FB

February 8, 2022 | 12:24

Miti i lumturisë…

Në këtë epokë narcisiste të vetë-markës, vetë-përmirësimit dhe mirëqenies, shumë janë kapur në mitin e lumturisë si një “zgjedhje personale”. Nëse po e lexoni këtë, ju jeni një qenie njerëzore, që do të thotë se në mënyrë të pashmangshme ju është dashur të përballeni me të gjitha llojet e problemeve të vështira, zhgënjimet dhe humbjet në jetën tuaj, shumë prej të cilave kanë ndodhur jashtë kontrollit tuaj. Shitësit e lumturisë do t’ju thonë se mund të shmangni shqetësimin që lidhet me këto fatkeqësi, si dhe frikën se mos duhet të duroni fatkeqësi të reja në të ardhmen, dhe në vend të kësaj zgjidhni të ndiheni të lumtur.

Fantazia e “Zgjedhjes” së lumturisë

Njerëzit janë “projektuar” që të kenë emocione të përziera dhe të ndryshueshme në përgjigje të vështirësive që përjetojnë në jetë dhe ankthit që lidhet me të qenit gjallë, në vend që të jenë të lumtur. Ky është plani ynë natyror. Të pretendosh se dikush mund të zgjedhë lumturinë mbi pakënaqësinë është një fantazi.

Ky mit i lumturisë, i promovuar nga guru të panumërt të shëndetit dhe libra të vetë-përmirësimit, nuk është thjesht një aspiratë neutrale dhe e mirë. Ky mit nuk na inkurajon thjesht të adoptojmë një qëndrim më optimist dhe produktiv në jetën tonë. Në vend të kësaj, ai ka arritur të ndërtojë një besim të përgjithësuar në shoqëri se pakënaqësia është një dështim personal dhe se një person i pakënaqur duhet të jetë padyshim ose i papërshtatshëm ose i paaftë. Ky konflikt mes realitetit dhe pritshmërisë i fërkon plagën një personi mesatar, i cili lufton rregullisht me emocionet e përziera të pashmangshme, duke mos arritur lumturinë e premtuar.

Aspekti politik

Më pas është edhe aspekti politik i mitit të lumturisë. Radio BBC transmetoi një program pikërisht për këtë çështje në vitin 2020, në të cilin Ëill Davies, profesor i politikës në Goldsmiths dhe Andre Spicer, profesor i sjelljes organizative në City University, argumentuan se është shumë e përshtatshme për qeveritë që të shkojnë së bashku me pikëpamjen se lumturia është thjesht një çështje personale dhe nuk ka të bëjë fare me politikat e tyre, edhe pse ne e dimë se disa nga faktorët më të besueshëm që ndikojnë në lumturinë, si papunësia, janë potencialisht të modifikueshëm nëpërmjet politikave të qeverisë.

Sundimtarët do t’ju thonë se pakënaqësia shërohet lehtësisht me terapi dhe vëmendje. Në fakt, që nga fillimi vetë-përmirësimi dhe psikologjia pozitive janë përqendruar kryesisht te individi në kurriz të aspekteve sociale të mirëqenies sonë. Dyshoj se kjo është arsyeja pse ata ndonjëherë kanë gëzuar favorin e politikanëve konservatorë.

Duke pretenduar se kushdo mund të zgjedhë të ketë një gjendje lumturie pavarësisht nga rrethanat, ne po injorojmë natyrën tonë të vërtetë njerëzore dhe po i çlirojmë sunduesit tanë nga përgjegjësia e tyre për të përmirësuar jetët tona. Ne po favorizojmë një narcisizëm me të meta, në vend që të luftojmë të këqijat reale dhe të prekshme sociale që na bëjnë kaq të pakënaqur.

 

Burimi / https://www.psychologytoday.com/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top