Trajtimi i epilepsive bëhet me barnat antiepileptike (AED). Vetëm te dy-të tretat e fëmijëve me epilepsi mund të ketë kontroll të plotë të krizave nga mjekimi. Meqë tek fëmijët spektri i sindromave epileptike është shumë më i gjerë krahasuar me të rriturit, trajtimi i fëmijëve kërkon trajnimet dhe eksperiencën e nevojshme. Fëmijët përveç larmisë së sindromave të ndryshme epileptike që paraqesin, bëjnë edhe shume episode që ngjajnë me epilepsinë, por në fakt nuk janë epilepsi, prandaj duhet të diferencohen mirë që të mos trajtohen në mënyrë të gabuar.
Në moshat pediatrike mund të hasen çrregullime neurologjike, që janë shkaktare të epilepsisë. Disa nga AED nuk janë të aprovuara për t’u përdorur në moshat pediatrike, megjithatë ndonjëherë e kërkon nevoja të përdoren “off label”. Mënyra se si barnat antiepileptikë përthithen në organizëm ndryshon tek fëmija nga i rrituri. Efektet anësore janë të ndryshme në mosha të ndryshme.
Hapat në trajtimin e epilepsive
Pikësëpari, identifikimi i llojit të krizës është një moment thelbësor. Regjistrimi i krizës nga prindërit është tepër i rëndësishëm për të diferencuar nëse kemi të bëjmë me një krizë epileptike apo jo dhe për të përcaktuar më tej se cili është lloji i sindromës epileptike. Tek fëmijët përjashtimi i shkaqeve metabolike është i domosdoshëm. Rëndësi i kushtohet evidentimit të sëmundjeve bashkëshoqëruese si prapambetja mendore, paraliza cerebrale, çrregullimet konjitive etj. Në disa raste mjekimi me AED është i kotë, nëse nuk është zbuluar dhe trajtuar shkaktari i epilepsisë si deficenca e piridoksinës, deficenca e biotinidazes apo defekti në transportin e glukozës.
Kur duhet filluar mjekimi
Përgjithësisht trajtimi me antiepileptikë nuk është i rekomanduar me një krizë të vetme. Rreziku që kanë efektet anësore të mjekimeve mund ta kalojë rrezikun që mund të ketë një krizë konvulsive. Prandaj përpara trajtimit duhet të bëjmë balancën risk-përfitim. Ka disa lloje krizash, ku mjekimi me AED mund të mos jetë i nevojshëm si konvulsionet febrile, epilepsia rolandike etj. Përpara se të fillohet trajtimi, duhet përcaktuar risku për kriza të mëtejshme. Nëse fëmija ka pasur vetëm një krizë me shkak të papërcaktuar, ekzaminim neurologjik normal dhe EEG normal, rreziku për të pasur një krizë pasardhëse është i ulët. Në këtë rast është mirë të presim. Por në rast se kriza shoqërohet me ekzaminim neurologjik jonormal apo anomali në EEG, rreziku është i lartë.
Mjekimi i përshtatshëm
Përpara fillimit të mjekimit duhet të merren në konsideratë dy momente. Pikësëpari, zgjedhja e mjekimit në bazë të sindromës, por edhe efektet anësore të mjekimit, bazuar në karakteristikat individuale që ka secili individ që do të trajtohet. Efektet anësore kanë lidhje edhe me moshën. Studimet kanë treguar se dëmtimet hepatike që mund të vijnë nga përdorimi i Acidit Valproik apo sindroma Stevens-Johnson nga Lamotrigina më shpesh vërehen tek fëmijët. Shpeshherë mjekët preferojnë të përdorin antiepileptik me spektër të gjerë, përsa kohë nuk është përcaktuar saktësisht lloji i sindromës. Gjithmonë fillohet mjekimi me një antiepileptik dhe i dyti mund të shtohet në terapi në format rezistente. Fillimi i njëhershëm i dy medikamenteve është i papranueshëm. Mjekimi fillohet gradualisht, duke arritur një dozë mbajtëse nga 2 deri 6 javë, në varësi të medikamentit që përdoret. Qëllimi i terapisë do të jetë ndalimi i krizave dhe pa efekte anësore. Matja e nivelit të AED në gjak bëhet kur ne na lindin pyetje për të cilat na e jep zgjidhjen përcaktimi i nivelit të medikamentit në gjak.
Kur ndalohet mjekimi?
Nuk ka një protokoll të saktë se kur është koha e përshtatshme për ndërprerjen e mjekimit, por ka gjetur përkrahje të gjerë fakti që mjekimi duhet të fillojë të ndërpritet pas një periudhe 2-vjeçare pa kriza dhe të dhëna të EEG (ezhe) të normalizuara. Përpara se të hiqet mjekimi, duhet biseduar me prindërit. Regjistrimi i EEG përpara vendimit për heqjen e mjekimit është tepër i rëndësishëm, por në raste të caktuara mjekimi duhet vazhduar dhe më shumë. Kjo bëhet në bazë të një vlerësimi që bën mjeku për rrezikun për rishfaqjen e sëmundjes mbas ndërprerjes së barnave. Risku për rishfaqjen e sëmundjes pas ndërprerjes se mjekimit është më i ulët tek fëmijët (20-39%) sesa tek të rriturit (40-50%). Heqja e mjekimit mund të bëhet gradualisht sipas skemës 3-mujore apo 6-mujore. Ketë gjë e vendos mjeku, duke e biseduar së bashku me prindin në varësi të karakteristikave të fëmijës që mjekohet. Në rast se krizat rikthehen mbas ndërprerjes së mjekimit, duhet rifilluar i njëjti mjekim që ishte efektiv më parë. Shpesh prindërit janë të frikësuar kur mësojmë se fëmija i tyre është i diagnostikuar me epilepsi. Ata e përkufizojnë epilepsinë si një sëmundje që lë pasoja mendore. Por jo gjithmonë epilepsia shoqërohet me prapambetje. Ka shumë pacientë, që mbas disa vitesh që i është hequr mjekimi, bëjnë jetë normale, pa kriza dhe sigurisht kanë rezultate të shkëlqyera në mësime.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.