Në të gjithë vorbullën e shoqërisë tonë, do të ishte një mungesë e madhe nëse do të mungonte mirësia. Mirësia është virtyt, është gjëja më e çmuar që mund të ketë ndokush, është skena ku duhet ta shpalosim atë me gjithë zemër.
Adelina Pali, poete
Por ka mirësi që sot merret dhe shpaloset si dobësi. Herë-herë nuk kuptohet, ose e keqja më e madhe është se të kthehet shpina edhe pse ke fal shumë mirësi dhe dashuri. Kjo është e dhimbshme. Është therëse. Është zhgënjyese.
Por ne sërish vazhdojmë të falim mirësi, sepse ajo mund të arrijë shumë. Mirësia bën që keqkuptimi dhe armiqësia të avullojnë ndër kohë. M’u kujtua një shprehje e hershme prusiane: “Nëse do që të mundësh një armik, bëje mik!” Kjo tregon qartazi se vetëm mirësia dhe toleranca mund të mposhtë këdo.
Unë fal! Do fal sepse kjo jam. Mbajeni mend! Nuk ka gjë më të shenjtë në botë se sa të falësh qoftë dhe me një akt të vogël mirësinë. Kushdo që bën një akt mirësie, do bëjë të mundur të binte këdo ziliqar, smirëxhi, tekanjoz, dashakeq…
Vjen një ditë që kushdo do të pozicionohet i turpëruar edhe pse në heshtje, kur do të kuptojë se gjithçka me keqdashje ose mosmirënjohje që ka shprehur apo vepruar, do rrëzohet dhe do mundet nga mirësia…
Le të bekohet kushdo që jep mirësi, ashtu si edhe ata që e pranojnë atë … Ndryshe karma do bjerë mbi këdo që abuzon në MIRËSINË e vyer njerëzore…!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.