Më ka bërë gjithnjë përshtypje kur ndesh njerëz të mëdhenj, me ndjeshmëri, mendim e aftësi të rralla, por që nuk e dinë. Nuk e ndjejnë. Dhe kështu, mbeten të ngujuar në marrëdhënie, punë e role shumë më poshtë nga ç’meritojnë.
Deri edhe qofte orizi hanë. Jo se nuk mund të bëjnë më mirë, por sepse nuk besojnë se u takon diçka më e mirë. Dhe merreni me mend… Ky dyshim nuk nis në moshën e rritur. Ata e mbajnë mbi supe që herët, nga ato kohë kur disa nuk i panë. Nuk i besuan. Nuk u thanë kurrë: “Je mjaftueshëm, ashtu si je.”
“Ç’t’i them që të besojë te vetja?” – më pyesin shpesh prindërit.
S’është nevoja t’i thuash asgjë. Është nevoja ta besosh ti. Ta tregosh me shikimin tënd, me durimin tënd, me “jam këtu”, se çfarëdo që të të thotë, sado e çuditshme, e lodhshme, e vështirë apo e frikshme.., ti e dëgjon. Dhe e nderon. E merr seriozisht, sepse për të është serioze.
Fëmijët që rriten me këtë përvojë, nuk shkojnë më pas të kërkojnë “dëshmi” se vlejnë. Nuk bëhen skllevër të miratimit. Nuk vrapojnë pas duartrokitjeve. Sepse dikur, dikush, ka besuar te ata… Ja ç’bën besimi i një prindi: ngre brenda fëmijës një zë që i thotë “je mjaftueshëm”, para se t’ia thotë bota.
Mos e mëso fëmijën të provojë se ia del mbanë! Mësoje se, çfarëdo që të ndodhë, ti do të besosh se ai mundet! Edhe kur nuk mundet. Sidomos atëherë. Sepse atëherë, besimi yt bëhet “kuraja” e tij, bëhet zemërimi i mirë që e çon përpara.
Dhe kur të humbasë rrugën, do të kujtojë nga e ka nisur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.