Në fokus

August 14, 2016 | 6:20

Mirënjohja dhe avantazhet e të thënit ‘faleminderit’

Një ndjenjë pozitive, që na bën të lumtur dhe të kënaqur me jetën… Ja çfarë është mirënjohja. Një ndjenjë e thellë falënderimi përkundrejt dikujt që është sjellë mirë me ne; një gjendje shpirtërore që na shtyn të ofrojmë diçka, në këmbim të një favori që na është bërë. Sa më shumë ta shprehim haptas mirënjohjen që kemi, aq më e madhe është dhe mirëqenia shpirtërore që përjetojmë. Dhe ja përse…

Çfarë është mirënjohja?

Mirënjohja është një ndjenjë që shfaqim ndaj një dhurate apo veprimi që na bën të ndihemi mirë. Për të përjetuar këtë ndjenjë janë të nevojshme dy etapa: e para, duhet të kuptojmë një ngjarje pozitive që na ka ndodhur në jetë dhe e dyta, duhet të jemi të sigurt se kjo ngjarje ka ardhur si pasojë e një veprimi të qëllimshëm nga personi që na ka bërë të ndihemi mirë. Mirënjohja është një mjet shumë i mirë për mirëqenien shoqërore. Le të imagjinojmë një mësuese që kushton shumë orë nga koha e saj për të realizuar një shfaqje me nxënësit, me qëllim që të përmirësojë atmosferën në klasë dhe t’u transmetojë nxënësve më shumë entuziazëm e dëshirë për të shkuar në shkollë. Nëse as nxënësit dhe as prindërit nuk shfaqin shenjë mirënjohjeje për punën e mësueses, mund të lindin keqkuptime. Në të kundërt, nëse do ta falënderojnë, gjesti i tyre mund të forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien shoqërore mësues-nxënës-shkollë. Njerëzit që janë fort të lidhur me ndjenjën e mirënjohjes dallohen për shoqërim më të mirë me të tjerët dhe kjo ndihmon për të ndërtuar një rrjetë të fortë marrëdhëniesh ndërpersonale, çka është faktor shumë i rëndësishëm për mirëqenien personale të çdokujt. Ndaj, për të përcaktuar më saktë se çfarë është mirënjohja, duhet të themi se mbi të gjitha është një nga pjesët e personalitetit që lidhet kryesisht me mirëqenien psikologjike. Studime të shumta të psikologjisë pozitive kanë treguar se njerëzit e orientuar drejt mirënjohjes janë më të gjallë, optimistë, empatikë dhe shfaqin shumë shpesh ndjenja si gëzimi, gjallëria e kështu me radhë. Kërkues të shumtë të kësaj fushe kanë konstatuar gjithashtu se të jesh mirënjohës nuk është vetëm shfaqja e ndjenjave pozitive, por shton edhe mirëqenien fizike dhe psikologjike të kujtdo.

Mirënjohja sipas psikologëve

Shumë nga ushtrimet dhe praktikat që janë përdorur në psikologjinë pozitive bazohen mbi ndërtimin e mirënjohjes, e cila është bërë një temë më vete studimi. Në vëzhgimet dhe studimet e tyre në literaturën rreth mirënjohjes, psikologët Emmons dhe McCullough kanë vëzhguar një lidhje të mundshme midis mirënjohjes dhe një sërë ndjenjash pozitive, si: kënaqësia, lumturia, krenaria dhe shpresa. Kjo veprimtari e fortë e ndjenjave pozitive, që ka lindur nga mirënjohja, ndikon në ndjenjën e kënaqësisë dhe në lumturinë personale të kujtdo. Një tjetër rast ku mirënjohja jep efekte pozitive është interpretimi në mënyrë sa më pozitive i përvojës së kujtdo në jetën e përditshme. Edhe kjo strategji psikologjike mund të kontribuojë në përmirësimin e mirëqenies sonë. Emmons dhe McCullough kanë bërë tri studime me grupe të ndryshme pjesëmarrësish. Pjesëmarrësit në ‘grupet e mirënjohjes’ në të gjithë studimet kanë dhënë përgjigje më të mira për sa i përket jetës së tyre, me më shumë optimizëm dhe më pak shqetësime fizike. Ndaj, psikologët konfirmojnë se mirënjohja është një faktor që lidhet drejtpërdrejt me nivelet e mirëqenies shpirtërore dhe fizike.

A mund të jetë mirënjohja çelësi i lumturisë?

Aktorja Elizabeth Carter në një intervistë deklaroi se “të jesh e lumtur, do të thotë të jesh mirënjohëse”. Dhe është e vërtetë se zakonisht i harrojmë mijëra arsyet që kemi për të qenë mirënjohës, si kundrejt të tjerëve, ashtu edhe kundrejt jetës. Zakonisht, kur njerëzit ndihen të palumtur, fillojnë dhe ankohen, sepse nuk gjejnë një arsye për të qenë mirënjohës. Megjithatë, a keni arritur ndonjë gjë në jetë duke u ankuar? Ankesat ju kanë mundë- suar gjetjen e motivimit, të jeni më të lumtur dhe të përmirësoni marrëdhëniet ndërpersonale? Me shumë gjasa, përgjigjja juaj është negative, sepse ankesat shkaktojnë vetëm nivel më të lartë depresioni, inat dhe veç kësaj u japin bezdi edhe njerëzve që na rrethojnë. Sido që të jetë, nëse në secilin prej këtyre momenteve sjellim ndër mend qoftë edhe një arsye të vetme për të qenë mirënjohës, i gjithë inati do venitet si me magji. Në fakt, një studim i zhvilluar me tri grupe njerëzish, tregon fuqinë e madhe që ka mirënjohja. Pjesëmarrësve të grupit të parë të studimit iu kërkua të shkruanin çdo ditë pesë gjëra për të cilat ishin ndjerë mirënjohës. Pjesëmarrësve të grupit të dytë iu kërkua të shkruanin pesë probleme me të cilat do të përballeshin çdo ditë, ndërsa pjesëmarrësve të grupit të tretë iu kërkua të shkruanin pesë ngjarje të zakonshme që do t’u ndodhnin çdo ditë. Në përfundim të dhjetë javëve të këtij eksperimenti u bë një test për të vlerësuar gjendjen shpirtërore të pjesëmarrësve dhe kështu psikologët mundën të kuptonin se grupi i parë ishte 25% më i lumtur sesa grupet e tjera.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top