FB

November 3, 2025 | 17:30

Mjaft më “kap çfarë të kapësh”! Letër e hapur drejtuar Kryeministrit dhe klasës politike shqiptare, nga Alketa Burimi

 

 

Në muajin e Pavarësisë, kur zemrat shqiptare rrahin njësoj në çdo cep të botës, kjo letër vjen si një thirrje dashurie dhe reflektimi për Shqipërinë.

alketa-burimi

I dashur Kryeministër, të nderuar përfaqësues të klasës politike shqiptare, kjo letër nuk është një akuzë,  është një ftesë për reflektim. Një zë që vjen nga zemra e një shqiptareje që e do vendin e saj, nga një qytetare që, si shumë të tjerë, u detyrua të largohej, jo për t’u shkëputur, por për të gjetur qetësinë dhe dinjitetin që çdo njeri kërkon.

Ky zë vjen nga dashuria, jo nga zemërimi. Nga kujdesi për vendin që na ka rritur, jo nga mospajtimi me ata që e drejtojnë.

Kanë kaluar 35 vite që Shqipëria ecën në një rrugë të gjatë ndryshimesh, sigurisht me përparime, por edhe me plagë që ende kërkojnë shërim. Dhe kjo letër është një thirrje e butë për t’u kujtuar se vlera më e madhe që mund të “kapim” sot nuk është pushteti, por përgjegjësia dhe dashuria për atdheun.

Zoti Kryeministër, Ju keni përdorur dikur një shprehje që mbeti në kujtesën e njerëzve: “Kap çfarë të kapësh.” Le ta kthejmë sot këtë shprehje në diçka më të bukur, në një slogan të ndërgjegjes kombëtare:

shqiperia

Mjaft më “kap çfarë të kapësh”!

Por jo për interes. Jo për përfitim. Por për të kapur mirësinë, ndershmërinë, shpresën dhe përgjegjësinë.

Sepse një vend nuk mbahet vetëm nga fjalët, por nga veprat dhe dashuria për të.

Unë nuk jam politikane. Jam thjesht një nënë dhe një bijë shqiptare, që punon e jeton larg, por që çdo ditë mban gjallë gjuhën, kulturën dhe kujtimet e atdheut. Jam një zë pa ngjyra politike, por me ngjyrën e gjakut që më lidh me këtë tokë, dhe me idealin që e mban atë të pastër.

Një zë që mundohet të mbajë gjuhën dhe vlerat shqiptare gjallë jashtë atdheut, pa asnjë interes, pa asnjë përfitim, por me dashurinë më të thellë për rrënjët e mia dhe për Shqipërinë që dua.

Një zë që flet me respekt, por edhe me ndjesinë e thellë se Shqipëria meriton më shumë dashuri dhe përkushtim.

 

Mjaft më “kap çfarë të kapësh”!

Le të kapim ndërgjegjen, përgjegjësinë dhe dashurinë për këtë tokë që na lindi. Por s’do të isha e ndershme me veten nëse nuk do të përmendja edhe plagët që kanë lënë pas pseudo-politikanët ndër vite, ata që harruan se pushteti është shërbim, jo pasuri. Por plagët e këtij vendi nuk i hap vetëm koha, i kanë hapur ata që harruan moralin dhe ndershmërinë. Ata që e shitën ndërgjegjen për një copë pushtet, dhe harruan se fjala “shqiptar” bart në vete një nder të shenjtë. Për ta, dhe për çdo shpirt që e shkel këtë shenjtëri, fjala ime poetike bëhet thirrje, dhe ndonjëherë edhe lëngim i dhimbjes. Dhe tani, duke ju falenderuar me zemër, po e mbyll këtë letër me disa vargje nga unë…

 

Shqipëri, o dritë, o hënë,

vend i shenjtë, i bekuar nën qiellin e hyjnive.

Kur Zoti tokat i ndau me dhimbë, tha:

“Këtu vendos një shenjë,

këtu mbjell një copë parajse,

që do të mbajë dritën Time në frymë dhe në këngë.”

(Fragment nga një poezi e papublikuar e autores)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top