Editorial

March 21, 2016 | 10:25

Mëshirë publike…

Orjona TresaNga: Orjona Tresa

Kjo është çerdhja ku unë kam kaluar fëmijërinë. Tre vitet e para të jetës. Një shtëpi njëkatëshe prej qerpiçi, e ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë. Me një oborr të madh e plot gjelbërim. Me pemë plepi e rrethuar, të cilat u bënin hije edhe pallateve ku ne banonim.

Shkonim shumë të vegjël aty. S’i kishim mbushur dyzet ditë nga lindja. Prindërit na çonin herët në mëngjes, që në 06:30 minuta dhe na linin në duar të sigurta. Po, po! Këtë e them me garanci. Prindërit na i kujtojnë shpesh ato vite, sigurinë që kishin prej tyre, stafit dhe komoditetit që gjenim aty. Më duket njëmend se në ndërgjegje çdo gjë e mbaj mend si gjithçka ka ndodhur.

Kjo është çerdhja 32.

Ndërtesë e vjetër e ndërtuar në zemër të Njësisë Bashkiake Numër 5, apo siç njihet ndryshe Tirana e Re. E kisha poshtë pallatit. Fare pranë për të menduar për shëndetin e fëmijës në kohë të ftohtë, apo kujdesin e të transportuarit me lehtësi pranë vendit të banimit. Sot nuk është kështu. Më saktë, kjo ndërtesë, ka 25 vjet që qëndron gërmadhë. Askush nuk ka vënë dorë mbi të, përveçse e kanë shkatërruar dhe e kanë bërë në këtë gjendje. Vitet e demokracisë vërtet u dhanë një transformim shumë zonave të banimit, por më e keqja, u mohuan funksionin kryesor që ato kishin. Fati i kësaj godine për rritjen e motakëve ishte ky, ndërsa të tjera edhe janë zaptuar, pa të drejtë. Për njëfarë kohe aty kanë banuar të pastrehët që, natyrisht, kishin hyrë me dhunë në një institucion shtetëror. Më pas, ata e kanë braktisur atë.

Dëgjojmë shpesh për rikthimin në identitet të disa simotrave të tjera.

Shumë bukur! Tirana ka nevojë për strehëza të tilla.Ndërsa kjo që shohim ende ka mbetur pa zot. Në fakt, ajo zot ka. Rreth vitit 2003, si banorë të kësaj njësie, të vjetër e të rinj të shtuar, shprehëm nevojën e rehabilitimit të saj. U bënë matjet, u morën në shqyrtim ankesat, u bënë studime për ca kohë, por ende asnjë veprim konkret. Godina mbeti e shkretë dhe e mbarsur me hedhurina, pa u cikur nga askush. Ajo ndodhet në rrugën “Jusuf Vrioni” që lidhet me rrugën “Sulejman Delvina”, apo që njihet për shumëkënd me emrin e vjetër “Muhamet Gjollesha”. Akoma më shkurt pranë Njësisë së Ujësjellës Kanalizimeve dega nr.1. Banorët e zonës i kanë bërë disa herë kërkesë bashkisë, kur ajo drejtohej nga Edi Rama e më pas nga Lulëzim Basha, që ajo të rikonstruktohej dhe të kthehej sërish në çerdhe, por, përveç premtimeve që nuk janë mbajtur kurrë, nuk kanë marrë gjë tjetër.

Tanimë shpresa e tyre mbetet te kryebashkiaku i ri, Erion Veliaj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top