Kur dashuria e saj e parë humbi luftën me kancerin, për aktoren amerikane Meryl Streep ishte një tragjedi e pashpjegueshme. Por ashtu siç ndodh shpeshherë, dashuria do të rikthehej sërish tek ajo dhe bashkë me të drita dhe shpresa. Ishte viti 1978 kur John Cazale humbi luftën e tij me sëmundjen dhe Meryl Streep, e dashura e tij prej dy vitesh, i qëndroi pranë deri në fund. Pas kësaj humbjeje aktorja kishte kaluar një periudhë kohe në Kanada për t’u rikthyer më pas sërish në Nju Jork dhe për të spostuar të gjitha gjërat nga apartamenti ku kishte jetuar me të dashurin e saj. Për ta ndihmuar erdhi dhe vëllai i saj së bashku me mikun e tij skulptor, Don Gummer, i cili i siguroi apartamentin e tij si një strehë për aktoren, ndërsa ai ishte larg duke udhëtuar.
“Midis tyre nuk ishte dashuri me shikim të parë, por aty afër“.
Aktorja dhe skulptori filluan të shkëmbenin letra gjatë kohës që Gummer ishte larg edhe kur aktorja ishte përzgjedhur për të luajtur “Kramer vs Kramer”, roli që do t’i jepte asaj Oscarin. Me kthimin e skulptorit, çifti filloi të bashkëjetonte. Pak më vonë u martuan, pikërisht në oborrin e shtëpisë së prindërve. Pas martesës në vitin 1978, Don Gummer, një skulptor i suksesshëm, i cili nuk është pjesë e botës mediatike, u kthye në pikën kyç të jetës së Meryl. Që atëherë Streep dhe Gummer janë bashkë prej 38 vjetësh në një martesë të lumtur dhe kanë katër fëmijë: Henry 36 vjeç, Mamie 32 vjeç, Grace 29-vjeçe dhe Louisa 24-vjeçe. Aktorja me 17 nominime për Oscar, gjatë marrjes së njërit prej tyre, Oscarit në vitin 2012 për rolin e saj në filmin “The Iron Lady”, falënderoi publikisht bashkëshortin duke thënë:
“Dua që bashkëshorti im të dijë se gjërat më të bukura që kam në jetë mi ka dhuruar ai”, u shpreh Meryl, një nga zonjat më të rëndësishme, me ndikim dhe të talentuara të Hollivudit. Ajo thotë se nuk e di sekretin për një marrëdhënie të lumtur, por di vetëm se ata kanë një të tillë.
“Nuk e dija se ç’do kisha bërë pa bashkëshortin tim. Nëse nuk do ta kisha takuar, do kisha vdekur emocionalisht. Ai është njeriu më i mirë që më kanë zënë sytë. Është i duhuri për mua dhe unë jam me fat që e kam. Gjithnjë kam qenë e mendimit se duhet të keni si partner në jetë atë që ndan me ju të njëjtat vlera. Çdo njeri ka një jetë dhe unë nuk mendoj se ka ndonjë recetë që unë mund të jap për mënyrën se si arrihet kjo. Unë kam qenë me fat që kam gjetur një njeri të mirë”, shprehet aktorja për martesën më jetëgjatë në Hollivud. Megjithatë ajo ka zbuluar detaje në intervistat e shumta të saj.
“Ne jemi një çift me një përsosmëri të veçantë. Don është një njeri me pak fjalë. Unë jam ajo e cila bërbëlit në shtëpi. Ai dëgjon me shumë durim dhe pastaj kthehet në punën e tij. Ai gjithashtu më do mua siç unë jam, të etur dhe tepër aktive, edhe në këtë moshë”, thotë Meryl.
“Duhet të flasim për të gjitha çështjet që dalin, edhe gjërat më të vogla. Duhet të dëgjoni problemet, sugjerimet e partnerit tuaj dhe këshillat dhe të pranoni se nuk keni gjithmonë të drejtë. Biseda është çelësi për një martesë të suksesshme”. Aktorja është tepër krenare për familjen e saj dhe për zgjedhjet që ka bërë në jetë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.