FB

March 7, 2026 | 8:30

Mes misionit dhe krizës, roli i mësuesit në udhëkryqin e arsimit sot

 

Nga Orjona Tresa

 

Ka data që në kalendar nuk janë thjesht përkujtimore, por pasqyra. 7 Marsi, dita e hapjes së Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë dhe e motrave Qiriazi, nuk është vetëm një datë historike, por një kujtesë morale, që në fakt na fton të pyesim veten jo vetëm se çfarë ishte shkolla dikur, por çfarë është ajo sot. Dhe mbi të gjitha, kush është mësuesi ynë sot?

mesuesi

Në fillesat e arsimit shqip, mësuesi ishte misionar. Motrat Qiriazi nuk ishin thjesht bartëse dijesh, por bartëse drite në një errësirë të organizuar. Ato e kuptuan atë që Maria Montessori do ta artikulonte më vonë me qartësi: “Detyra më e madhe e mësuesit është të ndezë dritën e mendjes.” Mësuesi nuk ishte një funksion, por një figurë që përfaqësonte kulturën, etikën, përparimin dhe vetëdijen kombëtare. Ai ishte model. Sot, në një kohë të mbingarkuar me informacion, por të varfër në orientim, figura e mësuesit lëkundet mes dy skajeve të rrezikshme, idealizimit nostalgjik dhe shpërfilljes së përditshme. Por mësimdhënësi nuk duhet të jetë as një figurë e shteruar, e konsumuar nga retorika e zbrazët e “misionit të shenjtë dhe as një figurë e nëpërkëmbur, e cenuar nga mungesa e respektit institucional dhe shoqëror. Të dyja këto anë të medaljes i jetojmë çdo ditë përmes fëmijëve tanë.

Arsimi dhe mësimdhënia po përjetojnë ndoshta luhatjet më të mëdha që kemi njohur ndonjëherë. Në klasat tona rritet një brez paradoksal, i ekspozuar ndaj botës, por i paankoruar; i informuar, por jo gjithmonë i formuar; herë përbuzës, herë indiferent, e në raste gjithnjë e më shqetësuese, edhe dhunues. Nuk bëhet më fjalë vetëm për bullizëm të fshehtë, por për një ashpërsi që shpesh sfidon autoritetin dhe kufijtë. Ky është realiteti me të cilin përballet mësuesi sot. Por të jemi të drejtë, duhet të pranojmë se jo çdo problem nis dhe mbaron te nxënësi. Ka mësues me mangësi të dukshme në metodologji, që nuk arrijnë ta përkthejnë dijen në përvojë kuptimplotë. Ka të tjerë që kanë probleme në etikën e komunikimit, në mënyrën si ndërtojnë marrëdhënie me nxënësin, me prindin, me kolegët. Këto nuk janë përjashtime të rralla dhe nuk njohin dallim mes shkollave publike dhe private. Ato janë pjesë e një tabloje më të gjerë. Dhe këtu shpesh dëgjohet fjala që shumëkujt i tingëllon si justifikim: sistemi. Po, problemet janë sistemike. Jo si alibi për paaftësinë individuale, por si kontekst që formëson dhe deformon njëherazi. Kur rekrutimi nuk bazohet në meritokraci të qartë, kur trajnimi profesional është formal dhe jo transformues, kur kultura e vlerësimit dhe e ndëshkimit është e paqartë, selektive ose inekzistente, kur kompromisi bëhet normë dhe jo përjashtim, atëherë as mësuesi më i përkushtuar nuk mund të mbijetojë pa u dëmtuar. Një sistem që nuk rishikohet me ndershmëri, që nuk pranon dështimet dhe nuk shpërblen meritën, prodhon figura të lëkundura dhe breza të paorientuar.

mesues

Jetojmë në një kohë kur kompromisi është bërë aq i shëmtuar, sa shpesh nuk merr parasysh as meritën për një vend pune, as përgjegjësinë për një vend studimi. Në mungesë të një kulture të qartë ndëshkimi dhe shpërblimi, mesazhi që u transmetohet të rinjve është i dyfishtë dhe i rrezikshëm, përpjekja nuk garanton sukses dhe gabimi rrallëherë ka pasoja. Në një terren të tillë, autoriteti i mësuesit dobësohet jo sepse ai nuk ka më vlerë, por sepse sistemi nuk e mbron dhe nuk e fuqizon atë. Megjithatë, përtej krizave, roli i mësuesit mbetet thelbësor. Psikologjia e zhvillimit e ka dëshmuar vazhdimisht se figura e të rriturit domethënës, përtej familjes, është vendimtare në ndërtimin e vetëvlerësimit, disiplinës së brendshme dhe aftësisë për të menduar kritikisht. Mësuesi është shpesh ai i rrituri që sheh potencialin aty ku vetë nxënësi nuk e sheh ende. Ai është kufiri që mbron, por edhe dritarja që hap horizontin. Siç thoshte Carl Rogers, “Kur një person ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar, ai fillon të ndryshojë.”  Në klasë, ky person është nxënësi dhe ai që e dëgjon, në rastin më të mirë, është mësuesi. Prandaj, aktualizimi i figurës së mësuesit sot nuk duhet të bëhet me fjalime ceremoniale një herë në vit, por me reforma të guximshme dhe me një ndryshim kulture. Mësuesi ka nevojë për trajnim të vazhdueshëm cilësor, për mbështetje psikologjike, për standarde të qarta profesionale dhe për një sistem që e mbron nga padrejtësitë. Por njëkohësisht, ai duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e reflektimit të vazhdueshëm, të përditësojë metodat, të punojë me komunikimin, të ndërtojë autoritet mbi respektin dhe jo mbi frikën.

nxenes-merzit

Brezi i sotëm nuk është i humbur, është i paorientuar. Ai ka nevojë për modele të forta, të qëndrueshme, autentike. Dhe këto modele nuk mund të jenë figura të shteruara nga lodhja apo të nëpërkëmbura nga sistemi. Duhet të jenë profesionistë të vetëdijshëm për rolin e tyre formues, por edhe qytetarë që kërkojnë llogari nga struktura që i rrethon. Nëse motrat Qiriazi do të na shihnin sot, ndoshta nuk do të na kërkonin të përsërisnim sakrificat e tyre, por do të na kërkonin të ruanim thelbin, besimin se arsimi është akt formimi, jo thjesht transmetim informacioni. Dhe se mësuesi, përtej çdo date përkujtimore, mbetet nyja ku lidhen e kaluara dhe e ardhmja e një shoqërie. Sepse mënyra si e trajtojmë mësuesin sot, është mënyra si do të trajtohemi nesër nga brezi që ai po formon.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top