Merita Krasniqi, lindur në Dubovë, Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Pejë, Fakultetin Ekonomik në Universitetin Publik në Prishtinë. E martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Trajnimet për Style Coach dhe Life Coach të përfunduara në Angli. Tani është në përfundim të trajnimit, teknikat e EFT. Sot udhëheq bisnesin si trajnere për veshje.
Ç’do të thotë Professional Style Coach?
Professional Style Coach mund të përshkruhet si këshilltare e veshjes. Style Coach është një kombinim unik i aftësive të të veshurit me stil dhe trajnimit për jetën. MPS ka të bëjë me veshjen e të gjitha formave të trupit pa asnjë diskriminim nga gjatësia, pesha, ngjyra, etj., në mënyrë që t’i bëjë klientët të duken bukur dhe të kenë më tepër vetëbesim. Thjesht, MPS është dikush që ndihmon klientin të arrijë një pamje të re dhe vetëbesim të lartë. Pasi ta njoh klientin përmes bisedave shoqërore dhe analizës së gjuhës së trupit, jam në gjendje të përcaktoj:
*stilin personal të veshjes
*formën e trupit
*nivelin e vetëbesimit
*analizën e ngjyrave
*riorganizimin e gardërobës,
*përdorimin e aksesorëve
*profilin energjik, etj,.
Stilin personal të veshjes: sipas këtij trajnimi të gjitha stilet e të veshurit i kategorizojmë në pesë mënyra: stili romantik, dramatik, natyral, kreativ dhe stili klasik. Se cili stil i veshjes i takon klientit, bazohem te qëndrimi i tij, gjuha e trupit dhe asaj çka më ofron pamja e jashtme e tij.
Forma e trupit: Kur flasim për formën e trupit, thuajse gjithçka fillon nga ky shërbim. Më mundëson të përcaktoj dhe udhëzoj se çfarë modeli dhe materiali rrobash do t’i përshtaten më së tepërmi klientit, me qëllim që t’i vërë në pah anët e mira dhe t’i mbulojë pjesët më pak të mira. Format e trupit janë: kënddrejtë, trekëndësh, trekëndësh i kthyer mbrapsht, ora e rërës dhe e rrumbullakët.
A mund të na jepni një shembull me një nga format e trupit?
Le të marrim si shembull formën e trupit trekëndësh. Tek kjo formë e trupit së pari është e nevojshme të bëjmë balancimin e pjesës lart me atë poshtë të trupit. Ky është edhe qëllimi kryesor i këtij trajtimi, d.m.th, ka për qëllim që të gjitha format e trupit t’i afrohen orës së rërës. Te forma trekëndësh e trupit gjejmë modelet dhe materialet, të cilat me kujdes duhet të vishen në pjesën lart dhe po ashtu se cilat modele dhe cilësi e materialit të përdoret në pjesën e poshtme të trupit, dhe cilat ngjyra duhen përdorur në cilën pjesë të trupit. Nëse kemi nevojë për balancime të mëtejshme, përdorim edhe aksesorët.
Sa seanca ka ky shërbim?
Ky shërbim ka tri seanca. Çdo seancë zgjat 90 minuta. Dy seancat e para vlejnë për të marrë informacione dhe për të bërë matjet e trupit, ndërsa në seancën e fundit diskutohen rezultatet që kanë rrjedhur nga dy seancat e kaluara. Gjatë seancës së parë, klienti është i detyruar të plotësojë disa pyetësorë, e ndër këta është edhe pyetësori Rrethi i Jetës. Plotësimi i Rrethit të Jetës është ndërmjetësuesi mes Style Coach dhe Life Coach.
Rrethi i Jetës: është një pajisje që na tregon momentin ku jemi tani dhe ku duhet të jemi pas një kohe, nëse i vëmë vetes disa qëllime, qofshin ato të vogla (këtu na hyn në punë metoda: mini goalsettings) qofshin ato më të mëdha, ku mund të shkojmë sipas metodës SMART. Seancat për këtë shërbim janë sipas nevojës së klientit dhe zgjasin 45 minuta.
Analiza e ngjyrave: tek analiza e ngjyrave përfshihen gjetja e ngjyrave të flokëve, ngjyrave të grimit si dhe ngjyrave të rrobave. Të gjitha këto gjetje e veshin klientin me një gjallëri dhe freski. Sipas këtij trajnimi, të gjitha ngjyrat ndahen në ngjyra të ftohta dhe ngjyra të ngrohta e pastaj grupohen sipas stinëve të vitit: pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Për këtë shërbim nevojiten dy seanca. Në seancën e parë përdoren disa praktika për gjetjen e ngjyrave, ndërsa në seancën e dytë diskutohen rezultatet.
Përdorimi i aksesorëve: tek ky shërbim nuk ka diçka specifike që mundet të jetë i njëjtë për të gjithë klientët, sepse këtu kemi të bëjmë, duke filluar nga syzet (varësisht nga forma e fytyrës), shallave-varësisht nga gjatësia e qafës dhe forma e trupit, këpucëve – varësisht nga gjatësia e klientit, varëset në qafë po ashtu varen nga format e trupit. Unazat dhe varëset e dorës varen nga trashësia e dorës, etj.
Riorganizimi i gardërobës: është një shërbim që merr më shumë kohë dhe është ndër shërbimet më të shtrenjta. Organizohet vetëm me katër hapa, por secili hap ka rëndësinë e vet dhe kohën që duhet t’i kushtosh nëse dëshiron që ky shërbim të kryhet siç duhet. Si shërbime të tjera që marrin më pak kohë, por që janë mjaft të rëndësishme, janë: përshtatja e gardërobës ekzistuese sipas formës së trupit, këshilla se çfarë duhet të vishet për cilin rast, blerja së bashku me klientin, etj.
Një mesazh të fundit?
Ju siguroj se çdo femër, e cila vishet sipas formës së trupit, duke iu përshtatur materialet dhe ngjyrat, do të ndihet mirë dhe do të ketë më tepër vetëbesim.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 166
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.