Në fokus

July 13, 2017 | 9:39

Mesazhi i rekordmenit të Guinness-it Saimir Strati për rininë: Punoni shumë, krijoni pafund, përsosni personalitetin!

Nga Anisa Xhani (Daci)

Nëse keni kreativitetin dhe durimin, mund të merrni parasysh një karrierë në artin mozaik. Nuk është gjë që realizohet “tak-fak”, por si në të gjitha fushat, “nëse ke dëshirë, pasion dhe mbi të gjitha dashurinë për të realizuar një mozaik, atëherë do të ndjesh se të gjitha vështirësitë teknike do të kalojnë dhe se vepra që ti ke krijuar ka qenë brenda teje, vetëm se është dashur të guxosh për të arritur suksesin”.

E në një kohë, ku të rinjtë pyesin “Sa të pasur do të bëhemi?”, mjeshtri i mozaikëve këshillon: “Punoni shumë, krijoni pafund, përsosni personalitetin, sepse historia ka treguar se, Paraja të lë në baltë, Dinjiteti jo.”

Nga kush më mirë do të vinin këto këshilla se artisti Saimir Strati, i cili na bën krenarë me disa Rekorde Botërore Guinness në fushën e mozaikëve.

2

Një artist që na bën krenar me disa rekorde botërore, a ndihet i përmbushur dhe mjaftueshëm i vlerësuar Saimir Strati ?

Është kënaqësi e veçantë t’i japësh vendit tënd krenari dhe vëmendje pozitive në mbarë botën. Mendoj se secili prej nesh e ka një mundësi për ta bërë vendin e tij krenar. Unë kam zgjedhur realizimin e mozaikëve Rekord Botëror për ta bërë Shqipërinë krenare dhe jo me një, por dhjetë Rekorde Guinness , për dhjetë vite radhazi dhe kjo më bën të ndihem i përmbushur, sepse asnjë artist tjetër në bote nuk ka arritur të ketë dhjetë Rekorde Botërore Guinness në fushën e mozaikëve. Dua të theksoj se Rekordet që unë kam vendosur janë një risi, që do të thotë, se janë kategori të reja në librin e famshëm të Rekordeve Botërore Guinness dhe kjo është arsyeja përse të gjitha mediat prestigjioze në botë i kanë përcjellë me vëmendje këto vepra  dhe mendoj se e kam justifikuar Medaljen e Artë dhënë nga Presidenti i Republikës “Ambasador i Kombit”.

Për sa i përket vlerësimit, dua t’ju kujtoj se autoritetet e Rekordeve Guinness nuk vlerësojnë në monedhë, por vetëm certifikojnë. Është fakt se vetëm një numër shumë i vogël i aplikantëve për t’u regjistruar në Librin e Rekordeve Botërore Guinness, marrin të drejtën për të tentuar të thyejnë apo vendosur një Rekord. Idetë që unë kam prezantuar pranë autoriteteve të Rekordeve Guinness me qendër në Londër, janë pranuar dhe certifikuar dhjetë herë rresht dhe kjo është arsye për t’u ndier i vlerësuar. Megjithatë, edhe pse Mozaikët Rekorde Botërore që unë kam realizuar kanë bërë jehonë në mbarë botën, në Shqipëri  vetëm janë duartrokitur dhe nuk ka pasur asnjë vëmendje, vlerësim apo interesim për ekspozimin e tyre për publikun. Rekordet e mi janë unikë në botë dhe nëse do të ishin të ekspozuar, do të kishin shumë interes për turizmin në Shqipëri, të paktën kështu kam dëgjuar të thuhet nga specialistët e huaj.

3

Ku frymëzoheni për realizimin e mozaikëve?

Mozaikët Artistik janë një zhanër elitar dhe për realizimin e tyre duhet te jesh shumë i qartë që nga momenti i fillimit deri në përfundim dhe kjo do të thotë, ta mbash emocionin në mënyrë konstante për një kohë të gjatë. Kjo mund të duket e vështirë apo e lodhshme, ashtu si vetë realizimi i mozaikëve, por kur shikon përfundimin, atëherë vështirësitë janë të papërfillshme. Gjithmonë ka një motiv dhe është pikërisht ky motiv që mund të jetë shpirtëror, viziv apo muzikor që do të përcaktojë se cila do të jetë vepra ime e radhës. Sipas meje, Mozaiku është Muzika e Syve dhe është shumë e rëndësishme harmonia dhe me tej mesazhi që do të përcjellësh tek shikuesi.

4

Si e bëni përzgjedhjen e elementeve me të cilët realizoni krijimet tuaja?

Gjatë karrierës sime prej tridhjetë vitesh, në krijimin e Mozaikëve artistikë kam përdorur dhe vazhdoj të përdor materiale të ndryshme , që nga ato tradicionalet siç janë mermeri, graniti, porcelani, kristali, gurët natyral, etj, deri te materialet industriale. Çdo vepër ka subjektin apo motivin e tij dhe në varësi të tyre duhet përzgjedhur edhe materiali që i përshtatet. Nuk mendoj se ka një formulë ekzakte për këtë, sepse mund të jetë subjekti që përcakton materialin apo materiali që përcakton subjektin. Ky dualitet më jep shumë kënaqësi, sado e vështirë të jetë teknika, dhe mendoj se kjo është arsyeja pse veprat e mia nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Çdo emocion nuk i ngjan tjetrit dhe këtë kërkoj të përcjell në veprat e mia. Kur veprat janë unike, atëherë edhe vetë artisti ka krijuar individualitetin e tij. Për mua kjo është shumë e rëndësishme.

Për sa i përket përzgjedhjes së materialeve për realizimin e Rekordeve Botërore Guinness më duhet t’u shpjegoj se është kusht i Autoriteteve Guinness që materialet që duhet të përdoren për realizimin e Rekordeve duhet të jenë industriale, të papërpunuara dhe lehtësisht të gjetshëm në treg. Kjo është arsyeja pse unë kam përzgjedhur materiale të thjeshtë industriale për realizimin e Rekordeve dhe në varësi të materialit është përcaktuar dhe teknika dhe dimensioni.

Nuk ka materiale të çuditshme, ka ide të çuditshme.

Materialet që unë kam përdorur për realizimin e Rekordeve janë prezente në përditshmërinë tonë, (p.sh. gozhdët, kunjat e dhëmbëve, tapat e verës,  pipat plastike, kapëset e telit, etj), sepse ne i prekim dhe i përdorim ato për destinacionin për të cilën ato janë prodhuar, por do të thoja se është pikërisht ndryshimi i destinacionit, kthimi në mozaik artistik i këtyre materialeve industriale, (dhe kjo me kujton ëndrrën e alkimistëve) që do t’i bëjë veprat e mia interesante.

Si është një ditë pune për ju ?

Nuk mendoj se ditët e mia të punës, ashtu si dhe veprat e mia të artit, i ngjajnë njëra-tjetrës. Çdo vepër arti që unë krijoj, do të krijojë edhe profilin e ditës dhe do të më krijojë humor të ndryshëm, gjithsesi më pëlqen të ngrihem herët në mëngjes, sepse më pëlqen të punoj me dritë natyrale. Më pëlqen, pasi kam përfunduar seancën e ditës, të takoj miqtë e mi artistë dhe jo vetëm, dhe pse jo të konsumojmë ndonjë gotë vere midis batutave dhe bisedave.

5

Cili nga mozaikët e krijuar prej jush ka marrë më shume kohë?

Mozaiku, si teknikë, kërkon një kohë relativisht të gjatë për t’u realizuar, kjo për shkak të specifikës që ka. Gjatë karrierës sime ka pasur mozaikë, edhe pse me dimensione të vegjël që më kanë marrë kohë me muaj, apo disa edhe me vite. Nëse e keni fjalën për Rekordet Botërore Guinness, çdo një prej tyre, më ka marrë mesatarisht një muaj kohë. Përgjatë një viti, vetëm një muaj ia kushtoj Rekordeve Guinness, pjesa tjetër e vitit, pra njëmbëdhjetë muajt e tjerë janë krijimtari për realizimin e mozaikëve me dimensione të vegjël, të përshtatshëm për t’u transportuar dhe ekspozuar kudo në botë.

Arti përçon mesazhe dhe frymëzon. Cilat janë shtyllat le të themi që keni në fokus para se të filloni krijimet tuaja?

Po, është e vërtetë , misioni i artit është jo vetëm kënaqësia estetike, por gjithashtu shumë i rëndësishëm është mesazhi që do të përcjellë te shikuesi, në rastin e artit pamor. Në krijimtarinë time, midis shumë motiveve të tjera janë edhe ato të traditës, kulturës ,veshjeve të Shqipërisë. Shqipëria , si vend mesdhetar ka kulturë të prej mbi 3000 vjetëve mozaikun. Në fillimet e mia si artist kam marrë pjesë në ekspeditat arkeologjike dhe me shumë pasion jam marrë me restaurimin e mozaikëve të antikitetit. Kjo ka qenë një bazë shumë e vyer për krijimtarinë time në vitet në vazhdim. Sot, kudo ku më ftojnë nëpër botë për aktivitete apo ekspozita , përmend pareshtur kulturën e Shqipërisë dhe në veçanti të mozaikëve të antikitetit në Apoloni, Bylis, Butrint etj.

Është pikërisht kjo traditë që më frymëzon dhe njëkohësisht më “rivalizon” për ta çuar më tej kulturën e mozaikut , në fusha të pa shkelura më parë, për të krijuar vepra absolutisht të veçanta dhe kjo është edhe arsyeja që enciklopedia botërore më ka përcaktuar si Artisti që udhëheq Mozaikun Bashkëkohor Botëror.

6

Ka të rinj që ju shprehin dëshirën për të mësuar nga ju mbi këtë lloj zhanri?

Mozaiku në vetvete është një terapi e vërtetë, sidomos për ata që duan të kalisin durimin. Shumë të rinj, dhe jo vetëm, më kërkojnë të dinë rreth teknikës së mozaikut dhe me shumë dëshirë u kam shpjeguar: Të bëhesh mozaicist duhet të njohësh shumë mirë vizatimin, të jesh piktor, të njohësh formën, pra edhe skulptor, të njohësh shumë mirë gjeometrinë, matematikën, kiminë, arkitekturën, të dëgjosh muzikë të bukur si dhe të lexosh letërsi. Siç e shikoni lista është pak e gjatë për një fillestar, por nëse ke dëshirë, pasion dhe mbi të gjitha dashurinë për të realizuar një mozaik, atëherë do të ndjesh se të gjitha vështirësitë teknike do të kalojnë dhe se vepra që ti ke krijuar ka qenë brenda teje, vetëm se është dashur të guxosh për të arritur suksesin. Përgjithësisht të rinjtë sot janë të prekur nga ‘Sëmundja Industriale’. Këshilla ime do të ishte shumë e thjeshtë: Të heqin gishtat për një moment nga tastierat dhe telefonat dhe t’i përdorin gishtat për të realizuar diçka nga duart e tyre. I siguroj se vepra që do të krijojnë, sado e përkryer ose jo, do t’u sjellë shumë herë më shumë kënaqësi sesa mesazhi elektronik me i bukur në botë. Kur më pyesin se sa të pasur do të bëhen nëse merren me mozaikë, u përgjigjem: Punoni shumë, krijoni pafund, përsosni personalitetin, sepse historia ka treguar se Paraja të lë në baltë, Dinjiteti jo.

Po punoni mbi ndonjë ide momentalisht?

Një artist i edukuar me punë dhe përkushtim për artin e tij është gjatë gjithë kohës në krijimtari, sepse vepra që do të vijojë do të jetë një tjetër realizim i ëndrrave të tij.

7

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top