Psikofakt

August 23, 2016 | 8:21

Shija

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sot bukën e blemë në supermarkete, dyqane ushqimore dhe – por për sa kohë ende? – në furra. Në shumicën dërrmuese të rasteve e marrim të futur në qese plastike, shpesh të lidhur. Sidomos të prerë në feta. Pra, të gatshme për t’u kafshuar. Dikur, e blinim të nxehtë në furrë. Të paprerë. E fusnim në qese cohe. Ose nën sqetull.

 

Rrugës, tek ktheheshim në shtëpi, e cimbidhnim lehtë: një çikë kore këtu, atje, në anë, në cep. Korja na kërciste lehtë dhe shijshëm midis dhëmbëve, goja na mbushej me një aromë që na e shtonte urinë dhe na bënte t’u grahnim këmbëve më shpejt. Në kuzhinë, njëri nga prindërit merrte thikën dhe e priste, ndërsa tjetri shtinte gjellën në pjata. Oh, shpimi me majën e thikës, kërcitës edhe ai, në koren e fryrë e të pjekur më së miri! Pastaj ngulja e heshtur, me një kënaqësi të paduruar, e tehut të thikës në tulin e fushkët nga dilte pak avull sa herë që thika i jepte fund prerjes së një fete; mandej, radha i vinte fetës tjetër që, nga virtuale, të kthehej në reale, dhe i njëjti rit përsëritej sensualisht nga dora eksperte e prindit. Pastaj, prej kanistrës së vogël prej xunkthi, fetat e ngrohta kalonin drejtpërdrejt në duart tona dhe, aty për aty, ne ia ngulnim dhëmbët, duke mbyllur përgjysmë sytë, e shija e bukës përzihej me shijen e gjellës (sado e thjeshtë të ishte kjo) dhe, me mendjen te goja, fyti e barku, ne harronim problemet tona fëminore (pantallonat e shqepura apo këpucët e çara nga loja me top, bërryli i lënduar në palestër dhe veshi që na kishte tërhequr mësuesja në klasë) duke bërë atë që sot mund ta konsiderojmë si meditim, oh, asokohe një meditim fare i thjeshtë, i pavetëdijshëm, por, gjithsesi, ashtu harronim shqetësimet tona të vogla, të përditshme, pikërisht në atë moment përqendrimi e përkushtimi ndaj diçkaje thelbësore, të ngrënit me shije. Nesër, kur të jemi standardizuar ose globalizuar (deri në neveri?), me shumë gjasë, ne do ta blejmë, atë, bukën, jo vetëm të celofanosur, të prerë, por edhe të ndarë në kafshata (sipas numrit të gojës!), madje, pse jo, krejt të përtypur! Pa aromë, pa shije, pa ngjyrë madje: thjesht ushqim anonim. Po ashtu siç do të blejmë, edhe për të rriturit, ushqime të homogjenizuara, në formë tabletash, që nuk do të kenë nevojë as për kafshim, as për përtypje, por vetëm për gëlltitje. Dhe kur t’i jemi larguar në këtë mënyrë natyrës, trupit, kërkesave të tij për nuhatje, lëpirje, thithje, kafshim e shijim, atëherë ndoshta, anipse treçerek të robotizuar, do të na kujtohet vagëllimthi se si, kur ishim fëmijë, e pickonim cepin e bukës së nxehtë për t’i shkulur një copëz kore, e cila për ne kishte shijen e pafrenueshme të një jete të shëndetshme, ashtu siç ia ngulnim dhëmbët, pasi e kishim fshirë duke e fërkuar me forcë disa herë te mënga e xhaketës, asaj kokërr molle, kumbulle apo hurme farëzezë që sapo e kishim këputur nga një pemë e kopshtit të Edenit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top