Dëshmi

April 19, 2022 | 9:25

“Shtimi i fëmijëve me çrregullim të spektrit autik është rritur 4-fish dekadën e fundit” – Logopediste Krisiana Shtëmbari

Nga Katerina Isufaj 

 

“Të punosh me fëmijë të çrregullimit të spektrit autik është sa e bukur, po aq dhe e vështirë.” Logopedistja Krisiana Shtëmbari rrëfen për ‘Revista Psikologjia’ rrugëtimin e saj me fëmijët autikë. Nga ndërgjegjësimi i shoqërisë sonë, e deri në shtimin e rasteve vitet e fundit, ja si shprehet ajo…

1696-0-7e5c427cbd912bbad9715a9c69eb1553

INTERVISTA

 

Si është të punosh me fëmijë të çrregullimit të spektrit autik?

Të punosh me fëmijë të çrregullimit të spektrit autik është po aq e bukur, sa edhe e vështirë. Çdo ditë vjen me sfida të reja që duhen superuar. Çdo fëmijë është i ndryshëm nga tjetri dhe terapistit i duhet të jetë shumë fleksibël. Ia dalim nëse punojmë me dëshirë, dashuri, kreativitet dhe shumë durim.

 

A është mundësia që ata të integrohen në shoqëri për aq funksione sa mund t’i aftësojnë në spektrin social?

Integrimi në shoqëri është një nga sfidat momentale. Përpiqemi t’i integrojmë, por varet nga karakteristikat e secilit fëmijë. Ka fëmijë që përshtaten lehtësisht dhe të tjerë që duan më shumë gatishmëri për t’i mundësuar integrimin.

 

Në qytetin ku jetoni, sa fëmijë të tillë ka?

Nuk ka të dhëna statistikore të sakta, kjo pasi databazat nuk publikohen në bazë të diagnozave.

 

Ka shtim të rasteve në konstatimin tuaj, apo jo?

Po, ka shtim të rasteve. Nëse i referohemi të dhënave para 10 viteve raporti ishte 1/110 fëmijë, ndërsa tani raporti është 1/40 fëmijë.

 

Sa të hapur janë prindërit për ta pranuar këtë gjendje të fëmijëve? Sa vështirësi të tilla hasni në punën tuaj?

Ndërgjegjësimi se diçka nuk shkon tek fëmijët e tyre, i jep shtysën prindërve që të shkojnë te mjeku specialist. Është mjeku që përcakton diagnozën dhe më pas vijnë fazat e pranimit ose refuzimit. Sa më shpejt që prindi ta pranojë, aq më mbështetës dhe ndihmues bëhet për fëmijën.

 

Për çfarë kanë nevojë këta fëmijë të veçantë dhe çfarë duhet të bëjnë prindërit për t’ua lehtësuar këtë proces?

Nisja e hershme e rehabilitimit terapeutik është një nga gjërat kryesore që kanë nevojë fëmijët. Bashkëpunimi i prindit me terapistin dhe edukatorët do të ndihmonin shumë në mirëqenien e mëtejshme të fëmijës.

 

Ju vetë shënoni një rast suksesi, aftësim në kushte sociale të një fëmije me çrregullim të spektrit autik?

Po, ia kemi dalë mbanë të integrojmë fëmijë në aktivitetet sociale. Fëmijët shkojnë në shkolla normale dhe merren me aktivitete të ndryshme, si: pikturë, muzikë, sporte, etj.

 

Çfarë mendon se ka nevojë për përmirësim kundrejt fëmijëve me aftësi ndryshe? (Mësues…)

Duhet të krijohen më shumë qendra sociale që të integrojnë dhe aftësojnë fëmijët me çrregullim të spektrit autik. Por, edhe fëmijë me diagnoza të ndryshme të aftësohen në diçka që ata janë më shumë të dhënë.

 

A mendoni se pranimi i bën këta fëmijë më të afërt në shoqëri? A duhet tejkaluar pragu i paragjykimit? Si duhet vepruar?

Do ishte shumë mirë nëse do të kishim një shoqëri me shumë pranuese dhe më pak paragjykuese. Prindër, inkurajojini fëmijët që të jenë pranues ndaj shokëve që kanë, sido që të jenë ata! Bëhuni mbështetës ndaj prindërve të tjerë dhe ofrohuni mbështetje! Ata nuk janë të sëmurë, ata janë unikë!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top