Sjellja e shqetësuar e fëmijës së parë kur vjen fëmija i dytë nuk lidhet me moshën, por me dyshimin, që ai ka se çfarë do të ndodhë me të. Një varg pyetjesh të cilat nuk ka kurajo t’i bëjë, i vërtiten në mendjen e tij. Do ta duan më? Pse e bënë fëmijën e dytë, se nuk e duan më atë? Tani vëmendja nuk është vetëm për të, por ka ardhur ky i vogli dhe të gjithë janë të ekzaltuar pas tij.
Nga Lira Gjika
Nëna gjithë ditën rri me të voglin në dorë, madje fle afër tij, ndërsa fëmijës së parë i thotë: “Ti u rrite tani, ke shkuar dhe në shkollë.” Madje i kërkon edhe ta ketë “xhan”. Në këto çaste të vështira për fëmijën e parë, nëna dhe babai duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kenë shumë kujdes me fjalët që do të përdorin, pasi fëmija edhe pse i rritur në raport me vëllan apo motrën e vogël, është ende fëmijë.
Mbase moshën mund ta ketë pesë, shtatë apo edhe dhjetë vjeç, por ai është ende fëmijë që ka nevojë për prindërit edhe për shumë kohë dhe ende nuk di të dojë apo të ndajë me të tjerët gjërat e tij, sidomos prindërit. Kjo vuajtje, sipas shkencëtarëve, zgjat minimumi tetë muaj, por me kushtin që prindërit dhe të rriturit pranë të jenë shumë të kujdesshëm.
Këto vuajtje janë të shëndetshme, sepse i mësojnë fëmijës si të pranojë të tjerët, pasi dhe motra apo vëllai është një tjetër, edhe pse kanë të njëjtët prindër dhe janë pjesë e të njëjtës familje. Të mësosh të duash e te pranosh tjetrin, kërkon kohë dhe shumë kujdes nga prindërit. Mësimi i të dashurit dhe të mirës për tjetrin, fillon e mësohet e konkretizohet pikërisht kur bëhesh vëlla apo motër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.