Mirëqenie

July 13, 2016 | 8:06

Mendja dhe nënmendja

1Dihet që njeriu ndijon nëpërmjet veshëve, syve, gjuhës, hundës, lëkurës dhe vepron me organet lëvizëse, si duart, këmbët, zërin, organet seksuale dhe organet sekretuese, ku tërë ky aktivitet ngacmon dhe ngacmohet nga ajo që quhet shtresa e jashtme e mendjes, e thënë ndryshe ndërgjegje. Kjo përfaqëson në një kuptim tjetër shtresën e parë të mendjes së njeriut, që ndryshe quhet shtresa e dëshirës, shtresa që merret me ndjesitë apo me reagimet si të ndiejmë, të duam apo të mos duam diçka dhe të veprojmë apo të mos veprojmë kundrejt diçkaje. Kjo shtresë e mendjes quhet ndryshe dhe mendje e ndërgjegjshme, pikërisht ajo mendje, të cilën njeriu në miliona vjeçare e trashëgon dhe që katërcipërisht i ngjason me atë të qenieve me ndërgjegje të ulët, të quajtur ndryshe gjitarë (qen, ari, ujk, delfin, kalë, luan, elefant etj.) ose në zhargonin e përditshëm kafshë. Kështu, në këtë nivel të ndërgjegjshëm të dëshirës instiktive dhe të mosdëshirës, njerëzit janë të ngjashëm me këtë grup kafshësh, të nxitur nga katër instinkte bazë si uria, gjumi, frika, seksi. Këto instinkte janë natyrale dhe nuk mund t`i mohojmë tërësisht, por që mendja të funksionojë me kapacitet të plotë, këto instinkte duhet të analizohen, të kontrollohen dhe të plotësohen me aktivitetin e mendjeve nën dhe mbi, ose e shtresës së dytë dhe të tretë të mendjes, të cilat do t`i analizojmë më poshtë. Në një kuptim tjetër, përdorimi i mendjes së parë, nëse do mund ta klasifikonim kështu, ose thjesht e mendjes së prodhuar nga vetëm ajo që quhet ndërgjegje, quhet ndryshe aktivitet i shtresës së jashtme, apo thjesht reagim i fundeve nervore që në gjuhën shqipe quhet gjegje, gjegjet ose në gjuhën pellazge thirrej me fjalën njërrokëshe “gjegj”, nga erdhi togfjalëshi ndërgjegje apo ndërveprim i perceptimeve ndijore. Madje, edhe në gjuhët latine, ajo prapë thirrej sipas kuptimit shqip “la cosienca”, kam reaguar me bazë të shqisave. Kjo shtresë njihet me termin “trupi fizik” dhe drejtohet nga sistemi i gjëndrave endokrine që nxisin të gjitha aktivitetet tona të përditshme. Nga ana e tyre, këto gjëndra janë të lidhura ngushtë me gjëndrën pienale që ndodhet në qendër të trurit. Ekziston një lidhje e fortë ekuilibri midis kësaj gjëndre qendrore të trurit, pikërisht aty ku prodhohet ose vendosen raportet e serotoninës me melatoninën, me gjëndrat e tjera të organizmit tonë. Është kjo gjëndër, që ka si funksion pikë së pari nxitjen e gjëndrës endokrine në trupin tonë, si gjëndrën tiroide, e pastaj me radhë atë mbiveshkore, atë tek vezoret, testikujt etj., çka bën që njeriu, si dhe çdo qenie tjetër gjitare me ndërgjegje të ulët, të ketë ekuilibra truporë, mendorë dhe/ose shpirtërorë. Deri në këto nivele, njeriu nuk ka ndryshim të madh me kafshët e sipërpërmendura gjitare të një fiziologjie pak më të ulët, veçse njeriu, për shkak të institucioneve të shumta edukative që ndodhen, arrin dhe i përmirëson instinktet, ndjenjat, i kultivon ato, ndërkohë që kafshët kanë apo zotërojnë instinkte të përkryera, të pjekura në miliona vjet, të mbrujtura me eksperiencë, ndryshe nga njeriu që ka më pak eksperiencë se ato me natyrën. Nga ana tjetër, njeriu ka ndërgjegje më të lartë, si rrjedhojë gjykim më të madh, por kjo aftësi, pra të qenit pak më me talent se qeniet me ndërgjegje të ulët, e bën më përtac, më të përkëdhelur. Ja përse qentë, arinjtë, kuajt, delfinët, luanët, ujqërit etj., janë më miqësorë, më punëtorë, më të ndjeshëm, më të dhimbshëm, më të hakikatshëm, më të dashur, më besnikë se shumica e qenieve me dy këmbë. Për këto arsye,  ata kanë po aq të drejtë, madje kushtetuese, që t’u mbrohet jeta, familja, mirëqenia, standardi etj. Ndaj dhe sot, shumë nga shtetet në botë kanë mundur të hartojnë ligje deri në kushtetuta për mbrojtjen e jetës së qenieve me ndërgjegje të ulët, njësoj sikur me qenë popull apo njerëz.

Shtresa e dytë – mendja nënndërgjegje ose nëndija

Njeriu, ndryshe nga kafshët, zotëron edhe një shtresë tjetër të mendjes ose zotëron një hapësirë ku i piqen mendimet, apo vend ku rrihen ato. Më saktë, ka një enë ku zanafillojnë dijet që drejtojnë njeriun, por sidomos për punëra të mëdha. Në fakt, mendja e nënndërgjegjshme ose e vetëdijes, shpesh është më e zgjuar se mendja e ndërgjegjshme ose ajo e dijes. Ajo ka dy funksione bazë, si atë të mendimit të thellë dhe/ose atë të analizimit apo shqyrtimit të informacionit me kujtesat përkatëse. Kjo mendje kap atë shkallë, që ndryshe quhet nivel i mendimit të pjekur, ku mendimi përmban integrim apo interpretim të dhënash deri në përgjithësim filozofik të tij. Madje, në bazë të përpunimit që ti i ofron mendimit, si pjesë të ndërgjegjes apo si pjesë të nënndërgjegjes apo vetëdijes, lind dhe zhvillohet kujtesa, e cila nga ana e saj ndahet në kujtesë e brendshme ose cerebrale dhe kujtesë e jashtme apo periferike ose jashtë cerebrale. Sigurisht, kujtesa cerebrale ruan raporte të caktuara me atë periferike. P.sh., në moshë të vogël, njeriu, për shkak të nivelit të ulët të përdorimit të vetëdijes ose të nënndërgjegjes, ka dhe zotëron më tepër kujtesë cerebrale të jashtme apo periferike, duke mbajtur më tepër mend numrat, datat, faktet, emrat, fytyrat etj., por që logjika sigurisht nuk është e fortë ose lë për të dëshiruar. Me kalimin e moshës, sidomos pas të tridhjetave, ky raport fillon e përmirësohet në dobi të kujtesës cerebrale të brendshme, por veçanërisht mbas të 40-ve ky raport normalisht duhet të mbizotërojë tek njeriu, nëse ai është përpjekur ta përdorë atë qysh në rininë e vet, në dobi të funksionit të kujtesës cerebrale, e thënë ndryshe e mendjes së trurit. Dhe mbas të 50-ve, njeriu fillon e dobëson kujtesën periferike, duke filluar të harrojë emrat ose mësimin përmendësh, dhe pas të 60-ve mund të fillojë të harrojë edhe më tepër se emrat, deri fytyra, por kjo nuk do të thotë se ai është në nivelin e të hutuarit, apo të të rrjedhurit, nëse, gjithmonë, ai ruan logjikën, për pasojë edhe kujtesën cerebrale. Ai arrin në këto nivele, nëse ai, njeriu, i ka humbur të dyja këto kujtesa, le të themi harron dyqanin e pantallonave hapur. Është kjo mendje apo kjo kujtesë që dallon qenien me ndërgjegje të lartë (njeriun) nga ato me ndërgjegje të ulët (kafshët). Është kjo mendje apo kjo kujtesë që stërvitet, kultivohet apo mësohet. Është kjo mendje apo kjo kujtesë me të cilën duhet të mburret njeriu. Është kjo mendje apo kjo kujtesë, që njeriu ia ka borxh Zotit për ata që besojnë dhe/ose natyrës për ata që nuk besojnë. Është kjo mendje apo kjo kujtesë që edhe po të ushtrohen e ta stërvitin kafshët, nuk i arrijnë dot kurrë nivelet njerëzore. Është kjo mendje apo kjo kujtesë që njerëzit e lënë të flejë, dyst, të rrafshët, që pastaj trashet e pastaj në përputhje me të, trash edhe fytyrën apo trupin e vet. Dhe së fundmi, por jo e fundit, është kjo mendje apo kjo kujtesë që quhet tru, ose cervelo në gjuhën mjekësore, sepse hopi sasior dhe cilësor në zhvillimin e trurit të përparmë tek njeriu është shumë i dukshëm. Rritja e konsiderueshme e numrit të neuroneve ka ushtruar atë presion mbi kupolën e kafkës, duke rrudhosur sipërfaqen e trurit ndryshe nga qeniet e tjera më të ulëta të gjalla, duke i dhënë kështu organit kuptimin e asaj që quhet tru. “Brain training”, sipas filozofive të sotme amerikane, por më tepër sipas filozofive të vjetra të kohës pellazge, egjiptiane deri në ato të Konfucit (Kinë), e quajtur vençe stërvitja e trurit, përbën një nga gjimnastika, por më së tepërmi ilaçet më të mira të mendjes. Në trurin e gjithsecilit prej nesh zënë vend mori “qelizash staminale”, që ndryshe quhen qeliza të padiferencuara, të cilat janë të gatshme që të specializohen aty dhe atëherë kur është e nevojshme. “Plastika Cerebrale”, ose të ushtruarit e trurit, bën që ato të mund të shndërrohen, të forcohen, të zhduken ose të formohen që nga fillimi përgjatë gjithë jetës së tyre. Në trurin tonë ekziston pothuajse një botë e tërë që është e aftë të mund transformohet dita-ditës. Ne jemi ata që vendosim, nëse ky transformim do të bëhet për mirë apo për keq.

Shtresa e tretë

Në ekuilibër mendor

Por njeriu paskërka edhe një shtresë tjetër të mendjes, që quhet niveli i tretë i të menduarit ose shtresa e tretë e trurit. Sipas një kuptimi tjetër, thirret ndryshe mendje supermendore, e mbivetëdijes. E asaj mendje që quhet mister, e palëvizshme, e pandryshuar, apo nuk mund të dëgjohet, nuk mund të preket. Është e paformë, e lidhur mistikisht me qiellin, prandaj dhe quhet mendje kozmike, por edhe me tokën, prandaj dhe quhet me këmbë në tokë, që ka si veçanti se është përtej hapësirës e kohës. Kjo është shtresa e intuitës, e mprehtësisë, kreative, e ëndrrave, e intuitave e fenomeneve paranormale. Kjo mendje është më shumë atribut i dhënë nga natyra për ata që nuk besojnë ose nga Zoti për ata që besojnë, që u jepet pak njerëzve, ndoshta një për milion. Kjo mendje fle zakonisht tek shkencëtarët, poetët, njerëzit e mëdhenj të politikës, tek disa besimtarë e deri tek disa njerëz të zakonshëm, me dhunti shëruese apo hipnotizuese. Këta njerëz zotërojnë energji pozitive e negative, shpesh energji Zoti e Djalli, energji fjale e fizike, energji mendje e truri, dhe si të tillë, ata janë të aftë të induktojnë energji tek të tjerët, të zotë të ndiqen nga turma ose të aftë të udhëheqin kombe. Këta njerëz komunikojnë me yjet, por edhe preken nga lëvizjet e tyre. Ata fjalosen me planetët, por edhe ndikohen prej tyre, por më tepër ata bisedojnë me Hënën dhe prandaj, jo rrallë, e pësojnë prej saj, sidomos kur hëna ndodhet në mpakjen apo në të përplotën e saj. Tek njerëzit me energjitë e sipërcituara futen edhe ata që hipnotizojnë, ose dhe ata që shërojnë me biorrymë, që shpesh janë njerëz me mbienergji dhe e shkarkojnë, duke e shkëmbyer atë tek ata që vuajnë nga sëmundjet shpirtërore dhe organike, duke u induktuar energji atyre, sikundër furnizohet me karburant një automjet. Hipnotizimet po përdoren shumë në psikoterapi, deri për anestezi në stomatologji etj., por kjo mendohet se është e dëmshme, pasi personat që hipnotizohen humbasin diçka nga energjia e tyre mendore ose kthehen në të varur, në dembelë, duke pritur prej të tjerëve, duke mos aktivizuar atë rezervë të tyren. Edhe sepse qëllimi si qenie e ndërgjegjshme nuk është transformimi i mendjes së secilit person nga vullneti i dikujt tjetër, por duke zotëruar veten tonë, mendjen tonë. Kjo arrihet nëpërmjet përgatitjes, siç thamë më lart, me anë të autosugjestionit. E kini vënë re që për të njëjtën sëmundje dikush e kalon dhe e harron, dikush e lëshon veten dhe e thellon atë? Prandaj, është shumë e rëndësishme që njeriu të kultivojë mendjen e fshehur, atë të vetëdijes, të brendshmen, atë që drejton në jetë, në gëzim e në hidhërim, në përplasje e në humbje. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi është që njeriu për të pasur një jetë të përkorë, të shtruar e të qetë, duhet që më parë të arrijë ekuilibrin në mendjen e vet, që më pas ajo të shpërndahet në trup deri në organin e sëmurë me një patologji të caktuar. P.sh., që të funksionojë normalisht një organizëm, dhe në veçanti një femër-vajzë-grua-nënë, e cila do të kalojë në faza të ndryshme të jetës, si të kalimit të fazës së pubertetit, të pasurit e një cikli menstrual të rregullt, e një konceptimi të lehtë të shtatzënisë, të pasurit e një laktacioni të përsosur, të një aktiviteti mbarëvajtës të fëmijëve deri në të pasurit e një menopauze të qetë, duhet që mendja e kësaj gruaje të jetë në radhë të parë e ekuilibruar. Po aq e domosdoshme është kjo edhe për meshkujt, për të kontrolluar epshet ndaj pijeve, ndaj dhunës, deri në kontrollin e sëmundjeve fizike trupore, që më shumë lidhen me probleme psikomotore sesa realisht me ato organike e fizike. Kësisoj, që trupi të funksionojë në mënyrë të ekuilibruar i duhet më parë të arrijë ekuilibrin në mendjen e tij, pra duhet të jetë mendja që të funksionojë në mënyrë të ekuilibruar. Ndaj dhe sot, si dikur në fillimet e veta, njerëzimi po i kushton vëmendje kësaj teknike, për të pasur rezultate në shërimin e trupit apo të organeve patologjive. Ai sa vjen e më tepër po gjen metodat, të cilat i japin përparësi mendjes para trupit dhe sot po sjellin një revolucion në trajtimin jo “medikamentos-ilaçe” të një pjese të konsiderueshme të patologjive të organizmit. Për të arritur në ekuilibrin mendor, njeriu është i detyruar të praktikojë mendjen apo të ushtrojë e kultivojë trurin, sepse truri, ndryshe nga të gjitha organet e tjera, është i vetmi organ që ruan rezerva të mëdha pune, aq sa njeriu e përdor atë deri në një apo dy për qind të tij. Edhe njerëzit më të mëdhenj të mendjes si Mendelejevi, Lenini, Marksi, Pushkini, Tolstoi, Shekspiri, Moisiu etj., e kanë përdorur atë në jo më shumë se 2%. Pra, truri ushtrohet, dhe duke qenë pothuajse muskul stërvitet, rrudhet apo brazdohet. Dhe sa më shumë të rrudhet e të brazdohet, aq më i frytshëm është, dhe e kundërta sa më planar dhe i dystë të jetë, aq më i papjekur është. Madje, një tru me brazda bën që të përthithë probleme ose të mbajë ngarkesë, të fshehë stresin ose të bëjë që stresi apo shqetësimi të humbasë nëpër brazdat e tij, madje jo vetëm këto, por edhe lodhja, ngarkesa, presioni, hidhërimi, gëzimi etj. Ndryshe, këto ndjesi në një tru rrafsh reflektohen, pra nuk ka ku fshihet dhe plas atje ku njeriu ka një pikë të dobët, të trashëguar nga të parët e vet, që asnjëherë dhe kurrkujt nuk i mungon. Kësisoj, truri stërvitet me lexim, me studim, me krijim, me meditim, me mësim përmendësh, me mësim gjuhësh të huaja, me matematikë, me poezi, me pikturë, por mbi të gjitha me procese si lutje, me procese si meditime ose praktika joge, që janë shpjeguar gjetiu nga autori. Këto praktika janë: Qetësimi i valëve të turbullta të mendjes së ndërgjegjshme. Kjo realizohet nëpërmjet qetësimit të nervave me ushqime të lehta, të cilat më pas e sjellin trupin në një gjendje prehje të plotë për periudha të gjata kohe; ushqimi vegjetarian dhe shmangia e yndyrave të dëmshme, mishit shtazor dhe ushqimet që çojnë në mbipeshë dhe zbutja e aktivitetit të shqisave kanë rëndësi të mëdha në qetësimin e mendjes. Në këtë mënyrë ne ekuilibrojmë aktivitetet tona, shëndetin tonë fizik e mendor dhe njohim më mirë veten dhe fuqinë mbizotëruese e të përjetshme të mendjes sonë. Janë këto praktika që stërvitin mendjen e brendshme apo trurin, që e bëjnë njeriun të ndiejë atë që duhet dhe ashtu si duhet, dhe jo atë që thjesht e instinktivisht pëlqen, që e bëjnë njeriun të shijojë atë që i bëhet mirë trupit e trurit, dhe jo atë që i kënaq gjuhën etj. Për këtë lipsen katër elementë për ta mbajtur trurin në formë si: loja ose lëvizja, që ndihmon në gjallërimin dhe prodhimin e lëngut të haresë ose të endomorfinës; sporti, që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve celebro-vaskulare (si p.sh. liktusi); muzika, që vë në lëvizje zona të caktuara të trurit, si dhe rizgjon kujtime dhe emocione; humori i mirë që mund të ndihmojë të ndihesh mirë mendërisht dhe fizikisht, ndryshe nga depresioni, që është “loja” më e keqe që mund t’i bëhet trurit, duke krijuar në këtë mënyrë “qarqe të shkurtra”. Është i njohur fakti se sëmundjet mendore prekin më tepër njerëzit të cilët e “flenë” trurin, tregonte Orazio Zanetti. Këto studime rezultojnë në dy elemente të reja: i pari është se truri i stërvitur plaket më vonë, kurse i dyti tregon se arritjet mendore mund të përmirësohen në çdo moshë. Një proverb i vjetër pellazg që i referohet trurit thotë: “Përdore nëse nuk do që ta humbasësh”, që në psikologjinë e kohës së sotme përkthehet ose nënkupton “Use it or lose it”. Një psikolog tjetër përtej detit, gjermani Jean Paul, porosit “Loja është diçka shumë serioze, madje jashtëzakonisht shumë serioze”. Dhe një tjetër si Salvatore Gianquinto përfundon se “Truri është më i stimuluar, kur vështirësia e ushtrimit është më e madhe”.

Botuar në revistën Psikologji, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top