FB

May 29, 2025 | 15:30

Micro-Retirement: Trendi ku shumë të rinj sot po e aplikojnë për të shijuar jetën tani, në vend që të presin pensionin tradicional

 

Në një botë ku ritmi i jetës është i pandalshëm dhe presioni për sukses profesional është i jashtëzakonshëm, gjithnjë e më shumë të rinj po përqafojnë një filozofi të re jetese: “micro-retirement” – ose, thënë thjesht, pauza të gjata nga puna për të jetuar, reflektuar dhe për të rigjetur veten. Ky fenomen i ri është duke marrë hov edhe në Shqipëri, veçanërisht mes brezave të rinj që nuk janë më të gatshëm të sakrifikojnë shëndetin mendor për karrierën.

silvana-uka-465x620

Po çfarë është “micro-retirement”?

Trendi “Micro-Retirement” i referohet një mënyre të re jetese ku individët marrin periudha të shkurtra “daljeje në pension” gjatë karrierës së tyre aktive, në vend që të presin për një pension tradicional pas moshës 60+.

Në thelb, micro-retirement është një mënyrë për të shpërndarë “kohën e lirë të pleqërisë” në faza të ndryshme të jetës, duke e bërë jetën më të balancuar dhe të qëllimshme.

Pra , “Micro-retirement” nuk është një pushim klasik i zakonshëm prej dy javësh. Është një pauzë e qëllimshme dhe më e gjatë – nga disa muaj deri në disa vite – që njerëzit marrin gjatë jetës së tyre aktive, dhe jo në fund të saj. Ky koncept i bën sfidë modelit tradicional të “punës” derisa të dalesh në “pension”, duke e vendosur përparësinë tek mirëqenia, zhvillimi personal dhe ekuilibri mes jetës dhe punës.

 

Tre janë faktorët kryesorë që ky stil është bërë tashmë një trend:

1.Kultura moderne po e vë më shumë theksin te balanca jetë-punë.

2.Gjeneratat e reja (si milenial dhe Gjenerata Z) vlerësojnë përvojat më shumë se pronësitë materiale.

3.Shumë individë, janë të vetëdijshëm se mund të mos kenë shëndet ose mundësi për të shijuar një pension tradicional më vonë.

Sipas një sondazhi të vitit 2024 nga “Forbes Advisor”, mbi 45% e të rinjve të brezit Z dhe milenialëve në SHBA deklaruan se janë të hapur ndaj idesë së një micro-retirement gjatë karrierës së tyre. Të dhëna të ngjashme po shfaqen edhe në Evropë, ku shtetet si Holanda, Gjermania apo Franca po përshtatin politika më fleksibile për punonjësit e rinj që kërkojnë pushime të gjata për zhvillim personal.

Në Shqipëri, ndonëse pa mbështetjen e duhur institucionale, trendi ka nisur të ndihet tek profesionistët e rinj në sektorin privat, të cilët përballen me ritme të larta pune, presion për performancë dhe mungesë të ekuilibrit emocional.

grua-pushime

Po pse po ndodh kjo?

Shkencëtarët e psikologjisë i japin këtij fenomeni një shpjegim të qartë: burnout-i (djegia profesionale). Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka njohur burnout-in si një sindromë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor dhe fizik. Simptoma të tilla si lodhja kronike, mungesa e motivimit, ndjenja e zbrazëtisë dhe humbja e interesit për punën, janë shenja të qarta që gjithnjë e më shumë profesionistë i përjetojnë.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Journal of Occupational Health Psychology, pauzat e qëllimshme gjatë karrierës ndihmojnë në uljen e nivelit të stresit, përmirësimin e kreativitetit dhe rritjen e motivimit afatgjatë.

Psikologjia bashkëkohore e sheh këtë trend si një mënyrë të shëndetshme për t’u shkëputur nga presioni social dhe për të ndërtuar një lidhje më të thellë me veten. Disa nga përfitimet psikologjike të provuara përfshijnë:

  • Rritjen e vetëdijes emocionale – Pushimi u jep të rinjve kohën e nevojshme për të kuptuar nevojat e tyre të brendshme dhe për të reflektuar mbi drejtimin që ka marrë jeta e tyre.
  • Zhvillimin personal dhe krijimtarinë – Largimi nga rutina nxit ide të reja, rrit ndjeshmërinë dhe nxit inovacionin personal dhe profesional.
  • Uljen e ankthit dhe depresionit – Studime nga Universiteti i Harvardit tregojnë se pauzat afatgjata nga puna ndikojnë pozitivisht në reduktimin e simptomave të ankthit dhe depresionit sidomos tek individët nën 35 vjeç.
  • Rindërtimin e lidhjeve sociale – Micro-retirement i jep individit kohën për të rikthyer lidhjet familjare, miqësitë dhe për të ndërtuar marrëdhënie më autentike.

 

A është micro-retirement një zgjidhje reale në Shqipëri?

Në një ekonomi ku pasiguria financiare është e pranishme dhe ku mungojnë politikat e mirëfillta të pushimeve të zgjatura, micro-retirement mund të duket si një luks. Megjithatë, gjithnjë e më shumë të rinj në vendin tonë po gjejnë mënyra kreative për ta realizuar atë: duke bërë kursime afatshkurtra, duke punuar në distancë për kompani të huaja ose duke bërë punë sezonale që lejojnë fleksibilitet.

Në rrjetet sociale shqiptare, hasen histori të të rinjve që kanë marrë pauza nga puna për të udhëtuar, për të studiuar artin, për të bërë punë vullnetare apo për të kaluar më shumë kohë me veten. Këto histori frymëzuese tregojnë se “pushimi i gjatë” nuk është më tabu, por një zgjedhje jetese.

Psikologët këshillojnë që një micro-retirement të mos jetë një vendim impulsiv, por një zgjedhje e mirëplanifikuar.

Për ta përfunduar si trajtesë. Trendi i micro-retirement nuk është vetëm një modë kalimtare, por një reflektim i nevojave të reja psikologjike të një brezi që refuzon të sakrifikojë jetën për punën.

Nëse jeni duke ndjerë lodhje të thellë, konfuzion për të ardhmen apo thjesht keni një dëshirë të brendshme për ndryshim – ndoshta është koha për një micro-retirement. Jo për të ikur nga jeta, por për t’u rikthyer në të, më i qetë, më i qartë dhe më i vetëdijshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top