Kam frikë nga dashuria, sepse dikur më lënduan, kështu që tani kam frikë se, duke u dashuruar përsëri, do të ndodhë përsëri i njëjti zhgënim. Kam frikë të lë një punë që nuk më pëlqen, sepse nuk e di nëse do të jem në gjendje të gjej një tjetër që do të më lejojë të paguaj faturat. Kam frikë të them atë që mendoj, kështu që hesht, për të shmangur refuzimin dhe sepse kam frikë nga reagimi i të tjerëve. Kam frikë nga udhëtimet, sepse ndoshta diçka më ndodh.
Dashuria është gjithmonë një rrezik, ndryshimi është gjithmonë një rrezik dhe të jesh vetvetja është një domosdoshmëri. Pse kemi kaq frikë nga marrja e këtij rreziku? Meqenëse kemi një sistem besimi të rrënjosur thellë, ne priremi të përgjithësojmë atë që mund të japë lumturi, pa menduar se ajo që e bën të lumtur një person nuk e bën domosdoshmërisht të lumtur një tjetër.
“Disa prindër janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre, përveçse t’i lejojnë ata të jenë vetvetja.”
Nga çfarë frikësohesh?
Kur jemi të rinj, kemi frikë nga disa gjëra, por me kalimin e kohës fillojmë të fusim modele në trurin tonë që krijojnë frikë bazuar në përvojën tonë. Disa shembuj janë: “Kam frikë të lë partnerin tim pavarësisht se jam i pakënaqur, sepse nuk di të jetoj vetëm”, “Kam frikë nga ndryshimi i punës, edhe nëse kjo aktuale nuk më kënaq aspak”.
Imagjinoni për një moment si do të ishte jeta juaj në pesë vjet nëse nuk do të ndryshonit asgjë. A nuk është më e frikshme kështu e ardhmja?
“Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë”.
(Mahatma Gandhi)
Fakti i kufizimit të vetvetes dhe mosdashja për të ndryshuar ndodh për shkak të frikës, e cila, si një emocion, mund të menaxhohet dhe transformohet.
Kur njerëzit e lënë mënjanë frikën, ata fillojnë të bëjnë atë që duan me jetën e tyre, dhe jo ajo që të tjerët do të donin të bënin. Gjëja e parë që duhet të bëni, është të identifikoni origjinën e frikës suaj, dhe pastaj t’i përballoni ato.
Frika nga ndryshimi
Shpesh, gjatë jetës, ankohemi për shumë gjëra që bezdisin, zemërojnë, na bëjnë të palumtur, të pakëndshëm, etj. Por a keni menduar nëse keni bërë ndonjëherë diçka për të ndryshuar këtë situatë kaq të pakëndshme për ju?
Ajo që të frikëson vërtet është dështimi. Sidoqoftë, duhet të mbani mend gjithmonë se pasiguria është pjesë e jetës dhe se kurrë nuk do ta dini saktësisht se çfarë do të ndodhë; këtë do ta mësoni përmes dështimit.
Frika nga liria
Liria nënkupton një përgjegjësi, pasi ne nuk varemi nga të tjerët, por nga vetja jonë. Është koha të mos presim që vepra e jetës sonë të bjerë nga qielli, që partneri i ëndrrave tona të shfaqet para nesh si me magji. Çdo ëndërr kërkon guximin për të marrë përgjegjësi për lirinë që dëshirojmë. Gjithmonë mbani mend se liria është për njerëzit trima.
Frika për të marrë përsipër frenat e jetës sonë
Kemi frikë të marrim në dorë frenat e jetës sonë dhe i admirojmë ata që e bëjnë: ata që lënë gjithçka për të bërë një udhëtim nëpër botë, ata që lënë një punë për t’iu kushtuar pasioneve të tyre, etj. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: a jemi vërtet njerëzit që duam të jemi?
Të marrësh frenat e jetës sonë në dorë do të thotë të marrësh vendime, vendime që do të na drejtojnë në rrugën e zgjedhur nga ne, pa marrë parasysh atë që të tjerët besojnë se është e drejtë për ne. Çfarë na pëlqen vërtet? Çfarë na dikton zemra? Zemra gjithmonë duhet të dëgjohet, nuk mund të gabojë.
A jeni mjaft i guximshëm për të ndryshuar?
Marrja në dorë e jetës, lënia e frikës, marrja e rrezikut për të qenë i lirë, të qenit përgjegjës për veten tuaj … Të gjitha këto janë veprime të guximshme. Secili prej nesh është i aftë të tejkalojë vetveten dhe të jetojë jetën që dëshiron; për ta bërë këtë, do t’ju duhet një guxim i madh.
Pasi të keni kapërcyer frikën në një fazë të caktuar të jetës tuaj, aftësia për të ndërmarrë rreziqe do të rritet, pasi do të jeni të vetëdijshëm për faktin që vazhdimisht po mësoni, dhe se dështimi është pjesë e ekzistencës. Sa herë që ushtroni lirinë tuaj, do të jeni më afër arritjes së ëndrrave tuaja.
Përgatiti Orjona Tresa / Burimi La luce nel buio
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.