FB

October 21, 2025 | 19:00

Menaxhimi i burrave, pse gratë nuk duan më të jenë psikologet e partnerëve të tyre?

Në një kohë kur barazia gjinore ka avancuar në shumë fusha, një çështje mbetet ende shumë e pranishme në marrëdhëniet heteroseksuale: pabarazia emocionale. Gjithnjë e më shumë gra po shprehin refuzimin e tyre për të marrë rolin e psikologes, terapistes apo mbështetëses emocionale të partnerëve të tyre. Në vend të kësaj, ato po zgjedhin të qëndrojnë vetëm, dhe kjo nuk është më thjesht një zgjedhje e përkohshme, por një vendim i vetëdijshëm për mirëqenien e tyre.

menaxhimi-burra

Një “burrëmbajtëse” është një grua që, pa u lodhur, mundohet të mbështesë, motivojë dhe ndihmojë partnerin e saj në çdo aspekt emocional, ndërsa ajo vetë nuk merr të njëjtën ndihmë në kthim. Me kalimin e kohës, kjo sjellje e çon në braktisjen e vetes për të përmbushur nevojat e dikujt tjetër, një model toksik që e lodh, e zbeh dhe e bën të humbasë veten.

Shumë gra sot nuk janë më të gatshme të ndërtojnë një marrëdhënie mbi këtë pabarazi emocionale. Ato nuk duan të jenë më “kujdestare” emocionale të partnerëve të tyre. Nuk duan të trajtojnë trauma të pazgjidhura, të mbajnë barrën e komunikimit emocional apo të zgjidhin problemet e dikujt që nuk është as i vetëdijshëm për to. Kjo është arsyeja pse po flasim gjithnjë e më shpesh për gra që janë beqare me zgjedhje, një zgjedhje që nuk lidhet me mungesën e mundësive, por me refuzimin e një modeli marrëdhënieje të pabarabartë.

 

Çfarë është “Mankeeping” (Mirëmbajtja e Burrave)?

Ky term është përpunuar nga studiues të Universitetit të Stanfordit në vitin 2024, duke u bazuar në konceptin sociologjik të “kinkeeping”, mirëmbajtjes së lidhjeve familjare dhe emocionale. “Mankeeping” është versioni i këtij koncepti i aplikuar në marrëdhëniet heteroseksuale, ku gratë bëhen menaxhere të mirëqenies emocionale të burrave të tyre. Ato marrin përsipër gjithçka: dëgjojnë, këshillojnë, përballojnë shpërthime emocionale, mbështesin në krizë, japin zgjidhje, dhe shpesh e bëjnë këtë pa ndonjë ndihmë apo vlerësim në kthim.

Kjo është veçanërisht e dukshme në një kohë kur rrjetet sociale të burrave po bien në mënyrë të ndjeshme. Studimet tregojnë se burrat (sidomos nga mosha 15 deri në 34 vjeç) kanë më pak miq të ngushtë se gratë dhe janë më pak të gatshëm të ndajnë ndjenjat e tyre. Stereotipet e forta të “burrërisë” – që e përjashtojnë ndjeshmërinë dhe kërkimin e ndihmës – i bëjnë ata të mbyllur emocionalisht. Ata mësohen që një burrë nuk qan, nuk ankohet, nuk kërkon ndihmë. Si rezultat, gruaja bëhet e vetmja “dalje” emocionale që ata kanë.

 

Pasojat e kësaj ngarkese emocionale

Ky lloj raporti, në të cilin njëra palë jep vazhdimisht dhe tjetra vetëm merr, shndërrohet në një marrëdhënie të pabalancuar dhe toksike. Gruaja shtyp nevojat e saj emocionale për t’i dhënë përparësi nevojave të burrit. Ajo e ngushëllon, e motivon, e qetëson, e mbështet, e kupton — por askush nuk e bën të njëjtën për të. Me kalimin e kohës, kjo vetësakrifikim e çon në lodhje të thellë emocionale, ndonjëherë deri në vetëshkatërrim. Dhe nuk është çudi që gjithnjë e më shumë gra, në vend që të hyjnë në marrëdhënie ku duhet të jenë terapiste të partnerit të tyre, po zgjedhin të qëndrojnë vetëm.

 

Pse ndodh kjo?

Në qendër të kësaj situate është mungesa e edukimit emocional të burrave. Dr. Angelica Ferrara, nga Instituti Clayman për Kërkime Gjinore në Stanford, thekson se burrat janë rritur në një kulturë ku shfaqja e ndjenjave shihet si dobësi. Ata nuk mësohen si të përballojnë emocionet, si të komunikojnë, apo si të kërkojnë ndihmë. Kështu, kur hyjnë në një lidhje, përballen për herë të parë me hapësirën emocionale që nuk dinë ta menaxhojnë vetë – dhe kjo u kalon plotësisht grave. Kjo barrë nuk është vetëm e lodhshme – është e padrejtë. Një marrëdhënie e shëndetshme duhet të bazohet në reciprocitet emocional, jo në shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive psikologjike.

 

Pse gratë zgjedhin beqarinë?

Të qenit beqare nuk shihet më si dështim. Përkundrazi, është një zgjedhje për vetë-ruajtje. Gratë po zgjedhin të mos investojnë emocionalisht në marrëdhënie që nuk i mbështesin, që nuk i ndihmojnë, dhe që shpeshherë i lëndojnë. Ato nuk duan më të menaxhojnë partnerë emocionalisht të papjekur, nuk duan të përballojnë trauma që nuk u përkasin dhe nuk duan të sakrifikojnë lumturinë e tyre për stabilitetin emocional të dikujt tjetër. Kjo nuk është urrejtje ndaj burrave, por një reagim ndaj një kulture që i ka mësuar gratë të japin gjithmonë dhe burrat të marrin pa kthim.

 

Në vend të përfundimit

Nëse dëshirojmë marrëdhënie të vërteta dhe të qëndrueshme, burrat duhet të marrin më shumë përgjegjësi emocionale. Duhet të mësojnë të komunikojnë, të ndajnë ndjenjat, të kërkojnë ndihmë dhe të japin mbështetje, jo vetëm ta presin atë. Vetëm atëherë marrëdhëniet mund të jenë vërtet të barabarta dhe të lumtura për të dyja palët.

Deri atëherë, shumë gra do të vazhdojnë të zgjedhin veten, dhe me të drejtë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top