Nga Katerina Isufaj
Të jesh prind i një fëmije me çrregullim të spektrit autik, mund të jetë e vështirë. Rrëfimi i mëposhtëm tregon sakrificat e një nënë, paragjykimet dhe vështirësitë që ka hasur në plot 7 vite. Por, e rëndësishme është se ajo ndihet krenare më shumë se kurrë për fëmijën e saj, dhe se autizmi është vetëm një fjalë, asgjë më shumë…
INTERVISTA
Si është të rrisësh një fëmijë me çrregullim të spektrit autik? A ka vështirësi?
Të jesh prind i një fëmije me këtë lloj çrregullimi është e vështirë, padyshim. Jetojmë në një shoqëri diskriminuese, si fëmijë, edhe të rritur. E rëndësishme është që unë e kam pranuar të voglin tim që në fillim, sapo e mora vesh, dhe nuk jam penduar aspak për këtë zgjedhje. Ai është gjaku im.
Prej sa vitesh bashkëjetoni me këtë ndryshim në jetën tuaj?
Fëmija im është 7 vjeç, pra, plot 7 vite të bekuara që kam në jetën time këtë engjëll.
Si e morët vesh?
Në fakt, unë e kam marrë vesh vitin e parë, ai sapo kishte mbushur 8-muaj. Ishte pikërisht momenti që ‘bota po rrotullohej’ sipër meje. Aty kam mbledhur forcat bashkë me bashkëshortin tim, dhe ja dolëm ta pranonim këtë gjë, madje të jetonim kaq të lumtur më fëmijën tonë.
Cilët hapa ndoqët?
Si fillim, hapi më i rëndësishëm është ta pranosh më gjithë zemër fëmijën tënd, sido që të jetë. Mbështetja nga të tjerët, sidomos nga familjarët (prindërit e mi dhe të burrit), ishte e madhe. Të paktën kjo gjë më dha më shumë siguri në gjithë atë situatë. Më pas, thjesht vazhdova dhe e mora shumë normalisht. Isha e vendosur se atij fëmije s’kishte për t’i munguar asgjë, dhe dashuria për të do të ishte shumë e madhe.
Sa e rëndësishme është të kapet sa më herët ky çrregullim?
Kjo gjë është shumë e rëndësishme, si për prindërit, ashtu edhe për vet fëmijën. Ti fillon të përshtatesh me idenë e të qenit në një situatë pak më ndryshe nga të tjerat. Por, kur e kap më shpejt, ke edhe mundësinë për t’u lidhur me mjekë dhe psikologë të ndryshëm, në mënyrë që të jesh e gatshme për fëmijën.
Paragjykoheni?
Po, s’ka se si të ndodhë ndryshe në një shoqëri të tillë. Vitet e para kam jetuar në qytetin e Fierit, dhe me keqardhje them se kam pasur paragjykime të shumta nga shoqëria përreth. Kjo situatë e rëndomtë fillonte që nga njerëzit e lagjes ku jetoja, e deri në kopshtin në të cilin ‘edukoja’ djalin tim. Ishte shumë zhgënjyese e gjitha kjo, ishte dhe madje një nga arsyet pse jam larguar jashtë shtetit (Florida) me familjen time. Tani, çdo gjë shkon shumë mirë, paragjykimet nuk ekzistojnë fare rreth nesh, madje kemi një mbështetje të jashtëzakonshme. Mentaliteti i një shoqërie mund të shkatërrojë mirëqenien e njeriut.
Kush paragjykon më shumë?
‘Njerëzit pa tru’! Mund të dukem paragjykuese, por në ditët e sotme mentaliteti mbillet dhe korret brez pas brezi. Kur kam qenë në qytetin e Fierit, paragjykimet ishin të shumta nga shoqet e mia, dashur padashur, por edhe nga fëmijët e vegjël, gjë e cila sinqerisht është për t’u ardhur keq.
Sa të fortë ju ka bërë të pranuarit të jetës në këtë rrugëtim?
Aq të fortë, sa t’ia dal mbanë të jetoj një jetë të shëndetshme me familjen time të mrekullueshme. Aq të fortë, sa t’i bëhem zot fëmijës tim kur ka nevojë, dhe të ndihem krenare për të.
Ku e gjeni forcën…
Fëmija im, pa diskutim. Lumturia e familjes time!
Ju është dashur të trajnoheni për t’iu përshtatur sjelljes dhe mirëqenies së fëmijës tuaj?
Kur jam larguar jashtë shtetit, m’u dha mundësia për të takuar logopedë dhe mjekë të ndryshëm. Ata më ofruan një psikologe, e cila më ka ndihmuar shumë si të sillem me fëmijën tim.
Ju ka ndihmuar shoqëria?
Edhe po, edhe jo. Kam marrë goditje psikologjike vitet e para, por e rëndësishme është që mos t’ia përcillja fëmijës, dhe s’e bëra. Gjithsesi, nga ana tjetër, është dhe ajo pjesë e shoqërisë, e cila më ka mbështur shumë mua dhe fëmijën. Tani, ai ka shokë shumë të mirë në shkollë, ka një mësuese që e mbështet dhe e mëson shumë, ka dhe një familje të bekuar.
Keni hasur pengesa?
Pengesa kam hasur në periudhën kur fëmija fillon dhe duhet të mësojë gjërat e para në jetë. Mënyrat se si duhet t’ia shpjegosh botën dhe ai ta kuptojë. Mënyra se si i shpjegon shoqërinë që e rrethon. Dhe, sidomos mënyra kur i shpjegon se ai është i veçantë nga të tjerët, është unik dhe të gjithë e duan ashtu siç është.
Ia keni dalë të fitoni një pjesë të betejës?
Absolutisht po. Betejën e fitova në momentin që e pranova atë si fëmijën tim, e pranova atë me gjithë veçantinë që i kishte dhënë Zoti. Kam fituar betejën më të bukur të jetës time!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.