FB

May 6, 2022 | 11:40

Mendoni se 8 orë gjumë janë mjaftueshëm? Ja çfarë tregojnë studimet e fundit…

Shumica prej nesh e kanë përvetësuar këtë rregull: Një natë e plotë me gjumë do të thotë tetë orë për të rriturit. Por kjo mund të mos jetë më e vërtetë, pasi njerëzit arrijnë një moshë të caktuar.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë zbuluan se shtatë orë gjumë mund të jenë koha ideale e gjumit për njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar.  Në një studim të botuar në revistën “Nature Aging”, studiuesit thanë se shtatë orë gjumë ishin më idealet për shëndetin mendor.

Pjesëmarrësit në studim raportuan sjelljet e tyre të gjumit dhe gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor. Ata iu nënshtruan një sërë ushtrimesh që lidheshin me aftësitë konjitive, të cilat testuan shpejtësinë e tyre të përpunimit të informacionit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Ata që kishin pasur shtatë orë gjumë të pandërprerë, ia dolën më mirë.

Megjithatë, duhet qartësuar diçka: 94% e pjesëmarrësve ishin të bardhë, kështu që është e paqartë nëse rezultatet janë të vërteta për njerëzit me ngjyrë dhe prejardhje të tjera etnike ose kulturore. Një faktor tjetër i rëndësishëm është qëndrueshmëria. Rezultatet më të mira u panë tek njerëzit që treguan vetëm pak luhatje në rutinën e tyre të gjumit për periudha të gjata kohore dhe që ishin besnikë të periudhës shtatë-orëshe.

Gjumë i ndërprerë rrezik për demencë

“Të bësh një gjumë të mirë gjatë natës është e rëndësishme në të gjitha fazat e jetës, por veçanërisht teksa plakemi” – tha Barbara Sahakian, profesore në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkëautore e studimit. Studiuesit thanë se mungesa e gjumit ka të ngjarë të pengojë procesin e trurit për të çliruar veten nga toksinat. Ata gjithashtu thonë se një ndërprerje e gjumit të ngadaltë ose të thellë mund të jetë përgjegjës në përkeqësimin e aftësive konjitive.

Trazimi i gjumit të thellë ndikon në dëmtimin e kujtesës dhe kjo mund të çojë në akumulimin e amiloidit, një proteinë që – nëse nuk funksionon siç duhet – mund të shkaktojë “konfuzion” në tru, pra çon drejt demencës.

Gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt mund të jetë një faktor rreziku për plakjen e trurit. “Nuk mund të themi përfundimisht se pak gjumë ose shumë gjumë shkakton probleme me aftësitë konjitive”  – thotë Jianfeng Feng, studiues i trurit dhe profesor në Universitetin Fudan. “Por arsyet pse njerëzit e moshuar kanë gjumë më të dobët duket të jenë komplekse, të ndikuara nga një kombinim i përbërjes sonë gjenetike dhe strukturës së trurit tonë.”

Kohëzgjatja e gjumit ndikon në strukturën e trurit

Studiuesit analizuan gjithashtu imazhet e trurit dhe të dhënat gjenetike, por ato të dhëna ishin të disponueshme vetëm për më pak se 40.000 pjesëmarrës. Këto të dhëna treguan se sasia e gjumit mund të lidhet me ndryshimet në strukturën e rajoneve të trurit si hipokampusi, i cili konsiderohet qendra e kujtesës dhe mësimit në tru, dhe korteksi precentral, i cili është përgjegjës për kryerjen e lëvizjeve të vullnetshme.

Meqenëse rreziku i Alzheimerit dhe demencës – sëmundjet e plakjes që vijnë me dëmtime të aftësive konjitive– është i lidhur me kohëzgjatjen e gjumit, studiuesit thanë se puna e mëtejshme në fushën e shkencës së gjumit është thelbësore.

“Gjetja e mënyrave për të përmirësuar gjumin për njerëzit e moshuar mund të jetë vendimtare për t’i ndihmuar ata të ruajnë shëndetin dhe mirëqenien e mirë mendore dhe të shmangin rënien e aftësive konjitive, veçanërisht për pacientët me çrregullime psikiatrike ” – tha Sahakian.

 

 

Burimi / https://www.dw.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top