Mirëqenie

March 21, 2016 | 10:16

Shkatërrimi i lirisë në emër të lirisë

1Barazia gjinore është pjesë e rëndësishme e vizionit politik të një vendi për të pasur sukses në ekonominë globale për fuqizimin e njerëzve. Nëse do të flisnim për vendet në zhvillim, por jo vetëm, femrat janë nxitësit kryesorë të ekonomisë. Do të filloja me përgjegjësitë e tyre si anëtare të familjes, komunitetit, së bashku me rolet e tyre unike dhe të rëndësishme në bujqësi e industri të tjera, këto shpesh japin bazën për përfitime të shumëfishta. Në një studim të FAO-s të vitit 2011 gjejmë se, kur gratë kanë pushtetin për të pasur më shumë ndikim në vendimet ekonomike, familjet e tyre kanë më shumë të ardhura për ushqim, shëndetësi, arsim dhe veshje për fëmijët. Integrimi i barazisë gjinore në proceset kryesore administrative, vlerësuese, monitoruese, përfshirë pjesëmarrjen në jetën politike në vend, është një angazhim për zhvillim të barabartë gjinor. Nëse do të bënim një krahasim midis zinxhirit ekonomik të vlerave dhe qasjes me sistemet e tregut, pra nga furnitori te blerësi dhe marrëdhëniet midis tyre. Duke përballur ndërgjegjësimin gjinor me këto analiza, ne sigurohemi që do të kemi rezultate të qëndrueshme për të dyja gjinitë, pra burra dhe gra. Shpesh gratë në fshatra punojnë në profesione pak të dukshme, si në mbjellje, rritje dhe përpunim produktesh ushqimore, shitje në tregje lokale apo informale, duke siguruar punë sezonale, apo në fasoneri (prerje/qepje veshjesh). Gjithnjë e më shumë femrat marrin role thelbësore në bujqësi dhe në bizneset rurale, duke u dhënë komuniteteve një siguri më të madhe ekonomike dhe ushqimore. Pra, gratë rrisin, blejnë, gatuajnë dhe shesin ushqime. Adresimi i pabarazive gjinore sjell shtrembërim të tregut, si në tregun e punës, për të përmirësuar rezultatin e biznesit, ashtu edhe në rritjen e mundësive ekonomike. Qasja e integrimit gjinor nuk vjen natyrshëm me rritjen e pjesëmarrjes së grave në shoqëri. Qasjet gjinore edhe në Shqipëri, sidomos në zonat rurale, orientohen sipas normave sociale (për burrat dhe gratë), duke ndikuar kështu si në problemet edhe në zgjidhjet e tyre. Rolet gjinore, të para sipas kësaj analize, kufizojnë mundësitë, duke orientuar komunitetet që në çdo rast duhet të marrin parasysh rolet gjinore, duke mos e parë dot një grua të komunitetit si drejtuese e një biznesi apo një burrë, punëtor fasonerie. Pra, gratë nuk mund të kenë vëmendjen që meritojnë nëse ato s’përfaqësohen në organet vendimmarrëse lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Gratë në konflikt dhe në çdo mjedis janë kryesisht jo të favorizuara, pasi këto mjedise paraqesin mundësi të paragjykuara tek institucionet sociale të orientuara kundër dhe të papërgjegjshme ndaj pranimit të gruas njësoj si të burrit. Orientimi ligjor lehtëson përfaqësimin dhe zërin e gruas në vendimmarrje, duke u siguruar që gratë të kenë kohën dhe vendin për të shprehur opinionin e tyre dhe për të marrë “vendimet” e tyre. Ka një orientim nga të gjitha rrjetet ndërkombëtare dhe kombëtare për të mbështetur lidershipin e grave. Nuk mungon gjithashtu përpjekja për ndërtimin e kapaciteteve lokale të grave përmes trajnimeve dhe rrjeteve mbështetëse. Sigurisht që barazia gjinore është shumëdimensionale dhe, si e tillë, vërtet nuk kufizohet nga ligji dhe mundësitë, por nga vetë shoqëria, duke mos vlerësuar plotësisht potencialin e tyre. Nuk vjen natyrshëm, për shembull, rritja profesionale dhe në karrierë e një gruaje në shoqërinë tonë, pa hamendësuar se ç’mund të vijë nga mbrapa, ashtu sikurse s’mund të kemi dyer të hapura në aplikimin e një gruaje të aftë profesionalisht pa u bërë objekt ngacmimesh seksuale në disa raste. Shkëmbimet sociale u japin grave qasje të padrejta, duke u parë si shënjestër dhe kufizojnë mundësitë sociale të grave. Dhuna verbale ndaj grave dhe vajzave është një shqetësim real, i cili indirekt sjell kufizim të të drejtave të tyre. Pavarësisht mbështetjes dhe organizimeve të ndryshme për të ndërtuar një sistem demokratik, qasja sociale është e vështirë për krijimin e reputacionit të gruas në shoqëri, duke siguruar integrimin gjinor në vetëdijen e komunitetit dhe udhëheqjen e të menduarit. E etur dhe e kultivuar për të sfiduar mbi gruan, shoqëria jonë orienton një mendim të kufizuar mbi barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Kemi të bëjmë me dhunën e shoqërisë kryer mbi gratë, duke u parë shpesh si një lloj agresioni i ndërsjelltë. Autorja gjermane, Gabriele Kuby, ka thënë “Shkatërrimi i lirisë në emër të lirisë”, që do të mund të përkthehej ndoshta në një sulm të dinjitetit të qenies njerëzore. Kjo do të ishte vetëm një element në gramatikë e parë si një koncept i mbrapshtë i krejt ndërtimit shoqëror, “Përgjegjësia për të përkthyer barazinë gjinore në praktikë është një sistem i gjerë dhe qëndron në nivelet më të larta. Por, për të funksionuar, rezultatet duhet të monitorohen vazhdimisht (Kuby)”. Duket se gratë në shoqërinë tonë ende janë duke mbajtur përgjegjësinë e frustrimeve që vijnë edhe në “rendin e botës së re”. A është ky një tjetër orientim i diskriminimit gjinor? Nëse vërtet kërkojmë të kemi barazi gjinore, shoqëria jonë duhet të heqë dorë nga tabu të tilla. Unë mendoj se duhet të kuptojmë dhe ka ardhur koha që koncepte të tilla nuk duhet të vijnë si normale. Të gjithë kemi paragjykimet dhe preferencat tona, çdo shoqëri i ka. Nëse kjo ndodh, jam e bindur që individi dhe shoqëria do të shikojë që shumë pasiguri (pasiguri janë) të tilla janë të pabaza. Nëse individi do të ishte në një dialog të hapur me shoqërinë (gruan dhe burrin) dhe nëse vetë individi do të fillojë të komunikojë pa dallim gjinie, marrëdhëniet do të jenë më të shëndetshme. E parashikoj ndryshimin, edhe pse gratë do të vazhdojnë të përcaktohen nga veshja, sepse një femër dallohet e veshur me fustan dhe ne ende do të përfshihemi nga ideja se burrat dhe gratë duhet të “vishen” ndryshe. Megjithëse gratë moderne në çdo cep të botës veshin pantallona. Shenja të tilla identifikuese si të tualeteve, gjithmonë do të na kujtojë se drejtimi i grave përcaktohet nga feminiteti i veshjes së tyre, fustani!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top