Të keni besim tek të tjerët është një nga gjërat më të bukura, por edhe më të vështira: duhet të hedhim pas krahëve zhgënjimet e konfliktet, të cilat na largojnë nga njerëzit. Veç kësaj, duhet të njohim dhe të kuptojmë më mirë veten tonë dhe njerëzit që na rrethojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të shijojmë kënaqësinë e të qenit të hapur me të tjerët.
Po cilat janë bazat e një marrëdhënieje të bazuar te besimi? Përse njerëzit, pavarësisht dhe përtej zhgënjimeve, vazhdojnë të besojnë dhe ia dalin një njëfarë mënyre? Besimi që lind në sferën e ndjenjave, është një ndjenjë sigurie kundrejt vendit që kemi në botë, e cila formohet brenda nesh, sepse që nga lindja na presin krahëhapur dhe kujdesen për ne. Në rast mungese besimi në çift, si mund t’i besojmë partnerit dhe për rrjedhojë të jetojmë më mirë? Të besosh te partneri është i nevojshëm faktori kohë. Besimi nuk është i menjëhershëm dhe ushqehet nga dashuria. Në disa raste, nuk fitohet asnjëherë. Le të zbulojmë se përse ndodh që njëri nga partnerët nuk ka besim te partneri tjetër dhe se si rifitohet në rast tradhtie apo në rrethana të tjera.
Dy lloje besimesh
Si fillim, duhen dalluar dy llojet e besimit: i pari, është predispozita jonë për të besuar në gjërat që na thotë partneri, dhe i dyti është një besim më praktik, ose predispozita jonë për t’i besuar atij dhe të pranojmë që të jetë ai që të vendosë për ne, të paktën pjesërisht. Shpesh këto dy besime janë të lidhura me njëra-tjetrën, sepse është e vështirë t’i besojmë dikujt nëse nuk besojmë te bindjet e tij. Kur kemi besim te dikush mendojmë se kemi një lidhje të tillë sa jemi të sigurt për fatin tonë.
Mungesa e besimit në dashuri
Besimi në dashuri përfaqëson ngjitësin e marrëdhënies, sepse pa të është shumë e vështirë që lidhja në çift të zgjasë në kohë. Besimi rritet, ose të paktën duhet të rritet me kalimin e kohës, kur dy persona mësojnë të njihen dhe të hapen me njëri-tjetrin. Në fakt, nëse nuk i hapen njëri-tjetrit, është shumë e vështirë që marrëdhënia të jetë e fortë, sepse fiton frika. Ndaj besimi duhet të jepet në mënyrë të pakushtëzuar që lidhja të zhvillohet. Megjithatë fakti që një nga të dy partnerët nuk arrin t’i japë besimin e duhur partnerit tjetër, varet nga arsyet personale.
Sipas psikologjisë, problemet e besimit varen nga vetëvlerësimi apo nga komplekse të pazgjidhura. Për shembull, njerëzit shumë xhelozë dhe posesivë mund ta kenë problem t’i japin besim partnerit, pasi ndërhyjnë dinamika të pandërgjegjshme që i pengojnë që të hapen plotësisht me njeriun e zemrës. Është e rëndësishme edhe që të sqarojnë që në fillim se çfarë u pëlqen, në mënyrë që të gjejnë një kompromis.
Nëse njëri nga të dy partnerët nuk i ka qejf sjellje të caktuara, sepse e bëjnë të ndihet në siklet, më mirë thuajani menjëherë në mënyrë që të korrigjohet. Kjo nuk do të thotë se pretendoni të ndryshoni partnerin, gjë që është një absurditet, por të gjeni kompromis në disa pika të “dobëta”.
Çelësi për të pasur besim
Për të pasur besim apo për ta rifituar atë nëse ka pasur probleme më parë, është thelbësore edhe ndihma e partnerit, gjë që është sidoqoftë e kontrollueshme vetëm pjesërisht. Nëse i dashuri ka përfituar në mënyrë të pandershme nga brishtësia dhe mendimet tuaja, ose çfarëdolloj gjëje tjetër që ju përket, bëhet e vështirë të rifitoni marrëdhënien e besimit, por jo e pamundur. Besimi rifitohet ngadalë, me prova vërtetësie dhe me kushtin që të mos ketë raste të përsëritura. Por a është e mjaftueshme ndjesa dhe pendesa e atij që ka tradhtuar? Nëse partneri është penduar realisht që ka nëpërkëmbur besimin tuaj, falja është e arsyeshme. Nga ana tjetër, pendimi e bën partnerin të mos bëjë sërish të njëjtin faj.
Si të besoni te partneri
Besim do të thotë të pranojmë cilësitë dhe aftësitë e një personi tjetër: ajo që ndihmon shumë për t’i besuar dikujt është të kuptojmë veten dhe të tjerët. Edhe në këtë rast nevojitet ndihma e të tjerëve, sepse nëse në një ambient të caktuar askush nuk ka besim te dikush, do të jetë ekstremist e vështirë që ju të besoni tek ai person. Besimi është gjithmonë një rrugëtim drejt të panjohurës, por edhe një akt që konsiston të ecësh në një terren solid.
Arsyeja pse mundohemi t’i japim besim partnerit është shpesh frika, pak a shumë e shfaqur, se mos ai na zhgënjen, tradhton, mashtron. Para së gjithash, duhet të fillojmë nga ideja që në një marrëdhënie nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë asnjëherë bindja e sigurt që partneri do të jetë gjithmonë me ne, i dashuruar, besnik, i gatshëm të na qëndrojë pranë në të mirë e në të keq.
Pavarësisht kësaj bindjeje, personi i dashuruar ia jep besimin partnerit, sepse vendos me vullnetin e tij që është njeriu i duhur me të cilin ia vlen të rrezikojë, pavarësisht se si shkojnë gjërat. Ndaj mënyra e parë për të besuar te partneri është të zgjedhin ta bëjnë. Është thelbësore të evitoni t’i jepni shumë peshë gënjeshtrave “të bardha” që nuk janë të rëndësishme, të cilat sidomos në fillimet e lidhjes janë të shpeshta. E rëndësishme është që këto gënjeshtra të mos bëhen normalitet.
Gënjeshtra e thyen besimin
Besimi krijohet, por mund edhe të shkatërrohet: kur? Për shembull nëpërmjet një gënjeshtre. E megjithatë gënjeshtrat i dëgjon githandej, prandaj në çdo moment pakti i besimit që lidh njerëzit mes njëri-tjetrit shndërrohet në një marrëdhënie të pasigurt dhe konfuze. Por në fund, gënjeshtrat dalin në shesh dhe në mënyrë të paevitueshme lind edhe nevoja për të rigjetur besimin e humbur.
Përgatiti: Manjola Ereqi | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.