“Kush gjen një mik, gjen një thesar”, – thotë një proverb i vjetër, por jo të gjithë thesaret janë të mirëpritur. Me pak fjalë, jo të gjitha mikeshat (apo edhe miqtë meshkuj) kanë një ndikim pozitiv te ne dhe raportet ndërpresonale. Miqtë mund të kushtëzojnë së tepërmi mënyrën tonë të të jetuarit dhe se si i shohim jo vetëm gjërat rreth e qark nesh, por mbi të gjitha se si e konsiderojmë veten. Nëse ndikimi i miqve është negativ, atëherë është mirë të kuptoni se cilët janë njerëzit që duhet të largoni, të paktën nga zemra juaj, në rast se nuk është e mundur ta bëni duke i shkëputur të gjitha lidhjet me ta. Ka tipologji të ndryshme miqsh nga të cilët duhet të kujdesemi, siç shpjegon sociologu Jan Yager, autor i librit “Kur miqësia dëmton” (When friendship hurts”).
Kritiku
Ata që gjithmonë i dinë të gjitha
Njerëzit janë gjithmonë gati të polemizojnë mbi gjithçka dhe të kritikojnë çdo gjë, kanë një ndikim negativ dhe ndonjëherë edhe “ngjitës”. Një këshillë e vlefshme për këtë tipologji miqsh është t’i përgjigjeni me ndonjë batutë të tipit: “Le të shohim nëse do ia dalim të rrimë një minutë pa gjetur ndonjë gjë për të kritikuar…”
Terapeuti
Shumë këshilla, mbi të gjitha nëse nuk t’i kërkon kush, mund të bezdisin. E, megjithatë, nuk është e thënë që të bëhet fjalë për sugjerime gjithmonë të vlefshme. Të rrish me një mikeshë dhe të ndihesh sikur je terapeutja e saj nuk është aspak argëtuese. Një këshillë e mirë për t’i përballuar këta lloj miqsh është ta falënderoni pa debatuar për këshillën e dhënë, pasi herët a vonë jeni ju që duhet të vendosni se çfarë duhet të bëni me jetën tuaj.
Problemet me egon
Egocentriku
Nëse miku në fjalë është shumë i përqendruar te vetja, nëse flet vetëm për veten dhe nuk dëgjon asnjëherë atë që i thoni, është mirë ta lini të flasë me veten. Është një sinjal për ju. Mund ta lini të flasë gjithë kohës dhe të jeni ju dëgjuesi, ndonëse kur bëhet fjalë për të biseduar ju me një mik, është mirë të zgjidhni dikë tjetër që di t’ju dëgjojë.
Altruisti
Nëse një mik është shumë i kujdesshëm ndaj atyre që i thoni dhe nuk flet asnjëherë për veten, krijohet një marrëdhënie jo e barabartë dhe që ju jep përshtypjen se nuk duhet të keni besim.
Mungesa e personalitetit
Imituesi
Kur shoqja juaj e ngushtë bën gjithçka për të imituar mënyrën se si visheni, mënyrën se si flisni apo se si mendoni, është e nevojshme të krijoni distancë, pasi kjo sjellje do të thotë se personaliteti i saj nuk është ende aq i pjekur sa të mund të gjenerojë bashkëveprim të barabartë dhe interesant me ju. Lajkatari Nëse mikesha në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse ju bën komplimente, do të thotë vetëm dy gjëra: ose po gë- njen, ose nuk di të jetë objektive. Në të dyja rastet nuk duhet të keni shumë besim në gjykimin e saj.
Ata, të cilëve nuk duhet t’u besojmë
Ai që nuk mban asnjëherë premtimet
Nëse ka disa muaj që shoqja juaj e shtyn takimin për kafe në çastin e fundit, mund të ndodheni në situata të bezdisshme dhe të mbeteni për shumë kohë e zhgë- njyer. Gjeni shoqëri diku tjetër dhe prisni që të jetë ajo që do të organizojë takimin e radhës.
I hutuari
Në rast se miku apo mikesha bëjnë gjëra “të çuditshme”, të cilat nuk hyjnë aspak në sferën e vlerave tuaja, është mirë të largoheni sa jeni në kohë. Rrezikoni të përfshiheni edhe ju në situata të tilla të ngjashme dhe rreziku se mund të ndiheni në siklet prej këtyre sjelljeve është shumë i lartë.
Miq të dëmshëm
Garuesi
Gara, sidomos ajo mes femrave, është e paevitueshme dhe ndonjëherë mund të jetë e domosdoshme dhe pozitive, sepse stimulon për të bërë gjithmonë më të mirën. Mirëpo, kur gara mes dy miqve del nga kufijtë e normales, atëherë u heq atyre kënaqësinë e të qëndruarit bashkë dhe nuk është më e shëndetshme, ndaj duhet domosdoshmërish evitimi i këtyre situatave.
Përfituesi
Nëse mikesha juaj ju fton dhe kujtohet për ju vetëm kur ka nevojë për diçka, ndoshta nuk është një mike e mirë dhe e vërtetë…
Negativiteti
Psikovampiri
Është një lloj “vampiri” energjish, i cili varet së tepërmi prej nesh, nga prania jonë dhe e këshillave që i japim. Me pak fjalë, është një mik “mbytës”, i cili në shumë raste ju përthith energjitë.
Depresivi
Miqtë gjithmonë pesimistë dhe në depresion mund të jenë të dëmshëm me mënyrën e tyre të të parit të gjërave negativisht dhe me përulësi. Gjëja më e mirë për ne apo dhe për vetë ata do të ishte që t’i këshillonim mbështetjen e një psikologu.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.