Mirëqenie

August 19, 2016 | 8:40

Metodat kontraceptive të vërteta dhe legjenda

Je një femër moderne dhe, më në fund, ke kontroll absolut mbi fertilitetin dhe shëndetin tënd. Megjithatë, për këtë duhet të jesh e informuar. Zbulo çfarë është mit dhe çfarë është e vërtetë për sa i përket metodave kontraceptive, për të gëzuar dashurinë pa ankthin e një shtatzënie të padëshiruar.

Jemi të vetëdijshme se çdo marrëdhënie seksuale e pambrojtur nuk na ekspozon vetëm ndaj një shtatzënie të papritur, por edhe ndaj rrezikut të një infeksioni seksualisht të transmetueshëm. Shpeshherë kënaqemi me informacione të cunguara mbi shtatzëninë dhe mbi metodat kontraceptive, informacione të cilat nuk i marrim vetëm nga mjekët specialistë, por, më tepër, nga rrethi shoqëror dhe nga mikeshat tona. Nuk dimë çfarë është korrekte dhe çfarë jo, çfarë është “legjendë urbane” dhe çfarë e vërtetë nëse vendosim të udhëheqim jetën tonë seksuale sipas atyre që dëgjojmë. Dhe për sa u përket “legjendave”, e kemi më të vështirë të heqim dorë. Paragjykimet zhduken me vështirësi, për më tepër kur vjen fjala për një fushë ku nuk e kemi të lehtë të flasim shpesh dhe me gjithkënd…

Pilula shkakton kancerin e gjirit

E pavërtetë!

Përdorimi i pilulave nuk shkakton kancerin e gjirit. Përkundrazi, ul rrezikun e shfaqjes së tij në endometër (“veshja” e mitrës) dhe në vezore. Lidhja midis përdorimit të pilulës dhe shfaqjes së kancerit të gjirit ka qenë intensivisht e studiuar në të gjithë botën. Vizitat më të shpeshta te mjeku në rastin e femrave që përdorin këto pilula, rritin shanset për të zbuluar që në fazat e para një kancer të gjirit apo të qafës së mitrës. Rreth 100 milionë femra në të gjithë botën marrin pilula kontraceptive dhe konsumi i tyre shënon tashmë më shumë se 50 vjet. Jeta e tyre është përmirësuar në mënyrë të dukshme sepse, siç thonë ato, përdorimi i pilulave ndihmon të ndihesh më e qetë, të kontrollosh pothuajse 100% jetën seksuale dhe nuk je më në ankth çdo muaj se mund të jesh shtatzënë.

Pilula të shëndosh

E pavërtetë!

Ky është një mit që dëgjohet shumë shpesh, por pilulat kontraceptive nuk të shëndoshin! Shumica e femrave që i përdorin nuk shtojnë në peshë. Studimet tregojnë se numri i atyre që marrin peshë gjatë përdorimit, është i ngjashëm me numrin e atyre femrave që humbasin kilogramë. Është e vërtetë se disa femra mund të shtojnë pak në peshë gjatë muajve të parë, por këto kilogramë tepër, për të cilat akuzohet padrejtësisht pilula, janë të shkaktuara nga mbajtja e ujit të vetë trupit. Mund të kesh fryrje, por nga shumëllojshmëria e këtyre produkteve me përbërje të ulët hormonale mund të gjesh, me këshillimin e mjekut, ato pilula të cilat nuk japin këtë gjendje kalimtare. Gjithashtu, është e mundur të kesh më tepër oreks gjatë muajve të parë të marrjes së pilulës, por lajmi i mirë është se të gjitha këto efekte dytësore janë të përkohshme.

Zgjedhja e kontraceptivit bëhet sipas këshillave të shoqes apo të partnerit

E pavërtetë!

Është shumë e rëndësishme të kesh një mjek me të cilin të bisedosh hapur mbi çështjet që duhen marrë parasysh kur vendos të përdorësh një metodë kontraceptive. Kështu që, lër takim me një mjek me përvojë të gjatë për sa i përket planifikimit familjar. Ka kohën e mjaftueshme për të diskutuar me ty, të kupton dhe arrin të të fitojë besimin. Pavarësisht këshillave që merr, vetëm ti mund të vendosësh për sa i përket metodës që i përshtatet më shumë stilit tënd të jetesës dhe jetës seksuale.

Pilulat sjellin deformime të fëmijëve që do të keni

E pavërtetë!

Pilula nuk ndikon mbi shëndetin e fëmijëve që mund të vijnë në jetë në të ardhmen dhe as nuk prodhon keqformime tek ata. As në rastin më të rrallë, kur femra mund të ngelë shtatzënë gjatë periudhës kur merr këto pilula. Pilula është një nga medikamentet më të verifikuara shkencërisht dhe më të këshilluara për përdorim – kështu që rreziqet që mund të shfaqen janë studiuar në kohë. Midis tyre nuk janë të përfshira defektet gjenetike. Defektet gjenetike të të sapolindurve kanë ekzistuar shumë kohë përpara shpikjes së kontraceptivëve. Këto defekte që shfaqen në lindje janë në shumicën e rasteve të lidhura me faktorë gjenetikë (sindroma Dawn) ose faktorë të jashtëm (ilaçe, ekspozimi ndaj substancave kimike, mbetjeve toksike, infeksione virale). Asnjë metodë kontraceptive nuk çon në shfaqjen e keqformimeve të fëmijëve.

Metoda e kalendarit është shumë efikase

E pavërtetë!

Metoda e kalendarit bazohet në identifikimin e periudhave fertile gjatë ciklit menstrual. Ajo mund të përdoret me sukses nga femrat që e kanë ciklin e tyre të rregullt. Por, ovulimi shpeshherë ndikohet nga faktorë të ndryshëm, gjë që mund të bëjë që ovulimi të mos ndodhë në kohën që pritet. Për më tepër, spermatozoidet mund të mbijetojnë në mitër deri në 5 ditë, e për rrjedhojë mund të fekondojnë një ovul gjatë kësaj kohe. Në këtë mënyrë, mund të kesh marrëdhënie seksuale jashtë ditëve kur ndodh procesi i ovulimit dhe të ekspozohesh ndaj një shtatzënie të padëshiruar. Mos harro: pavarësisht se cikli menstrual është i rregullt (zgjat rreth 28 ditë, ka shumë faktorë të tjerë që duhen marrë në konsideratë: mosha, stresi, ilaçe të ndryshme.

Ekziston rreziku që pas përdorimit të pilulës të mos ngelesh shtatzënë

E pavërtetë!

Studimet kanë treguar se pilula kontraceptive nuk çon në infertilitet dhe nuk pakëson shanset e femrave për të pasur një shtatzëni kur ato e ndërpresin përdorimin e tyre. Zakonisht, fertiliteti rikthehet shumë shpejt kur femra vendos të heqë dorë nga pilulat, madje që në muajin e parë.

Nuk ngelesh shtatzënë nëse “ruhesh” (coitus interruptus )

E pavërtetë!

Ky është një mit shumë i rrezikshëm. Kjo metodë ka një efikasitet mjaft të kufizuar, nuk është një metodë së cilës duhet “t’i zësh besë”. Ka të bëjë me të ashtuquajturin likuid para-derdhje, i cili përmban rreth 300000 spermatozoide (është i mjaftueshëm vetëm një për të fekonduar një vezë). Ekziston dhe rreziku që partneri të mos e kontrollojë shumë mirë veten dhe të mos arrijë “të tërhiqet” në çastin e duhur. Për më tepër, kjo metodë nuk e mbron femrën nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Pilula orale ka efekte dytësore

E pavërtetë!

Përdorimi i çfarëdolloj kontraceptivi mund të shoqërohet nga efekte anësore, por kalimtare. Ato nuk janë të rrezikshme për shëndetin. Mund të krijojnë njëfarë sikleti, i cili zhduket gjatë muajve të parë të përdorimit të pilulave. Efektet anësore gjatë përdorimit të pilulave kontraceptive janë: • të përziera (më të shpeshta në 3 muajt e parë)

• gjakderdhje të pakta në formën e pikave midis menstruacioneve mujore, në veçanti kur femra harron të marrë pilulën dhe në përgjithësi kur femra ka harruar të marrë pilulën ose e ka marrë me vonesë (më të shpeshta në 3 muajt e para)

• dhimbje të lehta koke

• disa kilogramë më tepër në peshë

• mungesë të menstruacioneve Nga ana tjetër, efektet dytësore të cilat mund të shfaqen – në përgjithësi në fillimin të përdorimit – janë të baraspeshuara nga avantazhe si: nëse janë përdorur siç duhet, janë shumë efikase; nuk ndikojnë aspak në aktin seksual; rrisin dëshirën seksuale, heqin frikën nga një shtatzëni e padëshiruar; cikli menstrual është i rregullt; mund të përdoren pa limit kohe; mund të ndërpritet në çdo moment përdorimi i tyre. Për më tepër, rikthimi i fertilitetit pas ndalimit të përdorimit të tyre është i shpejtë.

Metoda kontraceptive është e garantuar 100%

E pavërtetë!

Është e rëndësishme të dish se asnjë metodë nuk është e garantuar 100%, përveç abstenimit! Të gjitha metodat kontraceptive kanë një efikasitet në teori, që do të thotë se veprojmë në mënyrë korrekte kur përdorimi i tyre bëhet sipas udhëzimeve që shoqërojnë kontraceptivët. E dimë sa e vështirë është të prekim kushtet ideale (të përkryera, është mirë të pyesësh veten nëse je në gjendje t’i respektosh në mënyrë rigoroze këto rregulla të përdorimit të tyre). Ka metoda, të cilat janë të lehta në përdorim dhe të tjera që kanë vështirësi gjatë ndjekjes së tyre. Bëni kujdes kur i analizoni këto gjëra! E vështirë nuk është të marrësh pilulën, por të mbash mend se kur duhet ta marrësh!

Dushi mund të parandalojë shtatzënitë

E pavërtetë!

Këto larje nuk parandalojnë aspak, sepse është pothuajse e pamundur të lahesh në kohën e përshtatshme për të ndaluar të gjithë spermatozoidet “të ngjiten” drejt vezoreve. Mjafton vetëm një për të fekonduar vezën! Kjo gjë vlen edhe kur dushi bëhet menjëherë pas kontaktit seksual. Dushi është çdo gjë, vetëm një metodë kontraceptive jo!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top