Në fokus

October 28, 2017 | 19:24

Meshkuj me fjalor femrash dhe femra me fjalor meshkujsh

Nga Anisa Xhani

1

Sa shumë gjëra të ndezin imagjinatën në këtë Shqipërinë tonë. Prej kohësh kisha arkivuar në mendje një episod në urbanin e Tiranës së Re. Për të gjithë ata që udhëtonë në linja besoj e ndjejnë që urbani është një “pavion i lëvizshëm” i qytetit, ku ti mund të jesh dëshmitar i ngjarjeve të pafundme.

Mbrëmje… Vjeshta sapo ka filluar të pickojë me të ftohtin e saj, por kjo nuk më detyron t’i përshpejtoj hapat. Ec ngadalë dhe mbi gjethet e arta rrotulloj në mendjen time ditën, problemet që me ngacmojnë…

Kur papritmas ca zëra të lartë më japin atë drithërimën e zgjimit nga kllapia e heshtjes.

“Zemra, e pe ça kishte thënë Babastars?”, më falni se ndoshta nuk e shkruaj aq mirë po mund të jetë ndonjë nga këta këngëtarët e preferuar të adoleshentëve.

“Hej shpirti, e kishte sharë…”

Nënqesha me vete dhe tek ecja fillova të sillja në mend sa ka ndryshuar fjalori i meshkujve dhe i femrave në vendin tonë. Sikur kanë ndryshuar turinjtë…

Meshkuj që i drejtohen njëri-tjetrit me fjalët nga më përkëdhelëse “shpirti, zemra, lepurushi, madje në shaka shkojnë deri në nivele “të ta puth buzën…” , dhe femra që e kanë përthithur fjalorin “me libër shtëpie”.

U kujtova që pak kohë më parë u zhgënjeva aq shumë nga lloji im. Ishte mëngjes dhe fatmirësisht kisha mundur të zija një sedilje (se ky është problem më vete në urban) nga ku mund t’i vështroja qartazi bashkëudhtarët e mi. Në një nga stacionet ngjitet një moshatare  e imja, e bukur, e kuruar me mëngjes, saqë po e shihja me kërshëri plot admirim…

Ah sa m’i coptoi të gjitha me një të hapur goje. Filloi të shante në mënyrën më ordinere të mundshme vetëm se një zonjë e preku, padashjen e saj nga ngushtësia e qëndrimit një mbi një. Ndoshta revoltimi justifikohet, por fjalorin e përdorur unë nuk mund ta justifikoj kurrsesi!

Ai fjalor i meshkujve më shkaktoi buzëqeshje në fytyrë, ndërsa i asaj femre më la plagë në shpirt…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top