FB

March 15, 2023 | 9:23

Mësimdhënësit t’i kthejnë sytë edhe më mirë nga Filozofia Morale (Etika), për të kryer sa më cilësisht misionin e tyre fisnik!

 

Etika është një nga fushat e jetës shpirtërore të njerëzve. Njerëzimi i rregullon marrëdhëniet me anën e ligjeve juridike, të cilat përcaktojnë ç’është drejtësia dhe ç’është padrejtësia. Për këtë shtetet kanë nga një ligj themelor që quhet kushtetutë dhe prej këtij ligji themelor ata nxjerrin akte nënligjore specifike. Shkelja e këtyre ligjeve shoqërohet me sanksione, të dënueshme. Njerëzimi i rregullon marrëdhëniet e veta edhe përmes disa normave të tjera të pashkruara nëpër kushtetuta e ligje, por nëpër “Kode”, të përshkruara nga norma apo rregulla etike. Këto norma zgjidhen nëpërmjet dilemës duke përcaktuar: ç’është drejtësia dhe ç’është padrejtësia, ç’është e mira dhe ç’është e keqja, ç’pëlqehet dhe ç’nuk pëlqehet, ç’lejohet dhe ç’nuk lejohet. Këto norma të tilla quhen morale, ose norma etike.

ilia-larti

Nga Prof. Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

Etika është shkenca që studion moralin, parimet, normat dhe rregullat e sjelljes së njerëzve në shoqëri. Morali i një shoqërie, i një klase apo edhe i një grupi shoqëror.

Etika si dega më e fisme e filozofisë ka të bëjë me studimin dhe vlerësimin e sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale. Parimet morale mund të shikohen si standardi i sjelljes që njerëzit kanë ndërtuar për veten e tyre ose si lëndë e shtrëngimeve dhe detyrimeve që një shoqëri e caktuar kërkon nga pjesëtarët e saj. Ajo merret me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, si mundemi ne të bëjmë dallimet mes tyre, a është e mira dhe e keqja e njëjtë për të gjithë; si mundemi të bëjmë vendime të forta që mund të ndihmojnë apo pezmatojnë të tjerët? Emërtimi përdoret edhe për çdo sistem ose teori të vlerave morale ose parimore.

h-2

Morali është tërësia e parimeve, e normave edhe e rregullave që janë krijuar historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri, vetë sjellja e njeriut sipas këtyre parimeve, normave e rregullave. Sjellje që lidhet me nderin, sjellje e ndershme, tërësi e forcave të brendshme që e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë, gjendja shpirtërore e dikujt.

“Përpjekja më e rëndësishme njerëzore është orvatja qe njeriu të jete me moral në aspektin e veprimeve. Baraspesha jonë e brendshme dhe madje gjithë qenësia jonë varet nga kjo. Vetëm morali në veprimet tona mund t´i japë bukuri dhe dinjitet jetës sonë”. (Albert Ajnshtajn)

Normat etike ose morale rregullojnë marrëdhëniet  tona dhe prandaj janë të dobishme: nëse ne ndihmojmë një grua të pafuqishme apo te moshuar për të ngjitur shkallët e autobusit, kur shoqëria behet e ndjeshme nga ana sociale, për te ndihmuar njerëz apo gupe njerëzish për te përmirësuar jetesën (sigurimi i minimumit te jetesës),  ne kështu krijojmë një mjedis shoqëror ku njeriu i pafuqishëm dhe ne nevoje ndihmohet. Kështu që edhe ne vetë, që sot jemi të fuqishëm, nesër kur të mos jemi si sot, do t`na jepet ndihmesa për të cilën do të mund të kemi nevojë. Pra, ndihma ndaj të pafuqishmit, përbën një normë morale, apo etike por dhe sociale.

Ne këtë këndvështrim do të përcjellim dhe etikën e profesionit të mësuesisë në procesin mësimor..!

Kur i kërkojmë nxënësit qe nuk është përgatitur për mësim qé të mos e maskojë mospërgatitjen e vet me gënjeshtra, në fakt kërkojmë që to mos na gënjejnë dhe të mos jetojmë në mjedis të tillë shoqëror ku gënjehet. Gënjeshtra dëmton vetë nxënësin e papërgatitur, por edhe në të tjerët. Pra, mospajtimi me gënjeshtrën përbën një normë morale apo etike.

Etika profesionale

Grupimi i njerëzve të të  njëjtit  profesion, funksionin dhe veprimtarinë e tyre e bazojnë te ligjet e shkruara. Pra, çdo profesion udhëhiqet nga një “kod i etikës” profesionale. Çdo profesion udhëhiqet gjithashtu edhe nga kode morale, rregulla specifike morale për çdo profesion. Kodi moral i mësuesit buron nga:

Subjekti i punës mësimore që është nxënësi – një njeri i mitur, në rritje, në zhvillim, që është para mësuesit për të mësuar.

Nga marrëdhëniet me palën e mësuesve, e cila përbëhet nga njerëz që dinë me shumë, që kanë eksperiencë jetësore.

Nga materialet mësimore me të cilat punon mësuesi e nxënësi.

Vlerësimi i etikës profesionale
Etika e mësuesit që bazohet në parimet humaniste ka të bëjë me qëndrime të mësuesit ndaj nxënësve, ndaj kolegeve dhe ndaj situatës së të nxënit.
1. Qëndrimet ndaj nxënësve dhe ndaj arsimit.
Maslou dhe Roxhers: Mësuesit duhet të kenë besim tek fëmijët dhe t’i lënë ata të marrin vendime vetë. Mësimi duhet të ketë në qendër nxënësin.
2. Karakteristikat e mësuesve efektivë.
Roxhers Mësuesit duhet të jenë besues dhe të sinqertë, duhet t’i vlerësojnë nxënësit dhe t`i  kuptojnë ata.

Kombas: mësuesit duhet të jenë të vëmendshëm, lexues, të sigurt në vetvete, të adaptueshëm.

3. Faktorët emocionalë duhet të kihen parasysh po aq sa edhe ata konjitivë (proces njohës)

Braun: Arsimi konfluent duhet të sigurojë që elementet konjitivë dhe emocionalë të situatës së të nxënit të ecin paralelisht.

4. Marrëdhënia midis mësuesve dhe nxënësve.

Gordon: Mësuesit duhet të përpiqen të ndërtojnë marrëdhënie pozitive me nxënësit, të dallojnë se me kë ka të bëjë problemi dhe të përdorin mesazhe të vetës së parë.

5. Mendimi që nxënësit kane për vete dhe efektet e tij mbi të nxënit.

Pèrkei: Mësuesit duhet tu komunikojnë nxënësve se ata janë të përgjegjshëm, të aftë dhe të vlefshëm.

Ata duhet të bëjnë të pamundurën që nxënësit te kenë mendim pozitiv për veten.

6. Mësuesit duhet të përdorin teknika të tilla që i nxisin nxënësit të eksplorojnë ndjenjat dhe emocionet e tyre. Mësuesit përdorin teknika që nxënësit të kuptojnë njëri – tjetrin, sikurse përdorin teknika që ndihmojnë nxënësit të veprojnë mbi bazën e moralit të vet.

Praktika morale është njëra ndër format e para të manifestimit të jetës shoqërore të njeriut si qenie shoqërore. Me të dalë nga bota e kafshëve, njeriu filloi të përcaktojë disa sjellje të vetat dhe të tjerëve – diçka që duhet e janë në rregull dhe diçka që nuk duhet nuk janë në rregull.

Nëse Hegeli ka të drejtë kur thotë se: forma më elementare e mendimit filozofik shprehet në sentencat morale, atëherë del qarte se, çështja morale (etike) bashkë me ontologjinë janë problemet nga më të vjetra në filozofi. Edhe filozofët greke qe ne hershmëri, krahas çështjeve që u morën me kozmosin, substancën etj., ata u morën edhe me çështjen etike si: e mira-e keqja, e drejta- e padrejta etj. Ndaj është e lidhur ngushtë njohja dhe vlerësimi, sikurse dhe ai moral, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm të njohë gjërat, por edhe te synoje ta vlerësojë sa me objektivisht atë që ai di..!.

h-1

Në këtë këndvështrim veprat, sjelljet, qëllimet, kriteret dhe vlerat morale te njeriut u bënë dhe vazhdojnë të jenë objekt i analizës sistematike në sensin filozofik. Megjithëse shumë filozof para Aristotelit u morën dhe kontribuon në çështjet morale (etike) prapëseprapë, themelues i Etikës si doktrinë filozofike llogaritet Aristoteli.

Etika si disiplinë merret me studimin e çështjes së burimit, esencës dhe të funksionit të moralit. Ç’është morali, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta, e lejueshmja dhe e palejueshmja, detyra morale, vlera etj., të gjitha këto janë çështje me të cilat merret Etika.

Të gjitha pikëpamjet etike mund t’i ndajmë në pikëpamje etike autonome dhe heteronome. Pikëpamja etike heteronome, burimin e çdo sjellje e gjen jo në njeriun por si subjekt i moralit diku jashtë dhe pavarësisht nga njeriu. Në etikën e këtillë është etika religjioze, kozmologjike e Heraklitit, Pitagorës, Akuinit etj. Etika autonome, përkundrazi konsideron se burimi i çdo morali dhe veprimi moral gjendet në vetë njeriun. Përfaqësues më të njohur janë Sokrati, Stoikët, Kanti, Fihte etj. Stoikët thonë se për të qenë i lumtur njeriu, mjafton të heqë dorë nga interesat dhe të ruajë autonominë e mendjes.

Përfaqësues tipik i etikës autonome është Kanti. Ai thotë se askund në botë për më tepër, as jashtë saj, nuk mund të merret me mend asgjë, që pa kurrfarë kufizimesh mund të konsiderohet e mirë, pos vullnetit të mirë. Vullneti i mirë është vullneti racional që mbështetet në mendjen praktike.

Etika në tërësinë e saj, është një nga shkencat që merret me botën shpirtërore dhe standardet e sjelljeve të njerëzve me njëri-tjetrin. Ajo rregullon marrëdhëniet midis njerëzve me anën e normave morale, kërkesave ligjore dhe atyre juridike, ku nëpërmjet të cilave përcaktohet: ç’është e “mira” dhe ç’është e “keqja”, ç’është e “drejta” dhe ç’është e “padrejta”, “ç’lejohet” dhe “çnuk lejohet” e tej. Këto sigurisht rrjedhin dhe marrin forcën e duhur ligjore si dhe atë morale duke u mbështetur tek Kushtetuta dhe legjislacioni tjetër, që rregullon marrëdhëniet midis njerëzve në një shoqëri demokratike.

Ndaj normat Etike si rregulluese të marrëdhënieve midis njerëzve, janë tepër të nevojshme dhe shumë të dobishme në një shoqëri, ku jeta dhe veprimtaria e njerëzve përbëhet nga detyra, të drejta dhe interesa të cilat realizohen nëpërmjet komunikimit, bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis njerëzve me interesa të ndërsjella. Kjo në thelbin e saj, ka sa “Etikën Humaniste”, “Terapinë Psikologjike Humaniste” dhe “Taktin Pedagogjik” që hyn në fushën e marrëdhënieve humane.

Atëherë në këtë këndvështrim përkufizojmë se:

Etika profesionale e mësuesit është: “Tërësia e nivelit profesional e lidhur me misionin e shkollës dhe të profesionit të mësuesit e përshkruar nga normat e sjelljes  dhe qëndrimeve  sa më të drejta, nëpërmjet pasqyrimit të nivelit, profesional, intelektual, human,  kulturor dhe respektimin e të drejtave njerëzore, morale, ligjore dhe juridike, të cilat e detyrojnë mësuesin të veprojë në mënyra të  përcaktuar  sa më drejt, për të përfaqësuar denjësisht  një njeri që ofron dhe përcjell dije, një person dhe figurë publike me vlera qytetarie, të cilat i ve në shërbim të nxënësve, kursantëve, studentëve tej, për t`i formësuar ata si qytetarë të denjë të shoqërisë, e nesër të vihen në interes të vendit, të së drejtës dhe demokracisë”.

Duke  qenë  mësimdhënësi   etik,  përcjell  formim profesional dhe vlerat morale si njeri humanist, qytetar i sjellshëm dhe intelektual i edukuar.

Fjala që mban brenda vetes është skllavja jote, ajo që nxjerr jashtë, është padronia jote.

Etika nëpërmjet normave, parimeve dhe standardeve të sjelljeve qytetare, shërben si rregullatorë e marrëdhënieve në mjedise dhe mikromjediset e shkollës dhe jashtë saj, me kursantët (studentët), kolegët, drejtuesit, institucionet shtetërore dhe gjithë qytetarët e interesuar për mbarëvajtjen e shkollës

Në këtë aspekt është e nevojshme, që për mësimdhënësin (përfshi të gjitha nivelet) të ketë një “Kod Moral”, i cili të përshkruhet nga norma parime dhe vlera Etike (morale), ku mënyra e të sjellurit, marrëdhëniet me të tjerët t’iu përmbahen atyre, për të krijuar atë performancë Etiko-Profesionale, që ai të ketë të drejtë të japë mësim dhe të krijojë besimin tek qytetarët se, djemtë dhe vajzat e tyre, marrin dije dhe edukohen, për tu bërë të denjë si qytetarë dhe intelektualë, në shërbim të shoqërisë.

Si për të gjitha fushat dhe profesionet dhe ajo e mësimdhënësit ka “Kodin e Etikës” së tij. Fusha e arsimit me specifikat e saj në gjysmë shekullin e XX-të, përqafoi një “Kod Etike”, krejt të ri që kish për bazë “Etikën Humaniste”.

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top