tragjedie shumë të zakonshme. “Të humbasësh një fëmijë do të thotë të mbash një dhimbje pothuajse të padurueshme, të përjetuar nga shumë, por për të cilën pak flasin”. Më poshtë është një fragment nga historia e saj:

“Ishte një mëngjes korriku që filloi normalisht si çdo ditë tjetër…Bëra mëngjesin. Ushqeva qentë. Piva vitaminat. Gjeta atë çorape që mungon. Mblodha lapsat poshtë tryezës. Mblodha flokët bisht para se të nxirrja fëmijën nga krevati.

Pas ndërrimit të pelenës, ndjeva një ngërç të fortë. Unë rashë në dysheme me të në krahë, duke i kënduar një ninullë për ta mbajtur të qetë, melodia e gëzuar ishte në kontrast të plotë me ndjenjën time se diçka nuk po shkonte.

Unë e kuptova, se ndërsa po mbaja të parëlindurin tim, po humbja të dytin. Disa orë më vonë, isha e shtrirë në një shtrat spitali, duke mbajtur dorën e burrit tim. Ndjeva lagështinë e pëllëmbës së tij dhe i puthja nyjet e tij, të lagura nga lotët tanë. Ndërsa vështroja muret e bardhë e të ftohta, sytë e mi shkëlqyen. U përpoqa të imagjinoja se si do të shëroheshim.

Kujtova një moment të vitit të kaluar kur Harry dhe unë po mbaronim një turne të gjatë në Afrikën e Jugut. Isha e rraskapitur. Unë po i jepja gji foshnjës sonë dhe po përpiqesha të mbaja një imazh të guximshëm në sytë e publikut.

“A jeni mirë?” Më pyeti një gazetar. Unë iu përgjigja me sinqeritet, duke mos ditur që ajo që thashë do të jehonte në kaq shumë nëna të reja dhe të rritura ose për këdo që, në mënyrën e vet, kishte vuajtur në heshtje. Përgjigja ime e improvizuar duket se u dha njerëzve leje të thoshin të vërtetën e tyre. Por nuk ishte përgjigjja e sinqertë që më ndihmoi më shumë, ishte vetë pyetja.

“Faleminderit për pyetjen”, thashë. “Jo shumë njerëz më kanë pyetur nëse jam mirë”. Ulur në një shtrat spitali, duke parë zemrën e burrit tim të thyer ndërsa përpiqej të mbante pjesët e copëtuara të zemrës time, kuptova se mënyra e vetme për të filluar shërimin është që së pari të pyes: “A jeni mirë?”

Në tekst Markle reflekton për marrëdhëniet midis dhimbjes individuale dhe asaj kolektive në një vit, si 2020-a, i cili ka qenë sfidues për të gjithë, nga pandemia Covid-19 te tensionet racore dhe polarizimi politik në Amerikë. “Ne jemi duke iu përshtatur një normaliteti të ri ku fytyrat fshihen nga maskat, por kjo na detyron të shohim në sytë e njëri-tjetrit, herë plot ngrohtësi, herë të tjera me lot. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, si qenie njerëzore, ne po shohim vërtet njëri-tjetrin. A jemi mirë? Do bëhemi mirë”.

 

 

Burimi / https://www.huffingtonpost.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top