Lifestyle

June 10, 2019 | 11:03

Mjalti, ëmbëlsia që zgjat përjetësisht

Objekt studimesh shkencore, mjalti ka cilësi surprizuese në aspektet e shumta që mund të ketë në mirëqenien tonë. Studimet e fundit konfirmojnë përfitime të shumta të mjaltit cilësor, sidomos kur zëvendëson sheqerin e rafinuar në dietën e përditshme.

Për shumë mijëvjeçarë mjalti është përdorur për kurat natyrale: në të gjithë botën, paraardhësit tanë duket se ishin shumë të vetëdijshëm për përfitimet e shumta të mjaltit në shëndet. Sot, shkenca ka zbuluar në përbërjen e mjaltit rreth dyqind elementë të rëndësishëm.

Më shumë se një ëmbëlsues i thjeshtë, mjalti është një minierë elementësh ushqyes: enzima, antioksidantë, aminoacide, vitamina dhe minerale. Përbërja e mjaltit varet nga bimët, në fakt shumë elementë vijnë nga lloje të ndryshme polenash dhe propolisi, të cilat bletët i marrin në natyrë.

  1. Mban nën kontroll gliceminë

Eksperimentet shkencore kanë arritur në përfundimin se konsumi i mjaltit të pastër mund të përmirësojë nivelin e sheqerit në gjak. Toleranca e mjaltit është padyshim më e mirë, po ta krahasojmë me zaharinën apo glukozën. Sipas studiuesve, te personat që vuajnë nga diabeti, konsumimi i mjaltit ka treguar një rënie të dukshme të nivelit të glukozës në gjak.

  1. Qetëson problemet e stomakut

Në trajtimin kundër infeksioneve gastrointestinale, si: gastriti apo ulcera të shkaktuara nga baktere, janë vërejtur efekte të dukshme mbrojtëse falë mjaltit, pasi ndihmon për të riparuar mukozën intestinale të dëmtuar, stimulon rritjen e indeve të reja dhe vepron si agjent anti-inflamator. Sipas shkencës antike ayurveda, mjalti i pastër bashkë me xhelin e freskët të aloe veras, përforconin aktivitetin e tyre anti-inflamator dhe cikatrizues në stomak dhe zorrë.

  1. Mjalti bën mirë për zemrën dhe kolesterolin

Autorët e një studimi të bërë me 38 persona mbipeshë kanë nxjerrë në pah se mjalti natyral dhe cilësor pakëson rrezikun kardiovaskular, në veçanti te personat me rrezikshmëri të lartë dhe nuk ndikon në rritjen në peshë te rastet e personave obezë. Si te personat e shëndetshëm, edhe tek ata të prekur nga iperlipidemia (me nivel të lartë kolesteroli apo trigliceridesh) apo diabeti, mjalti i freskët ka ndikuar që të pakësohen yndyrnat në gjak, nivelet e omocisteinës dhe proteinës C-reaktive (CRP).

  1. Lehtëson kollën te fëmijët

Disa studime klinike konfirmojnë për efikasitetin e mjaltit në pakësimin e shenjave të kollës te fëmijët. Studiuesit e Universitetit të Tel Aviv (Izrael) u dhanë disa lloje mjalti 300 fëmijëve të moshës nga një deri në pesë vjeç. Gjysmë ore para se të flinin, prindërit u dhanë fëmijëve të tyre një dozë prej 10 gramë mjalti të llojeve të ndryshme (mjaltë eukalipti, agrumesh dhe timoje).

Të dhënat e komunikuara nga dr. Herman Avner Cohen tregojnë se disa lloje mjalti janë kura të mirëfillta natyrale kundër kollës, për shkak se janë në gjendje të pakësojnë simptomat e kollës së natës te fëmijët dhe largojnë shqetësimet e gjumit që lidhen me infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes.

  1. Mjalti, i dobishëm për mëlçinë

Mjalti i pastër është karburanti më i mirë për mëlçinë. Krahasuar me sheqerin e bardhë apo atë ngjyrë kaf, te mjalti glukoza dhe fruiktoza janë të ndarë. Glukoza furnizon energji të menjëhershme, ndërsa fruktoza ruhet nga mëlçia si glikogjen. Veç kësaj, mjalti i pastër dallohet për praninë e enzimave dhe Vitaminave të grupit B (B1, B2 dhe B6). Studimet klinike të bëra së fundmi kanë konfirmuar se disa lloje mjalti, me cilësi antioksidante mund të kenë një veprim mbrojtës për mëlçinë.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top