Në fokus

December 22, 2017 | 9:51

Misteret e Krishtlindjes, lindja e një fëmije prej ku filloi llogaritja e kohës

Krishtlindja, pas Pashkëve, është festa më e rëndësishme në rrjedhën e vitit kishtar. Radio Vatikani jep një shpjegim për simbolikat e kësaj dite:

untitled

Zakonet e ndryshme të popujve të botës tregojnë dhe popullaritetin e madh që ka kjo festë. Duket që paraqitja figurative e Jezusit porsi djepës, e Marisë dhe Jozefit, engjëjve, barinjve dhe mbretërve, si dhe shtazëve, të cilat i ka afruar imagjinata e përshpirtshme pranë Jezusit, të ketë qenë kahmot e pëlqyeshme. Ky zakon, dëshmohet të ketë zanafillën që nga Kisha e hershme. Në të mirë të lexuesit shqiptarë, do të doja, kalimthi, të dëftoj shkurt vetë historinë dhe zanafillën e festës së Krishtlindjes.

Krishtlindja, e quajtur shpesh dhe në popullin tonë Nata e Krishtit, dhe bashkë me popuj të tjerë dhe Nata e Shenjtë, Nata e bekuar a e shuguruar, është ajo festë madhështore dhe e rëndësisë së veçantë krishterore, e cila kremtohet më 25 dhjetor. M‘u në këtë datë të ngulitur, të krishterët kremtojnë lindjen e Krishtit duke filluar me mbrëmësoren.

Koha e Krishtlindjes fillon sakaq të ketë filluar Koha e Ardhjes (Adventi) dhe në Kishën Katolike zgjat deri në festën e Pagëzimit të Zotërisë, në të dielën pas festës së Dëftimit të Zotit më 6 janar (domethënë, Tre Mbretërit e shenjtë). Krishtlindja ka shumë emërtime: Lindja e Krishtit, festa e Lindjes së Krishtit, Lindja e Zotit, festa e Lindjes së Krishtit, festa e Krishtlindjes, (Lindjes së Krishtit, Lindjes së Zotit). Në kishat që ushtrojnë ritin bizantin dominon shprehja: Të mishëruarit e Zotit tonë, Hyjit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Krishtlindja nuk bën pjesë ndër festat më të vjetra të Kishës. Ireneu dhe Tertuliani nuk e përmendin këtë festë në listën e festave të tyre. Është e njohur thënia e Origjenit se, vetëm mëkatarët festojnë ditëlindjen, por jo shenjtërit. Fillimisht festohej më 6 janar vetëm festa e Dëftimit (Epifania). Nga shekulli i dytë filloi të kremtohej edhe Lindja e Jezusit. Kremtimi i lindjes së Jezusit më 25 dhjetor ka zanafillën në vitin 336. M‘u në këtë ditë, në Romën pagane, festohej festa shtetërore “I pamposhturi hyji i diellit”, përmes së cilës festohej solstici, diellqëndrimi a diellndalimi dimëror. M‘u kjo ditë u shndërrua në festë të krishterë. Në shekullin e V Ardhja filloi të jetë kohë e përgatitjes për festën e madhe të Kishës – Krishtlindjen. Në shek. V dhe VI Krishtlindja qe festa e tretë e madhe e Kishës. Fillimisht Krishtlindja nuk ishte festë e dhuratave. Zakoni i shpërndarjes së dhuratave erdhi dhe u bë pjesë përbërëse e Krishtlindjes pas Reformacionit nën ndikimin e Martin Luterit. Në shek. VI/VII, në Perëndim, filloi tradita, që në Krishtlindje të kremtohen tri Meshë: Mesha e Natës nga 24 në 25 dhjetor në mesnatë, Mesha e agimit e quajtur “Mesha e barinjve” (Missa in aurora) dhe Mesha festive ose Mesha e ditës (Missa in die).

Kjo festë ka parakushtin e vet antropologjik. Është lindja e një fëmije. Me lindjen e këtij fëmije në të vërtetë filloi rishtazi llogaritja e kohës. Ky fëmijë lidhet me motive të Besëlidhjes së Vjetër. Ky fëmijë është i premtuar porsi Isaku, Samueli, Samsoni dhe Gjoni Pagëzues; është fëmijë i paralajmëruar nga engjëlli, bile ka dhe emrin e caktuar që në kraharorin e së ëmës; duhet të quhet Jezus (Krhs. Mt. 1,19-22).

Kjo festë përmban misterin e Fjalës së mishëruar përmes së cilës në sytë e shpirtrave njerëzorë ka ndriçuar një rreze e re shkëlqimi e Hyjit. Kjo festë ka mundësuar njohjen e vetë Hyjit në mënyrë të dukshme dhe na udhëheq nga dashuria e sendeve që ende nuk duken.
Vendi, i cili pandërmjetësueshëm lidhet me Krishtlindjen është Betlehemi. Betlehemi është qytet në Jordanin Perëndimor me rreth 29.930 banorë. Sot qyteti i përket Tokave Autonome të Palestinës dhe në veri kufizohet me Jerusalemin. Pikërisht, Krishtlindja lidhet me këtë qytet.

Vetë fjala Betlehem, e nxjerrë nga fjala hebraike Beit Lehem, do të thotë: shtëpia e bukës. Ky qytet ka domethënie për të krishterët dhe bën pjesë ndër qytetet më të rëndësishme të krishterimit, sepse në të u lind Jezu Krishti. Mikea profet përmend që në shek. 8 vendlindjen e Mesisë: “Ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër qytetet princërore të Judës, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin. Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit” (Is, 5,1). Oborrtarët dhe mendimtarët e Herodit do ta kujtonin atë në këtë tekst (Krhs. Mt 2,6). Luka (2,1–7) na bën të ditur se Jezusi u lind në Betlehem, në të cilin, Hyji vendosi dhe ndërhyri në rastin e numërimit të popullit sipas urdhrit të mbretit August, që ta përmbushte profecinë. Një vit ose dy pas lindjes së Jezusit, Betlehemi mori domethënie mjerimi përmes urdhërimit të vrasjes masive të foshnjave deri në dy vjeç. Kisha me 28 dhjetor e përkujton këtë ditë të masakrës në festën “Fëmijët e Pafajshëm”.

Për të hedhur pak dritë mbi grazhdin e Krishtlindjes, duhet cekur se, pikësëpari është fjala për lugun (koritën) e ushqimit në të cilin qe vënë Jezusi menjëherë pas lindjes (Krhs. Lk 2,7), për të cilën flasin edhe Justini (rreth vitit 160) e Origjeni (rreth vitit 248), e që nga ajo kohë qe ndërtuar një stallë a shpellë në të cilën qe vënë djepi në formën e lugut dhe qe adhuruar Krishti fëmijë. Në kuptimin më të gjerë, lugu ose djepi i Betlehemit, përkatësisht grazhdi i Betlehemit, nënkupton paraqitjen e ngjarjes së shpëtimit me figura teknike të pavarura nga njëra-tjetra, nga rrodhën më vonë dhe inskenimet teatrale, skeçet e Krishtlindjes, të cilat kanë zënë fill nga shek. XI. Mirëpo, përshkrimet më me hollësi mbi to i gjejmë në shek. XIII, kur dhe u ndanë nga kremtimi i Meshës dhe liturgjia e Natës së Shenjtë dhe u inskenuan veç e veç.

Për të hedhur dritë mbi historinë e grazhdit si shenjë dhe simbol në kremtimin e Meshës, duhet të përmendim një Papë, Papën Liberi († 24 shtator 366), i cili, i pari duhet të ketë ndërtuar Bazilikën në një stallë në shek. IV në Romë, ku ka dalë në dukje grazhdi i Betlehemit. Në vitin 420 në këtë vend qe ndërtuar Bazilika Santa Maria Mggiore, ku u nderuan reliket e grazhdit a djepit, përkatësisht stallës së Krishtlindjes.

Nga kjo rrodhi zakoni që pranë altarit të rregullohej dhe një shfaqje nga pamja e lindjes së Jezusit. Shën Frani nga Asizi në vitin 1223 organizoi në Vald Greccio një festë të stallës së Betlehemit me kaun dhe gomarin. Stallat e tilla fillimisht u rregulluan vetëm brenda kishës, më vonë dhe në shtëpitë private. Stalla e Krishtlindjes ose, e thirrur shpesh te ne shqiptarët, Shpella e Betlehemit është një shfaqje e lindjes së Krishtit, më së shpeshti përmes figurave sipas modelit të fshatrave të Betlehemit.

Stalla e Krishtlindjes ose shpella e Betlehemit lidh botën pamore të kohës së Ardhjes me festën e tre Mbretërve të shenjtë. Të forcuar edhe nga Koncili i Tridentit (1545–1563) rendet kishtare si, jezuitët, servitët dhe françeskanët provuan që të ngjallin rishtazi shfaqjet me pamje përmbajtësore biblike. Në vitin 1562 Jezuitët e Pragës rregulluan stallën e Krishtlindjes që bartë emrin e një stalle në kuptimin e sotëm. Në vitet më pastaj, edhe në qytete të tjera, Shpella e Betlehemit u bë çështje prestigji. Në vitin 1607 në Mynih, në vitin 1608 në Insbruck dhe në 1609 në Hall (Tirol). Stalla më e madhe në botë është Diorama Betlehem në Einsiedeln (Zvicër), e rregulluar sipas pamjes fushore të Betlehemit me mbi 450 figura në 80 m2.

Grazhdi i Betlehemit ndriçon figurativisht lindjen e Jezusit në Betlehem. Paraqitja figurative e lindjes së Jezusit përafron këtë ngjarje të shpëtimit dhe rritë përjetimin e lindjes së Jezusit. Duket që, si në shekujt e më hershëm edhe sot e kësaj dite, grazhdi i Krishtlindjes të ketë një forcë tërheqëse të jashtëzakonshme për popullin. Jezusi paraqitet gjithmonë porsi fëmijë i varfër, i cili vjen në këtë botë, sheh dhe shijon dritën e saj përmes një gruaje. Vetë varfëria dhe lindja e natyrshme e Jezusit i ka afruar dhe i afron njerëzit te Zoti. Në këtë pamje vjen deri te identifikimi a njëjtësimi ynë me Jezusin.

Figurat që paraqesin engjëjt, barinjtë dhe mbretërit bëjnë të ditur se, atij i përket nderi dhe lavdi i të gjithëve. Para këmbëve të tij duhet të nënshtrohen të gjithë. Pamjet se si para Jezusit janë përgjunjur shtresat dhe moshat njerëzore, tregojnë detyrimin dhe të botës sonë sot, për ta mposhtur vetveten para Jezusit; ato rrisin përshpirtërinë tonë që t‘i përgjunjëzohemi dhe më devotshëm para tabernakullit.  Në ditët tona, grazhdi ose stalla e Betlehemit në artin popullor, por dhe në atë komercial, ka si motiv qendror pjesëtarët e Familjes së Shenjtë: Jozefin, Marinë dhe Jezusin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top