Psikofakt

June 20, 2017 | 9:17

Mëkimi i Rozafatit

rozafa-gruaja-e-murosur_n
Kështjellat e mendjes janë të dëlira aq 
sa mund t’i shembë edhe era e ftohtë e veriut, po aq sa fuqia legjendare e fjalëve i mbivendos brenda jush kuptimet. I përkulshëm është mendimi që lind nga njeriu. Ai tjetërsohet në shekuj dhe na risjell, nëpërmjet një legjende, trajtën e një perceptimi delikat e të ndryshueshëm siç është dashuria për jetën dhe vizioni që përfytyrohet në mungesë të saj. Nëse nuk do kishim njërin sy, bota do të përfytyrohej nga syri tjetër, nëse s’do të kishim njërin krah, veprat do të shpresonin në krahun tjetër, nëse nuk do kishim njërën këmbë, udha do përfytyrohej nga këmba tjetër, nëse nuk do kishim njërin gji, mëkimi do shpresonte në gjirin tjetër.

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

A mundet vallë ta përfytyrosh mëshirën nëse nuk do kishe zemrën?! Simetria e trupit nuk na bën të gjymtuar sesa mungesa e humanizmit e një zemre të vdekur. Burim i zemrës është gjiri, andaj femrave u është dhënë mëkimi. Ushqimi i parë për njeriun rrjedh nga gjiri, sepse vetëm nëpërmjet burimeve të zemrës, njeriu ushqen shpirtin dhe kur rritet, ushqen trupin.

Rozafa, një prej legjendave më të vyera shqiptare, përcjell dashurinë nëpërmjet sakrificave, përcjell dashurinë nëpërmjet besnikërisë, dashurinë nëpërmjet sinqeritetit, dashurinë nëpërmjet hipokrizisë, dashurinë nëpërmjet mirëkuptimit, dashurinë nëpërmjet mëshirës, dashurinë nëpërmjet simbolesh, dashurinë nëpërmjet këmbës, syrit, krahut, gjirit. Shkodra zgjodhi Rozafën, kurse Rozafati, përmes shekujsh, zgjodhi tërë femrat, të cilat, nëpërmjet sakrificave, bien viktima të fortesave të tyre të mendjes, të pakujdesive dhe vrullit të jetës së përditshme, të impenjimeve familjare, të të qenit skllave të vetvetes, të altruizmit për fëmijët dhe të neglizhencës për kontrollin e vetes, si fizikisht po aq dhe shpirtërisht. Altruizmi i një nëne shkon përtej “Mëkimit të Rozafatit” aq sa edhe kur i shfaqen probleme shëndetësore të gjirit nuk diagnostikohet, sepse ka frikë të sakrifikojë të tjerët dhe ndërkaq preferon të vetësakrifikohet në piedestal. Gjiri, i trupit dhe i turpit, por mbi të gjitha i zemrës do të jetë gjithnjë natyra juaj femërore e sakrificës, ndaj nëse nuk keni njërin ose tjetrin për arsye shëndetësore, nuk do të thotë që zemra juaj nuk mëkon mëshirë prej mëshirës, dashuri prej dashurisë, humanizëm prej dhembjes dhe sakrificë prej dashurisë. Jeta është e bukur me të gjitha nuancat autike të saj, edhe kur flokët bien nga kimioterapia, edhe kur trupi juaj po dobësohet nga ilaçet, shpirti, të jeni të bindur, po ju shëndoshet, sepse vetëm kur kapërcen nga realiteti i materies bëhesh i vetëdijshëm për vlerat e botës shpirtërore. Kush më mirë se një nënë që mëkon fëmijën e njëkohësisht lufton me qelizat e shumta e të panevojshme të gjirit, i kupton sakrificat dhe e përfytyron botën nëpërmjet Rozafatit, nëpërmjet “Nifës”, nëpërmjet nënave që nuk ia dolën kësaj beteje,
por edhe nëpërmjet atyre që i mbijetuan kësaj beteje të gjymtuara, duke luftuar me frikën dhe pasigurinë e vdekjes, duke mos lënë asnjë gji simbolizues për të vegjlit e tyre jetim. Sfida e shekullit të dixhitalizuar është që, nëpërmjet sakrificave, ta duam ende jetën dhe të jemi shembuj për brezat që vijnë, të na bëjë të reflektojmë për mikeshat e sakrificës në rrugën kundër kancerit të gjirit, kundër qelizave që na bllokojnë burimet e zemrës, por jo mirësitë që rrjedhin prej saj.

Tetori, si muaj simbol i pikut të stinës vjeshtarake, po aq sa parapërgatitëse e sfidave të ardhshme, të zhveshura nga ngrohtësia e gjetheve dhe e gjelbërimit shpresues dhe po aq sa delikatesa reflektuese e zhveshjes së zverdhur të natyrës, të na sensibilizojë për kontrolle të gjirit që është i trupit dhe jo i turpit. Humus i shpirtit për shpirtin bëhet malli kur njeriu zverdhet njëlloj si gjethja dhe ne i frikemi kohës dhe largësisë nga ajo që duam. Është për të ardhur keq që, në malësitë më të skajshme të Shqipërisë, ende komplekset kanunore të rrënjosura ndër breza i neglizhojnë kontrollet dhe diagnostikimet për “Gjirin e trupit dhe turpit” që ruhet në reçipeta.

Ndërkohë “Rozafati” prej shekujsh na vjen e zbërthyer nga turpi i gjirit të mbuluar, nga turpi se gjiri i saj bëhet objekti simbolik i epshit mitologjik, modern dhe postmodern. “Rozafati” vjen e lakuriqësuar nga komplekset e mendjes dhe altruizmi që përcjell legjenda, t’i rezistojë kohës e të shërbejë si fushatë sensibilizuese të mëkimit universal të dashurisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top