Në fokus

December 30, 2017 | 8:10

Mirela Kovaçi: Gjuhës amtare duhet t’i kthehet identiteti!

Nga Orjona Tresa

Kambanat e alarmit kanë rënë prej kohësh. Gjuha shqipe po keqpërdoret nga të rinjtë e moshës së internetit dhe rrjetet sociale janë etaloni i gjymtimit të saj. E megjithatë, problemet nuk mbarojnë me kaq. Prej vitesh në kurrikulat e shkollës 9-vjeçare gjuha shqipe dhe letërsia janë së bashku në një libër. Për pasojë, bashkimi i dy teksteve ka sjellë dëmtim për të dy lëndët. Dhe këtë e thonë mësuesit, ata që kanë kontaktin e përditshëm me lëndët dhe vetë nxënësit.

Mirela Kurti Kovaçi, mësuese e Gjuhë-Letërsisë në shkollën 9-vjeçare "Vasil Shanto"

Mirela Kurti Kovaçi, mësuese e Gjuhë-Letërsisë në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”

Mirela Kovaçi, një mësuese me përvojë të gjatë, e cila jep lëndët e saj pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, thotë se duhet rishqyrtuar ideja e ndarjes së gjuhës nga letërsia. Për më tej, në këtë intervistë dhënë për “Psikologjia”, ajo flet edhe për problemet e tjera që kanë të bëjnë me grupmoshën e para gjimnazit, e me të cilat ajo ndeshet vazhdimisht në punë e sipër. Ndërkohë që mesazhi i saj duhet të dëgjohet nga të gjithë nxënësit: Gjuha amtare duhet trajtuar me respekt, në kohën e lirë mësoni dhe lexoni libra cilësorë!

Prej vitesh jepni një lëndë të veçantë për brezat, gjuhën shqipe. Në fakt, sa interes ka për të, marrë shkas nga deformimet që i bën brezi i ri në përditshmëri?

Kam kënaqësinë më të madhe që po komunikojmë bashkë si profesioniste dhe qytetare, të angazhuara për problemet që vazhdimisht na shqetësojnë si komb dhe identitetin kulturor që po e shohim çdo ditë në udhëkryq. Një shqetësim me vend është dhe keqpërdorimi i gjuhës në rrjetet sociale. Përveç humbjes së kohës së lirë me mënyra më të dobishme, apo edhe asaj të studimit , masivisht nxënësit e kalojnë kohën cilësore në Facebook, Instagram, Instalife, lojëra argëtuese të padobishme, ose edhe me pamje të dhunshme, apo janë të ekspozuar ndaj ngacmimeve në rrjete sociale, në të cilat përdoret edhe një fjalor i regjistrit të ulët e vulgar. Përveç të mirave që ka sjellë zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë, ai është mbartës edhe i një sërë problemesh sociale, që bazën e kanë në prezantimin e nivelit kulturor. 

E konstatoj me dhimbje ashtu si dhe ju faktin se, shqiptarët e sidomos të rinjtë, po kthehen në imitues zhargonesh që ndjekin në modelet e faqeve të YouTube me humor dhe tekste këngësh me fjalor ekstremisht vulgar.

Sipas jush në cilin drejtim duhet punuar, duke qenë se keni përvojën si në kurrikulë ashtu edhe në mësimdhënie?

Për sa i përket kurrikulës së mësimdhënies së lëndës së gjuhës shqipe në shkollë , mendoj se duhet rishqyrtuar ideja e ndarjes së gjuhës nga letërsia. Bashkimi i dy teksteve në një ka sjellë dëmtim për të dy lëndët. Nga ana tjetër, letërsia i shërben më shumë prezantimit dhe njohjes së stileve të shkrimit të teksteve joletrare se sa komenteve të veprave letrare. Problem është edhe raporti i pjesëve që sugjerohen për t’u mësuar përmendsh. Fare pak studiohen poezi tingëlluese, me pathos, me tema atdhedashurie, me strofa e rimë të matur. Nuk përzgjidhen më nga autorët e teksteve alternative Rilindasit kombëtarë, as autorët klasikë e romantikë shqiptarë e botërorë. Nxënësit hasin vështirësi në poezitë me varg të lirë. Kuptohet, studimi i tyre është i rëndësishëm për mesazhet që përcjellin dhe figuracionin e pasur stilistik e letrar, por fëmijët (si ne dikur) duan vargje që t’i kuptojnë lehtësisht dhe t’i ruajnë gjatë në kujtesë. Nxënësit nuk po marrin nga tekstet autorët dhe veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë dhe asaj botërore.

Gjuha është identitet, sa e keqpërdorim apo e mbrojmë atë në shoqërinë tonë?

Gjuhës amtare duhet t’i kthehet identiteti nga instancat përgjegjëse, përkatësisht siç ka qenë më parë, tri orë në javë, aq sa bëhet edhe lexim. Edhe teksteve të arsimit të mesëm e të lartë i duhet dhënë prioritet dhe jo vetëm letërsia, por edhe studimi i saj i thellë shkencor-gjuhësor.

Në shkollën ku ju jepni mësim, si ia dilni dhe cili ka qenë shpërblimi që keni marrë?

Gjuha duhet të jetë një disiplinë shkencore ku të mësohen rregullat strikte të përdorimit të gjuhës funksionale si në drejtshqiptim ashtu dhe në drejtshkrim dhe në sistemin morfo-sintaksor. Sa për shkurtimet që përdoren në mesazhe, ky është trend global dhe e bën gjuhën më dinamike dhe të zhdërvjellët në komunikim të afërt, të ngrohtë, të sinqertë, e madje më me sens humori mes miqsh, por kur duhet të publikojnë ose të komentojnë në statuse të ndryshme të rrjeteve sociale kam vënë re që jo vetëm nxënësit dhe të rinjtë nxjerrin në pah të metat e tyre në drejtshkrimin e gjuhës standarde, por dhe profesorë të niveleve akademike përpiqen të duken më tërheqës, duke shkruar edhe në dialekte e aq më keq se e shkruajnë shqipen dialektore jo sipas normave e parimeve të sakta fonetike, por duke huazuar parimin themelor të gjuhës standarde, të njëjtësimit të drejtshqiptimit me drejtshkrimin, gjë që nuk vlen për dialektet. I lexoj me kënaqësi artikujt dhe tematikat shumë të vlefshme që përcjell  revista “Psikologjia” si zë emancipues në mes të kësaj morie kakofonie mediatike.

2018 do të jetë viti i minimaturës për klasat ku ju jepni mësim. Cili është mesazhi juaj?

Minimaturantë , Gëzuar 2018-tën! Suksese në fillimin e fundit të këtij rrugëtimi 9-vjeçar! Drejtshkrimi ka vetëm 10 orë në çdo vit shkollor, kjo bën të pamundur memorizimin dhe përthithjen e çdo rregulli nga të gjitha nivelet e nxënësve në një klasë apo dhe në grupmosha të ndryshme.

Në përvojën tuaj, cila është arma më e mirë për t’i shtruar të rinjtë drejt dijes?

Fjala është ajo që të mishëron dhe sendërzon ndërgjegjen e mendimet, fjala e thënë keq ose gabim më mirë të mos thuhet fare, sepse lë gjurmë në vetëdijen e një populli që identifikohet kulturalisht me gjuhën që përdor.

Cili është kujtimi më i bukur që ruani ndër breza?

Kur shoh nxënësit e mi që nuk janë vetëm nxënës, por dhe përdorues të saktë të regjistrave të gjuhës shqipe, përshkrues , komentues, argumentues, krahasues , faktorë dhe aktorë, dëgjues, shkrues dhe bashkëbisedues aktiv në çdo orë mësimi besoj se qëllimi i arsimimit arrin të funksionojë me moton: “Mësuesi hap derën e dijes, në të cilën secili nxënës duhet të hyjë vetë.”

Çfarë u përsërisni më shpesh ditë fëmijëve?

Porosia që çdo mësues i gjuhës amtare i jep nxënësve të vet është se, duhet ta trajtojnë me respekt dhe dashuri gjuhën që i përfaqëson, sepse secili tregon vlerat e veta në përdorimin e saj. Mësoni dhe lexoni libra cilësorë më shumë në kohën e lirë. Ashtu si trupi ka nevojë për ushqim, mos harroni se mendja duhet trajtuar me prioritet si resurs jo vetëm individual, por edhe në shërbim civilizues kombëtar.

Një urim për lexuesit e revistës Psikologjia për Vitin e Ri. 

Gëzuar dhe për shumë vjet Vitin e Ri 2018!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top